Ballina Bota Analiza Si ta lexojmë letrën e Donald Trump pas lëmshit ‘Rama, Thaçi, Soros’?

Si ta lexojmë letrën e Donald Trump pas lëmshit ‘Rama, Thaçi, Soros’?

Para pak ditësh, një gazetë austriake me vëmendje të veçantë ndaj Ballkanit, publikoi një intervistë të ish-kryeministrit Sali Berisha për çështjen e Kosovës. Berisha përsëriti qëndrimin e tij se presidenti kosovar Hashim Thaçi po tund flamurin e Serbisë së Madhe, duke folur për ndarjen e Kosovës.

Berisha tha se edhe kryeministri Edi Rama e ka përkrahur këtë nismë, pasi pas saj fshihet miliarderi George Soros.

Por historia e negociatave për Kosovën ka marrë një tjetër kthesë kur presidenti Hashim Thaçi publikoi online një letër që ka marrë nga homologu i tij amerikan, Donald Trump.

Nën zë është thënë vazhdimisht se Trump po e përkrah idenë e zgjidhjes së çështjes kosovare mes vetë Prishtinës dhe Beogradit.

“Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë, t’ju mirëpres ju dhe presidentin Aleksander Vuçiç, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike”, thuhet në letrën e presidentit Trump.

A po vepron Thaçi në këtë mënyrë i diktuar nga amerikanët, ndërkohë që Rama po e mbështet nismën duke u deklaruar hapur pro presidentit që dikur e pati sulmuar dhe që prej tij ka marrë vlerësime në një samit?

Historia komplikohet kur sheh qëndrimin e BE, ku Gjermania është e prerë kundër ndryshimit të kufijve. Kurse kryediplomatja e BE, Federica Mogherini është treguar më e hapur, por duke marrë kundërshtimet e forta të kryeministrit Ramush Haradinaj, që duket mjaft i ashpër në betejën e tij, jo vetëm kundër rishikimit të kufijve, por edhe duke vendosur taksën 100 përqind ndaj prodhimeve serbe.

Një lojë e tipit ‘polici i keq, polici i mirë’ e tij dhe e Thaçit? E vështirë të thuhet, por dihet me saktësi diçka: Që SHBA kërkon ta mbyllë një kapitull të vështirë në politikën globale.

Liria dhe pavarësia e Kosovës, janë rezultat i luftës sonë të drejtë dhe përkrahjes së aleatëve tanë strategjikë ndërkombëtarë. Realizimi i synimeve tona për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB është i pamundur pa përkrahjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.

Kosova është e bekuar që gëzon mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe të popullit amerikan. Bashkëpunimi dhe miqësia jonë është e përhershme dhe reciproke. Mirëpo, ne duhet të dimë ta ruajmë dhe forcojmë këtë partneritet që kemi. Respekti dhe ndihma duhet të jenë reciproke dhe jo të njëanshme.

Prandaj, është detyrim yni që t’i përgjigjemi pozitivisht thirrjeve dhe kërkesave miqësore, që vinë nga SHBA-të. Një kërkesë e tillë miqësore, por në të njëjtën kohë shumë serioze, më është bërë drejtpërsëdrejti nga Presidenti i SHBA Donald Trump.

Në këtë letër, Presidenti Trump, ndër të tjera kërkon nga unë dhe liderët e Kosovës, që ta shfrytëzojmë këtë moment unik që të flasim me një zë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë. “Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë.”

Më poshtë mund ta lexoni në tërësi përmbajtjen e letrës së dërguar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

***
Shkëlqesisë së Tij
Hashim Thaçi
President i Republikës së Kosovës

I nderuar z. President:

Ishte kënaqësi të flisja me Ju në Paris gjatë shënimit të Ditës së Armëpushimit. Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe stabilitetin për të gjithë Evropën. Unë i mirëpres përpjekjet tuaja aktuale për pajtim me Serbinë.

Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë.

Unë iu nxis Ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes.

Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet.

Ne jemi të gatshëm që t’ ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ ju mirëpres Ju dhe Presidentin Aleksander Vuçiç, për të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike.

Sinqerisht,

@tn.lajmelokale
@tetovanews