Ballina Bota Greqia përfshihet nga moti i keq, dy persona humbin jetën. Mbyllen shkollat...

Greqia përfshihet nga moti i keq, dy persona humbin jetën. Mbyllen shkollat dhe rrugët (FOTO+VIDEO)

Greqia është përfshirë mbrëmjen e kaluar nga një stuhi me shira rrëmbyese, erëra të forta dhe ulje temperature.

Stuhia e pagëzuar me emrin “Gironis”, ka shkaktuar mjaft dëme në kryeqytetin grek, në Atikën perëndimore, në zonën Korinthia, por edhe në Greqinë veriore, e në disa zona të Maqedonisë.

Gazeta greke “Kathimerini” shkruan se shkollat në Atikë do të qëndrojnë të mbyllura të hënën për shkak të problemeve të shkaktuara nga stuhia, që ka sjellë edhe vdekjen e dy personave në Antirrio.

Të dy ishin në një varkë të vogël që u përmbys.

Në kryeqytetin grek dhe gjithë periferinë e Atikës, është dhënë urdhër të mos funksionojnë shkollat e kopshtet deri në orën 10.00 kur pritet një urdhër i dytë, pas edicionit të meteorologëve dhe inspektimit të situatës. Probleme kishte edhe në Selanik, ku gjithashtu janë mbyllur shkollat.

Sekretaria e Përgjithshme e Mbrojtjes së Qytetarit paralajmëron se edhe dita e sotme do të jetë e rrezikshme, pasi stuhia do të vazhdojë kalimin mbi zona të tjera të vendit.

Nga shirat e rrëmbyer dhe vërshimi i detit është bllokuar rruga Nacionale e re dhe e vjetër Athinë-Korinth, akoma nuk është i mundur qarkullimi.

27 persona kanë rrezikuar jetën dhe janë evakuuar nga zjarrfikësit, kur shtëpitë e tyre janë rrënuar nga shirat e furishëm.

@tn.lajmelokale
@tetovanews