Ballina Bota Analiza E gjithë SHBA kundër Trump?!

E gjithë SHBA kundër Trump?!

Nga David Leonhardt

Ai është dukshëm i paaftë për pozicionin. Çfarë po presim?

Betimi presidencial përmban 35 fjalë dhe një premtim thelbësor: të “ruajë dhe mbrojë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”. Që nga momenti kur Donald J. Trump bëri atë betim dy vite më parë, ai e ka shkelur atë.

Ai ka vënë në mënyrë të përsëritur interesat e tij mbi ato të vendit. Ka përdorur presidencën për të promovuar bizneset e tij. Ka pranuar dhurata financiare nga vendet e huaja. Ka gënjyer popullin amerikan për marrëdhëniet e tij me një qeveri të huaj armiqësore. Ka toleruar zyrtarët e kabinetit të përdorin pozicionin e tyre për të pasuruar veten.

Për të mbrojtur veten nga llogaridhënia për gjithë këtë – dhe për fushatën e paskrupullt presidenciale – ai ka nisur të minojë sistemin amerikan të kontrolleve dhe balancave. Ka bërë thirrje që të ndiqen penalisht armiqtë e tij politikë dhe për mbrojtjen e aleatëve të tij. Është përpjekur të pengojë drejtësinë. Është përpjekur të shkundë besimin e publikut te institucionet demokratike, duke përfshirë shtypin, institucionet federale të përforcimit të ligjit dhe gjyqësorin federal.

Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk kanë pasur një president dukshëm kaq të papërshtatshëm për detyrën si Trump-i. Dhe është duke u bërë e qartë se 2019 ka të ngjarë të dominohet nga një pyetje e vetme: Çfarë do të bëjmë për këtë?

Përgjigjja e lehtë është të presësh – të lejosh hetimet e ndryshme për Trump-in të vazhdojnë rrjedhën e tyre dhe t’u kërkosh votuesve që të japin një vendim në vitin 2020. Kjo përgjigje ka një avantazh të madh. Do të shmangte traumën kombëtare për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve. Si përfundim, megjithatë, pritja është shumë e rrezikshme. Kostoja e largimit të një presidenti nga detyra është më e vogël se kostoja e lejimit të këtij presidenti të qëndrojë.

Ai e ka treguar tashmë në mënyrë të përsëritur se ai do të dëmtojë vendin për të ndihmuar veten. Ai do të dëmtojë interesat amerikane në mbarë botën dhe do të dëmtojë pjesët vitale të sistemit tonë kushtetues në shtëpi. Risku se ai do të shkaktojë shumë më shumë dëm po rritet.

Administrata gjithnjë e më shumë po mbushet me servila. Trump-i ka më shumë liri për të kthyer tekat e tij në politika, si për shembull mbylljen e qeverisë prej këshillave të prezantuesve të Fox News-it ose tërheqjen e trupave nga Siria këshilluar nga një autokrat turk.

Rreziku më i madh mund të jetë që një emergjencë e jashtme – një luftë, një sulm terrorist, një krizë financiare, një fatkeqësi të madhe natyrore – do të lindë. Deri atëherë, do të jetë tepër vonë për të pretenduar se ai është diçka tjetër veçse haptazi i paaftë për të udhëhequr.

Për të mirën e vendit, ekziston vetëm një rezultat i pranueshëm, ashtu siç ndodhi pasi amerikanët kuptuan në vitin 1974 se një kriminel kishte zaptuar Zyrën Ovale. Presidenti duhet të ikë.

Arritja e këtij rezultati nuk do të jetë e lehtë. Do të duhet që njerëz të ndershëm të cilët kanë shërbyer në administratën Trump të ndajnë publikisht atë që kanë parë dhe çfarë besojnë. (Në këtë pikë, rrjedhjet anonime të informacionit nuk janë të mjaftueshme.) Kjo do të kërkojë që republikanët në kongres të pranojnë se kanë lejuar një mashtrues të uzurpojë partinë e tyre dhe që pastaj e kanë mbrojtur atë mashtrues. Do të kërkojë që demokratët dhe aktivistët progresivë të kuptojnë se një fajësim i nxituar në të vërtetë mund të ndihmojë që Trump të mbetet në detyrë.

