Ballina Bota Analiza Çfarë i parapriu emërimit të Richard Grenell si i dërguar i posaçëm...

Çfarë i parapriu emërimit të Richard Grenell si i dërguar i posaçëm i Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi?

Nga një takim në dhjetor të vitit të kaluar në Berlin mes Hashim Thaçit dhe Richard Grenellit deri te emërimi i këtij të fundit si emisar i Shtëpisë së Bardhë për negociatat kosovaro-serbe – ose: si u bë Amerika me dy emisarë (Matthew Palmer dhe Richard Grenell) dhe pa politikë koherente ndaj Kosovës?

Nga Enver Robelli

Çfarë i parapriu emërimit të Richard Grenellit si i dërguar i posaçëm i Donald Trumpit për bisedimet Kosovë-Serbi? Mjafton të lexohet gazeta «Washington Post» e 6 janarit të këtij viti, ku tregohej se presidenti i Kosovës (Hashim Thaçi) muajin e kaluar (fjala është për dhjetorin e vitit 2018) bëri një vizitë të paparalajmëruar në Berlin, ku e takoi Richard Grenell-in, ambasadorin e Donald Trumpit në Gjermani. «Washington Post» njoftonte se Thaçi kishte premtuar të heq tarifat ndëshkuese ndaj mallrave serbe:

«Jam i gatshëm t’i heq tarifat nëse kësisoj hapet rruga e qartë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë». Në dhjetor të vitit të kaluar nga Shtëpia e Bardhë kishte ardhur një letër e nënshkruar nga Donald Trumpi dhe sipas të gjitha gjasave e shkruar nga këshilltari i atëhershëm për siguri nacionale, John Bolton, ku palëve u premtohej se marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë presidentët e dy vendeve do ta nënshkruanin në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë. Një mundësi e tillë e ka elektrizuar Thaçin, i cili kështu shpreson që edhe njëherë të shfaqet në skenën e politikës së madhe dhe kësisoj – kjo është shpresa e tij kryesore – të sigurojë imunitet nga Gjy*kata Speciale.

Emërimi i Richard Grenell-it, i cili nga mediat gjermane konsiderohet si ambasadori më i dobët që ka pasur Amerika në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore, me sa duket është një përpjekje e re për të kthyer në tavolinën e negociatava temën e «korrigjimit të kufijve» të Kosovës. Janë futur shumë para te lobistë të të gjitha anëve që me çdo kusht të arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë.

Si do të duket ajo marrëveshje? Çfarë dihet është se presidenti i Kosovës ka negociuar me kolegun e tij serb që Beogradi të marrë një pjesë të mirë të veriut të Kosovës, ndërsa Kosova disa fshatra në brezin kufitar në Luginën e Preshevës. Presidenti serb hyn në negociata të reja me këtë reultat të arritur me Thaçin dhe Vuçiq nuk do të shohë arsye të tërhiqet.

Emërimi i Richard Grenellit është edhe një shuplakë ndaj Gjermanisë dhe veçanërisht kancelares Angela Merkel, e cila ka kundërshtuar ndryshimin e kufijve të Kosovës. Merkel ka një raport të distancuar me Grenellin, i cili sa i përket mesazheve e britmave në Twitter shpesh është i krahasueshëm me shefin e tij. Sipas revistës DER SPIEGEL mentori kryesor dhe partneri i tij më i ngushtë në Shtëpinë e Bardhë ka qenë John Boltoni, të cilin Trump e largoi nga posti i Këshilltarit për Siguri Nacionale për shkak të mospajtimeve lidhur me Iranin. Bolton ka qenë përkrahës i «korrigjimit të kufijve» të Kosovës.

Me largimin e Boltonit nuk vdiq edhe kjo ide, siç po shihet me emërimin e Grenellit. Trump është një president që po ballafaqohet me procedurë shkarkimi, ndërsa dëshiron të kandidojë në zgjedhjet presidenciale pas një viti. Atij i duhet një sukses në arenën ndërkombëtare dhe si sukses mendon ta shesë edhe një zgjidhje dosido të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse gjatë këtij synimi ai ia del t’i lë anash europianët, e sidomos Angela Merkelin, atëherë – edhe më mirë, sipas këndvështrimit të tij. Kësisoj Kosova po rrezikon të bëhet pjesë e mospajtimeve mes Trumpit dhe europianëve, ndonëse në Europë me Austrinë dhe Francën janë dy shtete që janë të hapura për eksperimente me kufij. Më i zëshmi është Sebastian Kurzi i Austrisë, partia e së cilit në zgjedhjet e fundit është krenuar shumë që Kurzin e ka përkrahur edhe Aleksandër Vuçiqi.

