Ballina Bota Analiza Opozita shqiptare në Maqedoni e gatshme për mejdan

Opozita shqiptare në Maqedoni e gatshme për mejdan

Është i mundur bojkot i zgjedhjeve presidenciale në rast se kryeministri Zoran Zaev refuzon të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale. Ky është një nga opsionet e plasuara në opinion nga ana e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, sekretari i së cilës, Igor Janushev, ka deklaruar se bojkoti i zgjedhjeve presidenciale nëse nuk mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, është vetëm njëri nga opsionet e para të VMRO-së. Ai ka thënë se në lojë janë edhe më shumë opsione, por fillimisht do të presin përgjigje nga LSDM-ja, shkruan gazeta KOHA.

“Ky është një opsion. Për momentin të gjitha opsionet janë të hapura. Të shohim se si pushteti do ti përgjigjet kërkesës sonë për zgjedhje të parakohshme”, thonë nga VMRO-DPMNE. Ndërsa, nga LSDM thonë se kërcënimet e opozitës për bojkot të mundshëm të zgjedhjeve presidenciale, kur kreu i VMRO-së paralajmëron fitore në maratonën për shef të shtetit, është kontradiktore.

Thonë se kanë zgjidhje edhe për këtë në rast se ndodh kështu, duke aluduar në paralajmërimet e Qeverisë se nuk përjashtohet mundësia që presidenti të zgjidhjet në Parlament, duke bërë ndryshime të reja kushtetuese. Nga LSDM kanë konfirmuar se propozimi i VMRO-së është shumë serioz dhe se ato po e shqyrtojnë me seriozitetin më të madh. Gazeta KOHA mëson se Këshilli qendror i LSDM-së do të diskutojë për këtë çështje më 23 janar, në mbledhjen e radhës. Por, a do t’i përmbush Zaevi dëshirën Mickoskit, burime të larta pranë LSDM-së thonë se mundësitë janë të vogla, por se asgjë nuk është pamundur. Po nga LSDM brifojnë se dilema për këtë çështje ka edhe në vet udhëheqësin e LSDM-së, edhe pse pjesa më e madhe janë kundër, për shkak të faktit se do të ballafaqohen me kritika të ashpra nga Komisioni Evropian (KE), të cilët presin reforma urgjente, me theks të veçantë në ligjet që duhet të miratohen me dy të tretat e votave. Arsyeja e dytë është që BDI është kundër zgjedhjeve.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), thonë se skenari më i keq i mundshëm për Maqedoninë është nëse gjatë kësaj periudhe, në vend se në reforma të cilat janë kyçe për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në, vendi të fokusohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Plotësisht do të humbet kohë me zgjedhjen e qeverisë teknike, sipas modelit të Përzhinosë, e ajo nuk do të mund të ketë mandat as 100 ditë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë një skenarë i keq për Maqedoninë për arsye se do të ngecet me reformat e me këtë – koklavitet procesi eurointegrues”, thonë nga BDI. Ndërkaq, opozita shqiptare ka qëndrime të kundërta me ato të BDI-së. Thonë se janë të gatshëm të garojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Vendi pas ndryshimeve kushtetuese duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale sepse ky format i Qeverisë, ku bëjnë pjesë ministra dhe partnerë koalicioni që i kanë shërbyer regjimit të Gruevskit dhe e kishin izoluar vendin ndërkombëtarisht, nuk kanë kapacitete reformuese aq më tepër ti përmbushin kërkesat e BE, të cilat kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit ligjor, reformat ne gjyqësor, në arsim dhe në çdo segment tjetër të jetës politike, sepse ka shumë nga kabineti i Zaevit që vet janë target e Prokurorisë Publike Speciale, madje si duket e pengojnë edhe sistemin e drejtësisë në procesuimin e lëndëve qe ajo tash më i ka pjesë të hetimit”, deklaroi për gazetën KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët.

Por, nga Lëvizja BESA thonë se janë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak se para vetes, Maqedonia ka një interes më madhor, integrimin në NATO dhe BE, vendimi duhet të jetë gjithpërfshirës. “Ne në aspektin partiak jemi të gatshëm dhe do të kishim dashur që zgjedhje të parakohshme të ketë menjëherë, mirëpo sa i përket çështjeve të interesit më të madh pasi që kemi të bëjmë me një proces që është integrimi në NATO dhe BE, duhet të vlerësojmë të gjithë aktorët politik bashkërisht se cili është aspekti më i mirë për të realizuar këto çështje, të marrim ulëse në NATO dhe pas kësaj të mendojmë për çështje të tjera”, tha Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.

Që zgjedhje të parakohshme parlamentare të mbahen bashkë me ato presidenciale menjëherë pasi Parlamenti i Maqedonisë i votojë ndryshimet kushtetuese, ka kërkuar lideri i VMRO-DPMNE-së,Hristijan Mickoski. Nga ana tjetër, lidhur me këto dilema zgjedhjesh, ka reaguar edhe eurokomisari Johanes Han, i cili vlerëson se tanimë është koha e reformave e jo për zgjedhje të parakohshme.

“Kontesti për emrin nuk është kushti i vetëm për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe fokusi duhet të jetë tani ndaj reformave dhe jo ndaj zgjedhjeve të mundshme të parakohshme”, ka deklaruar Han. Edhe analistët kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare e kanë cilësuar si të logjikshme, por kohën kur po lansohet kjo kërkesë – sipas tyre, është e gabuar. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), është deklaruar se është i gatshëm që të realizojë procesin e zgjedhjeve presidenciale, dhe të cilat do të kushtojnë 5 milionë euro. Përndryshe, në vitin 2014 kur së bashku me zgjedhjet presidenciale u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare, nga arka e shtetit u shpenzuan 8 milionë euro. Sipas të dhënave që u plasuan, 6 milionë euro u harxhuan vetëm për zgjedhjet presidenciale, të cilat harxhime u arsyetuan se janë më të mëdha sesa për zgjedhjet parlamentare me arsyetimin se në zgjedhjet presidenciale organizohen dy raunde zgjedhore.

Ndryshe, shqyrtohet mundësia që raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të mbahen më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj, ndërsa zgjedhjet të shpallen brenda datës 8 shkurt duke u respektuar kështu korniza ligjore, deklaroi dje në pres konferencë kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi. Kjo, siç theksoi ai do të ishte në pajtim me Kodin Zgjedhor, lidhur me afatet kohore që duhet të respektohen, respektivisht jo më shumë se 90 ditë dhe jo më pak se 70 ditë nga shpallja e zgjedhjeve deri në ditën e mbajtjes së tyre. Mandati i shefit të shtetit Gjorge Ivanov përfundon më 12 maj. Zgjedhjet presidenciale, theksoi Xhaferi, fillimisht ishin planifikuar që të mbahen më 14 prill, ndërsa i dyti më 28 prill, por duke marrë parasysh atë se më 28 prill janë Pashkët, është bërë zhvendosje e datave. (koha.mk)