Por nëse nuk do të jetë e lehtë ta heqësh atë, nuk është aq e pamundur sa mund të duket ndonjëherë. Që nga fillimi, Trump-i ka qenë një president i pazakontë, siç kanë theksuar shkencëtarët politikë. Megjithëse anëtarët e Kongresit nuk kanë bërë mjaftueshëm që ta kufizojnë atë, asnjë president tjetër nuk është përballur me kaq shumë kritika publike ose me përbuzje private nga partia e tij.

Duke qenë se zgjedhjet e mes-mandatit treguan kostot politike që Trump-i u shkaktoi republikanëve, ky kriticizëm duket të jetë në rritje. Ata janë ndarë nga ai në politikën e jashtme (për Arabinë Saudite, Jemenin dhe Sirinë) dhe janë të shqetësuar për mbylljen e qeverisë. Trump-i është vulnerabël ndaj çdo erozioni në vlerësimin tashmë të dobët të miratimit ndaj tij, qoftë nga një rënie ekonomike, qoftë nga zbulimet të tjera për Rusinë apo thjesht nga dezertimi i disa aleatëve kyç.

Kur mbështetja për një udhëheqës jopopullor fillon të plasaritet, mund të shkërmoqet

Para se të arrijmë në si-në e heqjes së Trump-it, megjithatë, dëshiroj të shpenzoj pak më shumë kohë te pse-ja – sepse edhe të flasësh për heqjen e një presidenti të zgjedhur duhet të ndodhë vetëm në rrethana ekstreme. Për fat të keq, vendi tani është kaq i polarizuar sa që një bisedë e tillë ndodh me çdo president. Të dy George W. Bush dhe Barack Obama ishin objekt i thirrjeve të pakujdesshme për heqjen e tyre, nga anëtarët e Kongresit për më tepër.

Pra, le të jemi të qartë. Ideologjia e Trump-it nuk është një shkelje për ta hequr. Sado të mos pajtoheni me politikën e taksave të Trump-it – dhe unë nuk pajtohem në mënyrë kategorike – nuk është arsye për ta larguar atë nga detyra. Dhe as nuk janë përpjekjet e tij për të ulur sigurimin shëndetësor qeveritar ose për të deportuar emigrantët pa dokumente. Çështje të tilla, ndër të tjera, janë çështje legjitime të luftës demokratike që vendosen nga zgjedhjet, debatet legjislative, protestat dhe mjetet e tjera normale të demokracisë. Këto çështje nuk janë “tradhtia, rryshfeti apo krime të tjera të mëdha dhe kundravajtjet ligjore”, të cilat baballarët e kombit kishin si qëllim që të adresonte kërkesa për shkarkim.

Megjithatë, ata gjithashtu nuk synonin që heqja e një presidenti të ishte e pamundur. Ata këmbëngulën për përfshirjen e një klauzole për shkarkimin në Kushtetutë, sepse ata e kuptonin se një person i paaftë apo i korruptuar, megjithatë, herë pas here. kishte gjasa të arrinte zyrën e lartë Dhe ata e kuptonin sa shumë dëm mund të shkaktonte një person i tillë. Vendi kishte nevojë për një mënyrë që të adresonte atë që Aleksandër Hamilton e quajti “abuzimi apo shkelja e besimit publik” dhe James Madison e quajti “paaftësinë, neglizhencën ose poshtërsinë” e një presidenti.

Neglizhenca dhe poshtërsia e Presidentit Trump – krimet e tij të mëdha dhe kundravajtjet ligjore – mund të ndahen në katër kategori. Kjo listë është konservatore. Nuk përfshin mundësinë që fushata e tij koordinoi strategjinë me Rusinë, gjë e cila mbetet e papërcaktuar. Ajo gjithashtu nuk përfshin qasjen e tij dembele në punë, si refuzimi nga ana e tij për të lexuar materiale informuese ose orët e shumta boshe në programin e tij. Përkundrazi, ajo fokusohet në mënyra të demonstrueshme se si ai ka shkelur ligjin ose ka shkelur betimin e tij kushtetues.