Emërimi i Richard Grenell vjen një muaj pas emërimit të Matthew Palmer-it si emisar për Ballkan i Departamentit të Shtetit. Thënë më së buti kjo tregon mungesën e koherencës në politikën e jashtme amerikane, por kjo nuk është befasi e madhe, sepse nëse Trump nuk ka respekt për diçka, atëherë ato janë institucinionet, rregullat, ekspertiza. Cili do të jetë roli i Palmerit dhe cili i Grenellit? A do të jetë Grenell përgjegjës për pazarin mes Thaçit dhe Vuçiqit, ndërsa Palmer do të flasë më shumë në përgjithësi për Ballkanin pa pasur rol vendimmarrës? Grenell është një adhurues i verbër i Trumpit. «Mendoj se është përparësi e madhe për Trumpin që nuk mund të thuhet paraprakisht se në çfarë drejtimi shkon» – kështu e ka cituar Grenellin DER SPIEGEL.

Diplomacia amerikane në Gjermani sigurisht ka pasur ditë më të mira se nën Grenellin, sidomos kur mendohet se ambasador në Bonn kanë qenë Richard Holbrooke dhe John Kornblum. Ambasadori i Barack Obamës në Berlin, Phi­lip Mur­phy, kur u largua më 2016 kishte aq shumë miq, saqë qe i shtyrë të marrë me qira stadiumin olimpik të Berlinit për ndejën e tij lamtumirëse.

Grenell nuk njeh aq rregulla diplomatike. Për Hillary Clintonin njëherë ka shkruar se po duket gjithnjë e më shumë si Madeleine Albright. Për këtë ka kërkuar falje. Nëse ka pasur ndonjë simpati për të në Berlin, ai i ka humbur ato më së voni kur shkroi në Twitter se «firmat gjermane që punojnë në Iran duhet menjëherë t’u japin fund bizneseve të tyre». Këtë e bëri pasi Trump hodhi në ajër marrëveshjen bërthamore me Iranin, të arritur pas përpjekjeve shumëvjeçare të europianëve dhe adminsitratës së Obamës.

Tre politikanë në Europë i pëlqejnë Grenellit. Ata janë: ministri gjerman i shëndetësisë Jens Spahn, kancelari austriak Sebastian Kurz dhe shefi i liberalëve gjermanë Christian Lindner. Që të tre shquhen më shumë për shitje të politikës koservatore me metoda të marketingut. Përmbajtja nuk është me rëndësi. Jens Spahn ka pasur ambicie të bëhet shef i CDU-së, partisë së kancelares Merkel. Sipas DER SPIEGEL Grenell ia ka organizuar Spahnit një takim me Boltonin në Shtëpinë e Bardhë. Në Berlin jo pak politikanë e kanë parë këtë takim me zemërim dhe si përpjekje për të sabotuar Merkelin, sepse në politikën gjermane nuk është e zakonshme që ministri i Shëndetësisë të takohet me këshilltarin për siguri nacionale të presidentit amerikan.

Pas ardhjes së Grenellit në Berlin ai shpesh shihej në ndeja private me Jens Spahnin (të dy jetojnë hapur si homoseksualë me partnerët e tyre). Pas kritikave të shtypit gjerman, Spahn i ka reduktuar ekspozimet në opinion dhe ndeja me Grenellin. Ambasadori amerikan në Berlin ka deklaruar se synim i tij është të përkrahë konservatorët në Europë. Cilët janë ata? Ata që kundërshtojnë Angela Merkelin dhe demokracitë liberale. Grenell nuk e ka pasur nderin ta pret Merkel në zyrën e saj në Kanzleramt. Emërimi i Grenell i vë nën presion europianët, të cilët tepër gjatë kanë shikuar indiferent ndaj Ballkanit ose e kanë toleruar Federica Mogherinin dhe Johannes Hahnin të hidhen në aventura politike me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiqin. Me pasojat e këtyre aventurave do të detyrohet të merret edhe qeveria e ardhshme e Kosovës.

@tn.lajmelokale
@tetovanews