Ballina Bota Analiza ANALIZA: Pesë gabimet e Theresa May

ANALIZA: Pesë gabimet e Theresa May

Britanikët janë pa dyshim të mendimit se Brexit është një sfidë kolosale, por me një sërë gabimesh strategjike të identifikuara këto vitet e fundit, kryeministrja britanike, Theresa May e ka bërë këtë detyrë edhe më të vështirë.

Nxitim

Në pushtet që nga korriku i 2016, pak pas referendumit për qëndrimin në BE, më 23 qershor 2016, liderja konservatore u vu para një presioni të madh për të aktivizuar nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, që parashikon një afat dy vjeçar për të vënë në zbatim largimin nga BE-ja.

Ajo e nis këtë mision në mars të 2017, gjë që në retrospektivë duket një afat shumë i shkurtër për të ndërmarrë një operacion kaq kompleks, pa një strategji negociatash të qarta apo të mbështetura nga partia e saj dhe deputetët britanikë.

Rezultati: Liderja u detyrua të shtyjë divorcin me 31 tetor 2019, fillimisht i planifikuar për në 29 mars, për të shmangur një dalje pa marrëveshje, skenari që i druheshim më shumë  rrethet e biznesit.

Negociata sfilitëse

”Duke nisur numërimin mbrapsht të procesit të daljes dhe duke shfaqur gatishmërinë e saj për të arritur një marrëveshje me Brukselin, Theresa May që në fillim i dha përparësi europianëve në negociata”, shprehen shumë analistë të politikës në Britaninë e Madhe.

Ajo përcaktoi ndër të tjera linjat e kuqe, daljen nga bashkimi doganor dhe tregu i përbashkët, një çështje që ajo iu rikthye sërish, më konkretisht me pranimin e “backstop”.

Kjo dispozitë e kërkesës së fundit parashikon në fakt qëndrimin e Britanisë së Madhe në një bashkim doganor për të shmangur një kufi fizik ndërmjet Republikës së Irlandës (Shteti Anëtar i BE-së) dhe Provincës Britanike të Irlandës së Veriut dhe ka qenë shkaku i pjesës më të madhe të kundërshtimit të marrëveshjes nga ana e deputetëve.

Zgjedhje të dështuara

Liderja njoftoi organizimin në qershor të 2017, tre vjet para datës së caktuar, zgjedhje parlamentare me synimin për të forcuar pozitën e saj dhe finalizuar Brexit, e mbështetur nga sondazhet të cilat premtonin një fitore të bujshme.

Zgjedhjet ishin një dështim i plotë. Pas një fushate të dobët, ajo humbet shumicën e saj absolute, dhe i duhet të zbusë versionin e saj të Brexit, dhe mbi të gjitha të krijojë aleancë me partinë e vogël unioniste të Irlandës së Veriut DUP.

Mungesë negocimi

Pavarësisht humbjes në zgjedhjet parlamentare, Theresa May nuk e sheh të arsyeshme për të përfshirë partitë e tjera britanike  në momentin e nisjes së negociatave me Brukselin, një disavantazh që në nisje për të pasur shansin për miratimin e marrëveshjes.

Iu desh të priste refuzimin e tretë, në fund të marsit, të tekstit të arritur me BE-në që të niste bisedimet me Laburistët e Jeremy Corbyn.

Shumë vonë, dështimi i fundit i bisedimeve në mes të majit nxorri në pah “dobësinë” e kryeministres, fati i të cilës tashmë ishte vulosur.

Komunikim katastrofik

Theresa May nuk diti të gjejë fjalët e duhura për të përkrahur vizionin e saj të Brexit, në një vend me ndasi të thella.

Ndërsa ana e saj profesionale ishte në fillim një formë sigurie për britanikët e çorientuar nga largimi nga BE-ja, personaliteti i tij i rezervuar arriti deri aty sa iu vu edhe pseudonimi ‘’May robotja’’.

“Brexit nënkupton Brexit”, përsëriste ajo gjatë muajve të parë të mandatit të saj, një refren që duket se mishëronte vendosmërinë e saj për të përmbushur misionin e daljes nga BE-ja, por që përfundoi me një tingull të mekur.

”Duke e mbyllur me argumentin se një divorc pa marrëveshje është më mirë se një marrëveshje e keqe”, ajo sulmoi një pjesë të opinionit britanik, si dhe rrethet e biznesit.

Ajo i bëri armiq deputetët me akuzat si përgjegjës për bllokimin në Parlament, duke i denoncuar ata për “lojëra politike “./ATSH-AFP/

@tn.lajmelokale
@tetovanews