Trump ka përdorur presidencën për pasurim personal.

Pavarësisht nga partia, paraardhësit e Trump ndërmorën hapa të hollësishme për të ndarë interesat e tyre financiare nga përgjegjësitë e tyre qeverisëse. Ata nxorën deklaratat e tyre tatimore, në mënyrë që çdo konflikt i mundshëm të ishte publik. Ata i vendosën pasuritë e tyre në një trust të mbyllur, për të mos ditur se si mund të ndikojnë politikat e tyre në investimet e tyre.

Trump-i, përkundrazi, e ka trajtuar presidencën si një mundësi promovimi. Ai ka vazhduar të ketë në pronësi dhe të promovojë Organizatën Trump. Ai ka kaluar më shumë se 200 ditë në një nga pronat e tij dhe faturoi qindra mijëra dollarë te taksapaguesit.

Nëse ky model do të ishte thjesht korrupsion i vogël, pa dëmtuar interesin kombëtar, ndoshta nuk do të justifikonte largimin nga detyra. Por përqendrimi i Trump-it te fitimi personal duket se po ndikon politikat. Më shqetësues është fakti se zyrtarët e huaj dhe të tjerë kanë kuptuar se mund të kenë favore nga presidenti duke shpenzuar para në një nga pronat e tij.

Arabia Saudite ka favorizuar bizneset e Organizatës Trump dhe Trump-i ka qëndruar pranë Sauditëve pavarësisht lufta brutale të tyre në Jemen dhe vrasjen nga ata të një kritiku të shquar. Një kompani në pronësi të qeverisë kineze njoftohet se i ka dhënë një hua prej 500 milionë dollarësh një projekti të mbështetur nga Trump-i në Indonezi; dy ditë më vonë, Trump-i njoftoi se ai ishte duke hequr sanksionet nga një tjetër kompani kineze.

Këta shembuj dhe shumë të tjerë nuk përputhen me nenin 1 të Kushtetutës, që u ndalon mbajtësve të posteve federale të pranojnë “shpërblime” nga ndonjë vend i huaj, përveçse kur Kongresi e miraton marrëveshjen.

Pastaj, sigurisht, është Rusia. Edhe para se Robert Mueller-i, avokati i posaçëm, të përfundojë hetimin e tij, faktet e njohura janë mjaft të dëmshme në të paktën një mënyrë. Trump gënjeu popullin amerikan gjatë fushatës së 2016 rreth negociatave të biznesit midis kompanisë së tij dhe qeverisë së Vladimir Putinit. Si president, Trump-i ka ndërmarrë hapa – në Evropë dhe në Siri – që janë në dobi të Putinit. Për ta thënë troç: Presidenti i Shteteve të Bashkuara gënjeu vendin për marrëdhëniet e tij tregtare me një qeveri të huaj armiqësore ndaj të cilës ai ka një politikë të çuditshme ndihmuese.

Kombino veprimet e Trump-it me tolerancën e tij ndaj zyrtarëve joetikë të kabinetit – përfshirë ata që kanë bërë tregti të dyshimta, pranojnë përfitime bujare ose qeverinë e përdorur për të promovuar kompanitë e tyre ose ato të miqve të tyre– dhe administrata e Trump-it është pothuajse me siguri më e korruptuara në historinë amerikane.

Trump ka shkelur ligjin për financimin e fushatës.

Prokurorët federalë në Nju Jork paraqitën dokumente muajin e kaluar që pretendojnë se Trump-i – i identifikuar si Individi-1 – drejtoi një plan kriminal për t’iu shmangur ligjeve të financimit të fushatës. Kjo ndodhi gjatë javëve të fundit të fushatës së 2016, kur ai e udhëzoi avokatin e tij, Michael Cohen, t’u paguante 280,000 dollarë për të heshtur dy gra me të cilat Trump dukshëm kishte afera. Trump-i dhe fushata e tij nuk i zbuluan këto pagesa, siç kërkohet me ligj. Në dy vitet e fundit, Trump-i ka gënjyer publikisht për to – fillimisht duke thënë se ai nuk dinte për pagesat, vetëm për të ndryshuar historinë e tij më vonë.

