Ballina Kronika Banorët e fshatrave të Strugës në hall të madh nga hajdutët, ata...

Banorët e fshatrave të Strugës në hall të madh nga hajdutët, ata kërkojnë ar dhe para, vjedhin teknikën e bardhë, shkatërrojnë gjithçka nëpër shtëpi…

Banorët e disa fshatrave të Strugës jetojnë me frikë dhe stres për muaj me radhë, sepse shtëpitë e tyre çdo ditë vizitohen nga hajdutët. Nga dhjetori e deri më tani kanë ndodhur mbi 100 vjedhje në Frëngovë, Shum, Radolishtë dhe Teferiç. Banda e panjohur e hajdutëve operon çdo mbrëmje mesatarisht në 4-5 shtëpi, kurse objektivi kryesor janë shtëpitë e mërgimtarëve që janë të mbyllura deri në verë.

Vjedhësit janë në kërkim të arit dhe parave, ndërsa kur nuk gjejnë asgjë, marrin teknikën e bardhë dhe shkatërrojnë gjithçka brenda shtëpisë. Për shkak se janë të frikësuar për sigurinë e tyre, kurse organet kompetente nuk ndërmarrin asgjë, qytetarët kanë marrë situatën në duart e tyre dhe bëjnë kujdestari para shtëpive. Por kjo nuk është zgjidhje, thonë ata, transmeton Tetova News.

Kanë njoftuar edhe policinë, por ajo as pas dy muajve nuk ia ka dalë të zbulojë se kush qëndron pas këtyre vjedhjeve, edhe pse disa herë hajdutët u filmuan nga kamerat e sigurisë dhe pamjet filmike iu janë dorëzuar inspektorëve. Banorët kërkojnë më shumë patrulla të policisë të kujdesen për sigurinë e fshatrave të tyre, ose do të dalin të protestojnë, sepse kështu nuk jetohet, thonë ata.

Nga SPB -Ohër informojnë se janë të njoftuar për të gjitha vjedhjet në fshatrat e Strugës, janë ndërmarrë masat adekuate, disa ekipe operojnë në terren, por deri më tani nuk ka informacione konkrete për identitetin e vjedhësve. Në koluaret e fshatrave ka disa teori se kush mund të jenë vjedhësit, po banorët janë të bindur se ata veprojnë në grup, po nuk janë të sigurtë se a janë nga rrethina apo vijnë nga Shqipëria./TetovaNews

@tn.lajmelokale
@tetovanews