Ballina Sport Me Behramin kapiten, Udinese bën Milanin të “harrojë” si fitohet

Me Behramin kapiten, Udinese bën Milanin të “harrojë” si fitohet

Për të tretën javë me radhë Milani nuk ia del të fitojë, teksa mbrëmjen e sotme nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Udineses në “San Siro”, rezultat ky që komplikon rrugëtimin për një vend në zonën Champions.

Për këtë sfidë Gattuso kishte preferuar të ndryshojë skemë, duke luajtur me Cutronen dhe Piatek në majë të sulmit dhe brazilianin Paqueta pas tyre, ndërsa në stol kishin përfunduar Suso dhe Rodriguez.

Megjithatë që në fillim u duk se nuk do të ishte një mbrëmje aspak e mirë për kuqezinjtë, pasi në minutën e 12’ u dëmtua Donnarumma, i cili u zëvendësua nga Reina, ndërsa në të 41-tën ishte braziliani Paqueta që nuk mund të vijonte më dhe i la vendin Castillejos.

Por pavarësisht këtyre problemeve, një veprim i bukur i Cutrones në anësore dhe krosimi më pas në zonë për Piatek, bëri që Milani të kalojë në avantazh, ndërsa sulmuesi polak të rikthehet te goli që i mungonte prej dy ndeshjesh.

Momenti më vendimtar i ndeshjes ishte në minutën e 65-të, kur kuqezinjtë ishin shumë pranë dyfishimit të avantazhit, por ndërhyrja e portierit të Udineses shpëtoi portën e friulianëve, të cilët nisën një kundërsulm të shpejtë me 3 pasime dhe barazuan me golin e shënuar nga Lasagna.

Minutat në vijim sollën disa mundësi shënimi për Milanin, por të besuarit e Gattusos nuk ia dolën të thyejnë më prapavijën bardhezi dhe u detyruan të pranojnë vetëm një pikë, në një sfidë ku duhej të bënin shumë më tepër se kaq.

@tn.lajmelokale
@tetovanews