Ballina Sport Kupa e Italisë/ Strakosha heroi i Lacios, eliminon Interin! (VIDEO)

Kupa e Italisë/ Strakosha heroi i Lacios, eliminon Interin! (VIDEO)

Çerekfinalet e Kupës së Italisë janë shënjuar nga paraqitjet fantastike të lojtarëve shqiptarë. Pas Atalantës së Etrit Berishës dhe Berat Gjimshitit, që eliminuan Juventusin një natë më parë falë dhe një paraqitjeje të shkëlqyer të lojtarëve kuqezi, radhën për t’u ngjitur në katedër e pati Tomas Strakosha.

Strakosha ishte heroi i Lacios, që eliminoi Interin pas ekzekutimit të penalltive. Koha e rregullt prej 90 minutash përfundoi me rrjeta të paprekura, pavarësisht rasteve të mira për shënim nga të dyja skuadrat. Në shtesën prej 30 minutas, Imobile jep iluzionin e kualifikimit me golin e tij të minutës së 108-të.

Gjithsesi Interi do të shpresojë deri në fund dhe në minutën e 120-të, do të fitojë një 11 metërsh, të cilin do ta marrë përsipër në ekzekutim kapiteni Mauro Ikardi. Argjentinasi do të ekzekutojë saktë, ndonëse Strakosha i shkon shumë pranë ndalimit të goditjes.

Kështu do të duhet ruleta e penalltive për të përcaktuar skuadrën që do të kalojë në gjysmëfinale dhe këtu Strakosha vendos të bëhet vendimtar. Fillimisht do të presë penalltinë e dytë të ekzekutuar nga Lautaro Martinez, ndërsa më pas do të presë penalltinë e fundit të gjuajtur nga Raxha Naingolan, teksa do t’i japë mundësinë Lukas Leivës të shënojë golin e kualifikimit.

Leiva nuk gabon dhe Lacio shënon kështu penalltinë vendimtare, që e lejon të vazhdojë më tej drejt gjysmëfinaleve, aty ku e pret Milani, i cili u kualifikua të martën pasi eliminoi Napolin./bw

https://youtu.be/J4RG-MGzfXI