Ballina Bota Coca-Cola, ndotësi më i madh me plastikë në botë

Coca-Cola, ndotësi më i madh me plastikë në botë

Coca-Cola është për herë të dytë rresht në krye të markave që kanë ndotur më shumë mjedisin. Raporti është hartuar nga lëvizja “Çlirohu nga plastika” (Break Free From Plastic).

Auditi global është kryer brenda një dite nga 72 mijë vullnetarë, të cilët kanë kryer 184 aksione pastrimi në plazhe, kanale dhe rrugë, në 50 vende nga 6 kontinente. Raporti “Identifikimi i korporatave më të mëdha ndotëse me plastikë” ka renditur 10 kompanitë e mëdha që ndotin më shumë.

Në krye të listës qëndron Coca-Cola, e ndjekur nga Nestlé dhe Pepsi. Më pas vijojnë Mondelēz International, Unilever, Mars, P&G, Colgate-Palmolive, Phillip Morris dhe Perfetti Van Melle.

Në Europë, ndotësit më të mëdhenj janë Coca Cola, Pepsi dhe Heineken, ndërsa në Amerikën e Veriut kryesojnë Nestle, Solo Cup Company dhe Starbucks.

“Raporti siguron prova të tjera që ngrenë domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës së ndotjes plastike që ata vetë kanë krijuar. Insistimi i tyre te paketimi plastik njëpërdorimësh përkthehet në hedhjen e sasive më të mëdha plastike në mjedis. Riciklimi nuk do ta zgjidhë këtë problem.

Rreth 1 800 organizata anëtare “Break Free from Plastic” u bëjnë thirrje korporatave që urgjentisht të zvogëlojnë prodhimin e ambalazheve plastike me një përdorim dhe të gjejnë zgjidhje inovative që përqendrohen në sisteme alternative të cilat nuk krijojnë ndotje“, thotë Von Hernandez, koordinatori global i lëvizjes “Breakout Free From Plastic”.

Sipas raportit, kompanitë me nivelin më të madh të ndotjes – Coca-Cola, Nestlé dhe PepsiCo – kanë ofruar zgjidhje kryesisht false për krizën e plastikës, si zëvendësimi i plastikës me letër apo bioplastikë dhe mbështetja te një sistem riciklimi global që nuk funksionon mirë.

Produktet dhe ambalazhet e markave si Coca-Cola, Nestlé dhe PepsiCo po e dëmtojnë sistemin e riciklimit. Kina ka ndaluar në mënyrë efektive importin e mbetjeve nga SHBA-të dhe vende të tjera që eksportojnë për qëllime riciklimi.

Vende të tjera po ndjekin shembullin e saj. Plastika po digjet në inceneratorë në të gjithë botën, duke i ekspozuar komunitetet ndaj ndotjes toksike. (TemA TV)

@tn.lajmelokale
@tetovanews