Duhet pranuar se shumica e shkeljeve mbi financimin e fushatës nuk garantojnë largimin nga detyra. Por këto pagesa nuk ishin si shumica e shkeljeve mbi financimin e fushatës. Ato përfshinin pagesa të mëdha sekrete në javët e fundit të një fushate presidenciale që, sipas prokurorëve, “mashtruan publikun votues”. Serioziteti i mashtrimit është me sa duket arsyeja që prokurorët ngritën akuza penale kundër Cohen-it, dhe nuk kërkuan dënimin më të zakonshëm të gjobave civile për shkelje të financimit të fushatës.

Çfarë duhet të ndodhë me një president që fitoi postin me ndihmën e sjelljes kriminale? Baballarët e kombit në mënyrë specifike e konsideruan këtë mundësi gjatë debateve të tyre në Konventën Kushtetuese. Përgjigja më e drejtpërdrejtë erdhi nga George Mason: Një president që “praktikoi korrupsionin dhe me këtë mënyrë siguroi emërimin e tij në postin më të lartë” duhet t’i nënshtrohet kërkesës për shkarkim.

Trump-i ka penguar drejtësinë.

Çfarëdo që Mueller zbulon në fund të fundit në lidhje me marrëdhënien midis fushatës së Trump-it dhe Rusisë, Trump-i ka penguar drejtësinë që të mbajë Mueller-in dhe të tjerët larg të vërtetës.

Në mënyrë të përsëritur, Trump-i ka ndërhyrë me hetimin në mënyra që mund të shkelin ligjin dhe në mënyrë të qartë shkelin standardet shumëvjeçare të sjelljes presidenciale. Ai i bëri presion James Comey-t, atëherë drejtor i F.B.I.-së, për të hedhur poshtë hetimin e Rusisë, si një favor politik. Kur Comey refuzoi, Trump-i e shkarkoi. Trump-i gjithashtu vazhdimisht i bëri presion Jeff Sessions-it, Avokatit të Përgjithshëm, për të ndaluar hetimet dhe në fund të fundit detyroi Sessions-in të jepte dorëheqjen për shkak se nuk e bëri këtë. Trump-i gjithashtu ka kërcënuar publikisht disa nga ekspertët kryesorë të qeverisë mbi krimin e organizuar rus, duke përfshirë Andrew McCabe-n dhe Bruce Ohr-in.

Dhe Trump-i ka gënjyer popullin amerikan në mënyrë të përsëritur. Ai ka pretenduar, në mënyrë të turpshme, se Departamenti i Drejtësisë u thotë dëshmitarëve të gënjejnë në këmbim të zbutjes së dënimit. Ai ka hedhur poshtë, pa baza faktike, gjetjet e shumë agjencive të inteligjencës lidhur me rolin e Rusisë në fushatën e 2016. Thuhet se ka ndihmuar djalin e tij, Donald Trump Jr, të hartojë një deklaratë të rreme për një takim të vitit 2016 me një avokat rus.

Pengimi i drejtësisë sigurisht është që bazë për heqjen e një presidenti. Ishte objekti i nenit të parë të shkarkimit për Niksonin të miratuar nga Komisioni i Gjyqësorit të Kongresit. Ndër të tjera, ky artikull e akuzoi atë për bërjen e “deklaratave publike të rreme ose mashtruese me qëllim mashtrimin të njerëzve të Shteteve të Bashkuara”.

Trump ka përmbysur demokracinë.

Kushtetuta për të cilën Trump-i u betua se do respektojë rrotullohet rreth kontrolleve dhe balancave. Mbështetet në idenë se presidenti nuk është monark. Ai është një qytetar për të cilin, si të gjithë qytetarët e tjerë, zbatohen ligjet e vendit. Trump-i e kundërshton këtë parim. Përkundrazi, ai ka tentuar të minojë besimin e çdo burimi të pavarur të pushtetit apo informacionit që nuk i shërben interesave të tij.

