Ballina Bota Takimi Trump-Kim përfundon pa marrëveshje

Takimi Trump-Kim përfundon pa marrëveshje

Tryeza ishte shtruar për drekën në hotelin Metropole dhe një ceremoni ishte përgatitur për Presidentin amerikan Donald Trump dhe udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong Un për nënshkrimin e marrëveshjeve. Por të dyja u anuluan me nxitim të enjten paradite, duke mbyllur para kohe takimin e dytë të nivelit të lartë nga udhëheqësit e dy vendeve.

“Gjithmonë duhet të jesh i përgatitur që të ikësh. Mund të kisha nënshkruar diçka sot. Në fakt i kishim gati dokumentat për të nënshkruar”, tha Presidenti Trump.

Ai shtoi se Kim donte që të hiqeshin sanksionet plotësisht dhe tha në një konferencë për shtyp në Hanoi pasi dështuan bisedimet se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta bënin një gjë të tillë.

“Ata ishin të gatshëm të çnuklearizonin një pjesë të madhe të zonave që donim ne, por ne nuk mund të hiqnim dorë nga sanksionet për një gjë të tillë”, tha zoti Trump.

Ai tha se kishin diskutuar për çmontimin e konpleksit bërthamor të Yongbyonit, por një çështje që e komplikoi gjendjen ishte një kompleks tjetër për pasurimin e uraniumit.

Kim, sipas Presidentit Trump, kishte premtuar gjatë darkës një natë më herët se Koreja e Veriut, nuk do të kryente më prova bërthamore ose me raketa.

Presidenti i cilësoi bisedimet në Hanoi si “produktive” dhe tha se mendonte se të dyja palët do të arrinin një marrëveshje me kalimin e kohës për çnuklearizimin e Koresë së Veriut.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, Presidenti Trump tha se nuk kishte premtuar një takim të tretë me Kimin. Ai la gjithashtu të kuptohet se Koreja e Veriut, nuk do të ndëshkohet për mungesën e përparimit.

“Nuk dua të flas për shtimin e sanksioneve. Ato janë të forta”, tha zoti Trump.

Seuli u shpreh me keqardhje për përfundimin pa marrëveshje të takimit.

“Është për të ardhur keq që nuk u arrit një marrëveshje e plotë mes Presidentit Donald Trump dhe kryetarit Kim Jong Un. Njëkohësisht, e vërteta është se kemi përparim më shumë se kurrë më parë,” shprehej në një deklaratë zëdhënësi i Presidentit koreano-jugor, Moon Jae-in, Kim Eul-kyeom.

Gjatë bisedimeve të enjten, si presidenti Trump, ashtu edhe kryetari Kim u shprehën pozitivisht për mundësinë e hapjes së një zyre amerikane në Phenian.

Gjatë bisedimeve të së enjtes, pati një arritje që në pamje të parë mund të duket e vogël, por është në fakt historike. Për herë të parë Kim Jong Un, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të huaj.

Përgjigjia ishte ndaj një pyetjeje të Washington Postit, nëse ai kishte besim se do të arrihej një marrëveshje.

Kim u përgjigj duke thënë se është shumë herët të thuash, por shtoi se kishte ndjesinë se do të kishte rezultate pozitive.

Megjithatë, rezultate të tilla duket se do të duhet të presin deri në një takim të ardhshëm mes dy udhëheqësve.

@tn.lajmelokale
@tetovanews