Ballina Aktualitet Rajoni Hahn ofron zgjidhje për çështjen e tregtisë mes Beogradit dhe Prishtinë

Hahn ofron zgjidhje për çështjen e tregtisë mes Beogradit dhe Prishtinë

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, deklaroi se ka ofruar zgjidhje për çështjen e tregtisë mes Beogradit dhe Prishtinës dhe se po pret përgjigjen nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë.

Komisionari Hahn, në një intervistë për televizionin N1, ka thënë se në Forumin Ekonomik të Davosit, ka biseduar me presidentët Thaçi dhe Vuçiç dhe se në detaje i ka njoftuar me propozimin e tij.

“Propozova që të bashkërendohen të gjitha çështjet përkatëse tregtare që kanë të bëjnë me Serbinë dhe Kosovën. Unë jam i gatshëm që ta drejtoj këtë bisedë dhe kjo do të ishte bazë për të supozuar që është i mundur vazhdimi i dialogut i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini “, -tha Hahn.

Komisionari Hahn në këtë intervistë tha gjithashtu se Thaçi dhe Vuçiç e kuptuan propozimin e tij dhe ditëve në vazhdim pret përgjigjen e tyre pozitive.

Ai shtoi se besonte se problemi mund të zgjidhej dhe se “dialogu i Serbisë dhe Kosovës mund të vazhdojë deri në fund të vitit”.

Serbia nuk po e vazhdon dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovën derisa autoritetet në Prishtinë të shfuqizojnë vendimin për tarifën 100 përqind për mallrat serbe.

Qeveria e Kosovës nuk po e shfuqizon masën pasi po kërkon njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja i kanë kërkuar disa herë autoriteteve në Prishtinë, shfuqizimin e tarifës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës./REL

@tn.lajmelokale
@tetovanews