Është shumë më tepër sesa thjesht hetimi i Rusisë. Ai është përpjekur t’u heqë autoritetin gjyqtarëve federalë në bazë të përkatësisë etnike ose presidentit që i ka emëruar, duke marrë një vërejtje të rrallë nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts. Trump-i ka kritikuar Departamentin e Drejtësisë për akuzimin e politikanëve republikanë gjatë një viti zgjedhjesh. Ai ka bërë thirrje që Comey, Hillary Clinton dhe kundërshtarët të tjerë politikë të tij të burgosen.

Trump i ka përshkruar gazetarët si “armikun e popullit” – një fyerje që zakonisht ngrihet nga autokratët. Ai ka hedhur poshtë gjetjet themelore faktike nga C.I.A.,

Zyra e Buxhetit të Kongresit, shkencëtarët hulumtues dhe të tjerë. Ai ka thënë gënjeshtra të guximshme rreth mashtrimit në zgjedhje.

Në mënyrë individuale, këto mëkate mund të mos duket se meritojnë largimin e tij nga detyra. Sidoqoftë, në mënyrë kolektive, ato kanë pasoja të tmerrshme në shoqërinë amerikane. Ata i bëjnë njerëzit të humbasin besimin mbi të cilin varet një demokraci – besimi te zgjedhjet, te sistemi i drejtësisë, në nocionin themelor të së vërtetës.

Asnjë president tjetër që nga Niksoni nuk është përfshirë në sjellje të përafërta me ato të Trump-it. Për t’i pranuar ato pa sanksione do të thotë t’i miratosh ato. Sado e pakëndshme është largimi i një presidenti, kostot dhe rreziqet e një presidence të vazhduar të Trump-it janë më keq.

Po tani?

Precedenti më i rëndësishëm për heqjen e Trump-it nga detyra është Niksoni, i vetmi president amerikan që u largua nga detyra për shkak të sjelljes së tij. Dhe dy aspekte të largimit të Niksonit kanë tendencën që të shpërfillen sot. Një, ai kurrë nuk u shkarkua. Dy, shumica e republikanëve – si votuesit dhe elitat – e mbështetën atë deri në fund. Vlerësimi i tij i miratimit mes republikanëve ishte ende rreth 50 përqind kur, duke kuptuar në verën e vitit 1974 se kishte marrë fund, ai dha dorëheqjen.

Dinamikat aktuale politike kanë disa ngjashmëri. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve, nën kontrollin Demokratik, shkarkon Trump-in nuk është pyetja madhore. Çështja është nëse ai humb mbështetjen e një pjese të rëndësishme të republikanëve.

Unë e di se shumë nga kritikët e Trump kanë hequr dorë duke shpresuar se kjo do ndodhë. Ata supozojnë se senatorët republikanë do të vazhdojnë ta kritikojnë me raste, pa u përballur me të. Por është gabim të heqësh dorë. Aksionet janë shumë të mëdha – dhe gjasat për sukses janë shumë reale.

Merrni në konsideratë përshkrimet e mëposhtme të Trump: “tmerrësisht i papërshtatshëm”; “i çoroditur”; “i pamatur”; “i rrëmbyer”; “i paqëndrueshëm”; “gënjeshtar patologjik”; “i rrezikshëm për një demokraci”; një shqetësim për “këdo që interesohet për kombin tonë”. Secili nga këto përshkrime vijnë nga një anëtar republikan i Kongresit ose nga vetë administrata e Trump-it.

Ata e dinë. Ata e dinë se është i papërshtatshëm për postin. Ata nuk kanë nevojë të binden për të vërtetën. Ata duhet të binden që të veprojnë në bazë të saj.

Demokratët nuk do t’i bindin ata duke akuzuar Trump-in. Duke vepruar kështu, ndoshta do të mblidhte përkrahësit e presidentit. Kjo do të zhvendoste fokusin nga sjellja e Trump-it drejt një grupi udhëheqësish demokratë, të cilët republikanët kurrë nuk do t’i pëlqejnë. Një qasje më e mençur është një seri dëgjesash me mendje të kthjellët për të nxjerrë në pah sjelljen e keqe të Trump-it. Demokratët duhet të përqëndrohen në çështje lehtësisht të kuptueshme që kanë më shumë gjasa të shqetësojnë përkrahësit e Trump, si korrupsioni.

Nëse kjo qasje funksionon – ose nëse gjetjet e Mueller-it ndryshojnë opinionin, ose nëse lind një problem i veçantë, si ekonomia – aleatët republikanë të Trump do ta gjejnë veten në një pozicion shumë të vështirë. Në vlerësimin e tanishëm të miratimit prej rreth 40 përqind, republikanët dështuan në zgjedhjete mes-mandatit. Nëse vlerësimi i tij do të binte më tej, një numër i konsiderueshëm republikanësh në Kongres do të kishin pak shance të rizgjidheshin në vitin 2020.

Dy shembuj janë Cory Gardner i Kolorados dhe Susan Collins e Majnit, senatorë të cilët, jo rastësisht, kanë treguar shenja paraprake të përçarjes me Trump-in për mbylljen e qeverisë. Kritikat e fundit nga Mitt Romney – që alternon midis kritikave dhe servilizmit, në varësi të interesave të tija politike – është një tjetër shenjë e dobësisë së Trump-it.

Tani për tani, shumica e republikanëve shqetësohen se një ndarje e plotë nga Trump-i do t’i bëjë ata të humbasin zgjedhjet dhe mund të ndodhë. Por ta mbështesësh nga ai nuk është e lehtë. Mjaft të pyesni 27 kandidatët republikanë të cilët u mposhtën vitin e kaluar dhe tani janë ish-anëtarë të Kongresit. Bindshëm, votuesit në periferi dhe votuesit më të rinj e shohin Trump-in si të neveritshëm. Partia Republikane duhet të mbajë bazën te këta votuesve, duke filluar nga 2020.

Nuk është vetëm fakti që Trump-i nuk është i aftë të jetë president dhe republikanët e dinë këtë. Gjithashtu mund të jetë rasti që ata së shpejti do të kenë interes politik për ta braktisur. Nëse e kanë, fundi mund të vijë me shpejtësi. Dhoma pastaj mund të fajësojë Trump-in, duke e ditur se Senati mund të veprojë për ta dënuar. Ose mund të fillojnë negociatat nëse Trump-i meriton të shkëmbejë dorëheqjen me një variant të imunitetit.

Së fundmi, ka shpresë – sado naive që mund të duket – se disa republikanë do të zgjedhin të veprojnë mbi parimet. Tani ekziston një klub i vogël i ish-zyrtarëve të administratës Trump, të cilët ishin gjerësisht të respektuar para se të bashkoheshin me administratën dhe të cilët Trump-i i ka njollosur, në shkallë të ndryshme. Në të përfshihen Rex Tillerson, Gary Cohn, H.R. McMaster dhe Jim Mattis. Imagjinoni sikur njëri prej tyre të japë një intervistë televizive dhe të thotë të vërtetën rreth Trump-it. Të bënin këtë do të ishte një shërbim për vendin e tyre në një kohë të nevojës kombëtare. Do të ishte një ilustrim i detyrës.

Gjatë gjithë karrierës së tij, Trump-i ka punuar fort që të krijojë realitetin e tij dhe ka pasur sukses të madh. Kjo e ka bërë shumë të pasur dhe, përkundër të gjitha shanseve, e bëri president. Por çfarëdo që të ndodhë në vitin 2019, versioni i tij i rremë i realitetit nuk do t’i mbijetojë historisë, ashtu siç nuk e bëri Niksoni. Në cilën anë të historisë duan të jenë republikanët e sotëm?. Tema

@tn.lajmelokale
@tetovanews