Ballina Bota Analiza ANALIZA: Politika e jashtme e çoroditur e Kosovës po armiqëson aleatët e...

ANALIZA: Politika e jashtme e çoroditur e Kosovës po armiqëson aleatët e saj

Nismat e paqarta dhe të keqmenduara të Kosovës në fushën e politikës së jashtme po testojnë durimin e partnerëve të saj më të rëndësishëm, paralajmërojnë ekspertët.

Nga Die Morina

Një numër i madh vizitash të larta diplomatike në ditët e fundit ka vënë presion të ri mbi Kosovën për të vazhduar bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja me Serbinë dhe për të anuluar tarifat hakmarrëse që ka vendosur për importet nga Serbia dhe Bosnja.

Vizitat theksojnë mënyrën sesi politika e jashtme e Kosovës po dëmton marrëdhëniet e saj me aleatin kryesor ndërkombëtar, SHBA-në, dhe po kërcënon gjithashtu marrëdhëniet me BE-në dhe Gjermaninë.

Nënsekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, David Hale, vizitoi Beogradin të premten dhe më pas Prishtinën gjatë fundjavës, për t’i nxitur të dy vendet të punojnë më shumë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre ende të tensionuara.

Hale u pasua nga dy këshilltarë të lartë të kancelares gjermane Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Luttenberg, të cilët u takuan me zyrtarët e Kosovës të hënën.

Burimet e qeverisë së Kosovës dhe mediat raportuan se të tre vizitorët ushtruan presion mbi Kosovën për të pezulluar taksat mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja të vendosura në fund të vitit të kaluar, të cilat shkelin dispozitat e marrëveshjes së Asociacionit të Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, CEFTA, pjesë e të cilit është Kosova.

Qeveria e Ramush Haradinajt vendosi tarifat pasi Interpoli hodhi poshtë kërkesën për anëtarësim të Kosovës, kryesisht falë lobimit nga ana e Serbisë.

Një zyrtar i lartë i qeverisë të mërkurën, duke folur për BIRN në kushte anonimiteti, tha nëse taksat nuk anulohen së shpejti, dialogu i udhëhequr nga BE-ja me Serbinë mund të ndalet plotësisht, “me mbështetjen e vendeve perëndimore”.

Pavarësisht presionit ndaj Kosovës nga aleatët e saj ndërkombëtarë dhe partnerët e koalicionit të qeverisë, kryeministri Haradinaj ka insistuar që taksa 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake do të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur.

Redaktori i gazetës kosovare Koha Ditore, Agron Bajrami, fajëson për këtë “ndërlikim të marrëdhënieve” me aleatët e huaj kryesisht ministrin e jashtëm Behgjet Pacolli.

“Nën secilin nga ministrat e jashtëm të mëparshëm, diplomacia e Kosovës u karakterizua nga politizimi, neglizhenca dhe improvizimi. Por, nën ministrin aktual, gjërat kanë rënë në një nivel akoma më të ulët,” tha Bajrami për BIRN.

Marrëdhëniet e jashtme më të këqija se kurre

Ekspertët thonë se Kosova po përballet me periudhën më të vështirë në çështjet e saj të jashtme që kur shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

Bajrami thotë se ky “degradim i diplomacisë sonë” pasqyrohet në përkeqësimin e marrëdhënieve me aleatët kryesorë perëndimorë dhe me faktin se asnjë vend i ri nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës që nga viti i kaluar.

Për t’i përkeqësuar akoma më shumë gjërat, disa vende të vogla, si Dominika, Surinami, Liberia, Sao Tome dhe Principe, Guinea-Bissau, Burundi, Papua Guinea e Re dhe Lesoto kanë tërhequr njohjet e tyre të mëparshme.

Sipas faqes së internetit të Ministrisë së Jashtme, rreth 116 nga 193 anëtarët e Kombeve të Bashkuara ende nuk e njohin Kosovën.

Lobimi serb dhe rus është përgjegjës për disa nga këto tërheqje të njohjes.

Por ekspertët dhe opozita kryesisht fajësojnë korrupsionin e zjarrtë dhe praninë e krimit të organizuar në Kosovë, kapacitetin e dobët të Ministrisë së Jashtme dhe përplasjet e vazhdueshme mes tre zyrtarëve më të fuqishëm të Kosovës, presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Haradinaj dhe ministrit të jashtëm Pacolli.

