Ballina Bota 2 minuta nga apokalipsi

2 minuta nga apokalipsi

Mbajtësit e Orës së Fundit të Botës thonë se njerëzimi është më pranë zhdukjes se kurrë. Rreziku i një luftë bërthamore dhe ndryshimet klimatike do të thotë se Ora e Fundit të Botës është vendosur 2 minuta nga mesnata, pika sipas së cilës ekspertët parashikojnë zhdukjen e njerëzimit.

Sipas një artikulli të botuar nga e përditshmja britanike “Mirror”, kjo do të thotë se qeniet njerëzore përballen me pikën më të rrezikshme që prej kërcënimit të armëve bërthamore nga Lufta e Ftohtë. Mesnata në këtë orë simbolike përfaqëson pikën e zhdukjes.

Një grup shkencëtarësh dhe ekspertësh e përcaktuan orën bazuar në vlerësimet e tyre për të ardhmen e njerëzimit.

14 laureatë të Nobelit ishin në mesin e grupit që vendosi ta mbante orën në dy minuta larg mesnatës, për të dytin vit radhazi. Në njoftimin e Orës së Fundit të Botës 2019 thuhet: Një anormalitet i ri: Është sërish 2 minuta nga mesnata.

“Njerëzimi tani përballet njëkohësisht me dy kërcënime ekzistenciale, secili prej të cilëve do të ishte shkak për shqetësim ekstrem dhe vëmendje të menjëhershme. Këto kërcënime madhore, armët bërthamore dhe ndryshimet klimatike u përkeqësuan këtë vit nga përdorimi i informacioneve për minimin e demokracisë në mbarë botën, duke përforcuar rrezikun nga këto kërcënime, por edhe të tjera, duke e vënë të ardhmen e njerëzimit në një rrezik të jashtëzakonshëm”.

Sipas ekspertëve, anormaliteti i ri është tejet i rrezikshëm. Ashtu si dhe një vit më parë, ata u bëjnë thirrje liderëve botërorë që të bëjnë më shumë për të parandaluar katastrofa në të ardhshem.

“Situata e sigurisë botërore mund të përmirësohet, nëse liderët kërkojnë ndryshim dhe qytetarët e kërkojnë atë. Është dy minuta nga mesnata, por nuk ka arsye përse Ora e Fundit të Botës të mos lëvizë nga katastrofa. Kjo ka ndodhur në të shkuarën, sepse liderë të mençur vepruan, si pasojë e presionit të qytetarëve të mirëinformuar dhe të përkushtuar nga bota”.

Ora shkoi përpara në Janar të 2017-s, si pasojë e shqetësimeve nga Presidenti amerikan Donald Trump./tvklan.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews