Enver Robelli
Ajo nuk ishte në rendin e parë të kandidatëve për t’u bërë kryetare e Komisionit Europian.
Por pas samitit dramatik në Bruksel, ku të gjithë emrat që qarkullonin, nuk gjetën mbështetje, si me magji u shfaq emri i Ursula von der Leyen.
Franca e refuzoi kandidaturën e gjermanit Manfred Weber me arsyetimin se nuk ka përvojë në poste udhëheqëse.
Shtetet anëtare të BE-së nga pjesa lindore e Europës hodhën poshtë kandidaturën e holandezi Frans Timmermans.
Si nënkryetar i deritanishëm i Komisionit Europian ai ka qenë kritik i ashpër i tendencave autoritare në vendet lindore të BE-së dhe ka inicuar procedurat hetimore kundër tyre për shkak të shkeljes së rregullave të sundimit të ligjit. Kështu mbeti një emër për të marrë postin më të rëndësishëm në BE.
Kush është Ursula von der Leyen?
Ajo është mjeke me profesion, anëtare e kryesisë së CDU-së, partisë së kancelares Angela Merkel dhe aktualisht ministre e Mbrojtjes.
Si e tillë ajo ka qenë në shënjestër të kritikave për shkak të gjendjes jo aq të mirë të Bundeswehrit, ushtrisë gjermane.
Mediat e kanë kritikuar për vështirësi në menaxhimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ursula von der Leyen është nënë e 7 fëmijëve.
Që nga viti 1986 është e martuar me mjekun Heiko von der Leyen.
Ajo përshkruhet si ambicioze, këmbëngulëse dhe luftarake për idetë e saj.
Në skenën e madhe të politikës gjermane Ursula von der Leyen hyri në vitin 2005, kur në kabinetin e parë të kancelares Merkel u bë ministre e çështjeve familjare.
Pjesërisht edhe kundër rezistencës së partisë së saj ajo ndikoi në hapjen e sa më shumë çerdheve për fëmijë dhe modernizoi në përgjithësi politikat gjermane ndaj familjeve, përfshirë edhe ndihmat financiare për prindër.
«Pa Angela Merkelin nuk do ta kisha arritur këtë. Ajo me instinktin e saj vërejti se idetë e mia prekin nervin e kohës», ka thënë von der Leyen në një intervistë në vitin 2010.
Nga viti 2009 deri më 2013 ishte ministre për çështje të punës dhe sociale.
Von der Leyen pritet të fitojë besimin e Parlamentit Europian për postin e shefes së Komisionit Europian.
Kthimi i saj në Bruksel është kthim në një qytet të njohur: von der Leyen u lind më 1958 në kryeqytetin e Belgjikës dhe të BE-së, ku babai i saj Ernst Albrecht deri më 1971 ishte zyrtar i lartë i Bashkësisë Europiane, siç quhej atëherë BE e sotme. Ajo flet rrjedhshëm anglisht dhe frëngjisht.