Një kombinim i këtyre faktorëve ka sjellë qëndrime të pakoordinuara, konfuze dhe madje kontradiktore në çështjet lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, thonë ata.

Një profesor i së drejtës ndërkombëtare në Prishtinë, Afrim Hoti, tha për BIRN se Kosova po përballet me një “dobësim të jashtëzakonshëm” të diplomacisë së saj.

“Presidenti, kryeministri dhe ministri i jashtëm nuk po sinkronizojnë veprimet e tyre,” tha Hoti.

Ai fajëson “mungesën e një strategjie të qartë shtetërore për të forcuar shërbimin tonë të huaj”, fuqinë lobuese të Serbisë dhe mbi të gjitha ministrin e jashtëm.

“Ministri mund të ketë kontakte dhe marrëdhënie me botën, por jam i bindur se ai nuk ka asnjë ide se si funksionon diplomacia,” tha Hoti për BIRN.

Një deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Vjosa Osmani, tha se problemet e kohëve të fundit duhet të ishin kundërshtuar nga aktiviteti diplomatik i forcuar.

“Por ajo që kemi parë është një rrëmujë institucionale në çështjet që ndikojnë në politikën e jashtme,” tha ajo.

Osmani dhe Fitore Pacolli, një deputete për partinë opozitare Vetëvendosja, gjithashtu fajësojnë konfuzionin e politikës për mbështetjen e presidentit Thaçi për një “korrigjim kufitar” të mundshëm me Serbinë.

“Është e vështirë të bindësh vendet të njohin Kosovën kur vetë aktorët e brendshëm politik kontestojnë kufijtë e vendit tonë,” tha Osmani.

“Marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e tjera tani janë në pikën më të ulët që kur ajo shpalli pavarësinë,” tha Osmani.

Pacolli tha se kjo rënie në qëndrimin e Kosovës e kishte inkurajuar Serbinë të intensifikonte “fushatën e saj kundër Kosovës”.

“Ajo që solli Kosovën në këtë situatë është gatishmëria e presidentit Thaçi për kompromise që bien në kundërshtim me qëndrimet e shteteve mike që e kanë njohur Kosovën,” tha ajo për BIRN.

Një mundësi e dytë fatlume në Interpol?

Pengesa e fundit më e madhe e politikës së jashtme ndodhi në nëntgor të vitit të kaluar, kur Kosova nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme për t’u bashkuar me Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, Interpol.

Duke fajësuar Serbinë, në shenjë hakmarrje, qeveria vendosi një taksë prej 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina – e cila gjithashtu nuk e njeh Kosovën.

Kjo shkaktoi një reagim të ashpër nga të dy vendet, por akoma më shumë nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Në dhjetor, ministri i jashtëm Pacolli e përkeqësoi akoma më shumë situatën kur ai përdori një gjuhë që u pa si seksiste dhe raciste kur përshkruante se si Serbia kishte lobuar me sukses kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organ ndërkombëtar policor.

Pacolli u shpreh se Serbia kishte dërguar “gra të veshura mirë” në samitin e Interpolit për të përqafuar përfaqësuesit “e zinj” të shteteve anëtare të Interpolit.

Pavarësisht dështimit të nëntorit të kaluar, Kosova ka vendosur ta provojë edhe një herë aplikimin për anëtarësim, vetëm pak muaj më vonë.

Pa siguruar ndonjë mbështetje më të përkushtuar, Kosova paraqiti një kërkesë të re për t’u anëtarësuar në Interpol në shkurt, që shumë ekspertë druhen se do të ketë të njëjtin fat si herën e parë.

Ndërkohë, lufta tregtare e Kosovës kundër Serbisë dhe Bosnjës kërcënon jo vetëm të dëmtojë kërkesën e saj të radhës për anëtarësim në Interpol, por edhe marrëdhëniet e saj më të gjera me aleatët e saj kryesorë si SHBA-ja, BE-ja dhe Gjermania.

Të tre kanë kërkuar që Kosova të heqë taksat doganore sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pasi Haradinaj e hodhi poshtë këtë kërkesë në janar, përgjigja e SHBA-së ishte më e ashpër se kurrë.

