Ballina Bota Pasi fitoi luftën, Assad po rehabilitohet

Pasi fitoi luftën, Assad po rehabilitohet

Bashar Al – Assad është drejt zyrtarizimit të fitores së luftës në Siri, qoftë asaj civile, qoftë asaj me sponsorizuesit e huaj që tentuan ta rrëzojnë. Associated Press raporton se shumica e vendeve arabe që deri më tani i kishin vënë bllokadë dhe madje kishin hedhur miliarda për ta rrëzuar nga pushteti, po rishikojnë mundësinë e hapjes së ambasadave në Damask së bashku me linjat ajrore deri më tani të ndërprera.

Si arsye për këtë lëvizje jepet fakti i thjeshtë se Assad fitoi dhe me fitmtarin janë të detyruar të gjithë të merren vesh. Miliarda dollarë të hedhur shkuan dëm, pa arritjen e objektivit, por me kosto të jashtëzakonshme njerëzore. Nga ana tjetër vende arabe nuk dëshirojnë që aktorë krysorë në Siri të jetë Irani dhe Turqia që janë rivalë kryesorë gjeopolitikë me arabët dhe vende që kanë ambicie imperiale. Kësaj i do shtuar edhe fakti se tashmë Siria do të rindërtohet dhe kontratat miliardashe që do të nënshkruhen nuk janë për t’u nëvleftësuar.

Pas tërheqjes së njoftuar të amerikanëve, mendohet se Assad do të mëshojë drejt kapjes së territorit të tyre në verilindje për të lënë në duart e rebelëve vetëm veriperëndimin. Ndërkohë që figura e tij në Siri mund të përvijohet drejt asaj të një heroi që ndaloi ndarjen e vendit, në botën arabe rehabilitimi i tij është i pashmangshëm. Bëhet fjalë kryesisht për vendet e Gjirit pasi p.sh Libani, Iraku dhe Algjeria kanë mbajtur përherë lidhje diplomatike.

Me Assadin duket se mbyllet kapitulli i fundit i projektit të Pranverës Arabe e cila nisi si valë demonstratash për demokraci dhe mesa duket përfundoi në dështim dhe gjakderdhje: asgjë nuk ndryshoi në Tunizi, Libia u shkatërrua dhe është në prag kolapsi, ndërkohë që Egjipti iu rikthye diktaturës ushtarake të stilit të Mobarakut. Sa për Sirinë, ajo përjetoi 500 mijë të vrarë dhe miliona të shpërngulur me një fitore që duket se shkon në llogarinë e myslimanëve shiitë.

Artikulli paraprakTemperatura 16 gradë nën zero mëngjesin e sotëm në Tetovë
Artikulli tjetërErdogani kundër artistëve, birrës dhe Moxartit