Në një letër dërguar më 12 shkurt Haradinajt, Thaçit dhe kryetarit të kuvendit Kadri Veseli, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer, Zv/Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes, Laura Cooper, dhe John Erath, Drejtori kryesor për Çështjet Europiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, e akuzuan së bashku se po përçmon Uashingtonin.

“Pas të gjitha atyre që kemi bërë së bashku, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq pak sa të shpërfillë këshillat tona,” u ankuan ata.

“Këto veprime dëmtojnë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të vazhduar bashkëpunimin me ju në një gamë të gjerë objektivash të përbashkëta,” shtoi letra.

Amerika tani po “shqyrton me kujdes në aspekte të tjera të bashkëpunimit tonë dhe shikon nëse edhe ato duhet të kufizohen,” paralajmëruan ata.

Shtetet e Bashkuara që prej asaj kohe kanë anuluar një vizitë të planifikuar nga Gjenerali i Gardës Kombëtare Ajouas, Timothy Orr.

Megjithatë, pavarësisht fluksit të kërcënimeve dhe paralajmërimeve nga zyrtarët e SHBA-së, BE-së dhe Gjermanisë, Kosova mbetet e fokusuar në atë që ndoshta do të jetë një tjetër përpjekje e kotë për të hyrë në Interpol.

Hoti tha se nuk ka asgjë të keqe në Kosovë që të aplikojë përsëri për t’iu bashkuar Interpolit apo Kombeve të Bashkuara – por jo pas një kohe kaq të shkurtër dhe jo para se të ketë bërë punën në terren për të siguruar mbështetje shtesë ndërkombëtare për kauzën e saj.

“Po flasim për procese në vazhdim, për të cilat duhet të jemi shumë të kujdesshëm,” tha Hoti.

Fitore Pacolli thotë se mënyra sesi Kosova e trajtoi aplikimin e mëparshëm për anëtarësim në Interpol jo vetëm që nuk arriti të siguronte anëtarësimin, por “dobësoi shumë rastin e Kosovës për pranim në aplikimin e ardhshëm”.

Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj tha për TV T7 të hënën se aplikimi për anëtarësim në Interpol duhet të ishte trajtuar ndryshe, me shumë më tepër lobim me dyer të mbyllura.

“Asnjë vend serioz në botë nuk kërkon të anëtarësohet në një organizatë si Interpoli në lajmet kryesore ditore,” tha ai.

Hoxha tha se para se të paraqiste kërkesën e saj të dytë për t’u bashkuar me Interpolin, qeveria duhet të kishte bërë analizë të detajuar të asaj që shkoi keq në aplikimin e parë, krahas rekomandimeve konkrete se çfarë duhet bërë për të ndryshuar qëndrimet e vendeve anëtare për të siguruar vota të mjaftueshme.

Në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Kosova gëzonte mbështetjen e SHBA-së dhe disa vende të tjera perëndimore.

Por ky entuziazëm fillestar u konsumua nga grindjet e vazhdueshme politike të Kosovës, të cilat kanë dëmtuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kanë penguar reformat e tjera kyçe për të cilat këmbëngulin aktorët perëndimorë.

Parashikimi i Bajramit është i zymtë. “Problemi është se institucionet tona nuk duan të pranojnë gabimet e mëdha që kanë bërë, kështu që gjasat për të parë një përmirësim pothuajse nuk ekzistojnë,” tha ai.

Opozita thotë se shërbimi diplomatik ka nevojë për njerëz më profesionalë dhe duhet të bëhet bërë më shumë punë bilaterale me vendet mbështetjen e të cilave Kosova e kërkon.

“Ne kemi nevojë për një koordinim më të ngushtë me shtetet miqësore, sidomos me ata që na kanë njohur, sepse në rastin e Interpolit dhe gjithashtu në atë të UNESCO-s, pati vende që nuk votuan pro Kosovës edhe pse ata e kanë njohur atë,” vuri në dukje Osmani.

BIRN i kërkoi zyrës së ministrit të jashtëm Pacolli t’i përgjigje këtyre kritikave, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit.(reporter.al)

@tn.lajmelokale
@tetovanews