Goli i parë i Matthijs de Ligt me Juventusin i ka dhënë fitoren 1-0 bardhezinjve në derbin ndaj Torinos. Qendërmbrojtësi i blerë për 80 milionë euro gjatë verës ka qenë sërish protagonist, një herë për një prekje me dorë brenda zonës, ndërsa herën e dytë për golin.
Gjatë një aksioni në zonën e miqve, topi ka shkuar në krahun e holandezit, por arbitri pasi është konsultuar me VAR, e ka cilësuar si pozicion natyral dhe nuk ka akorduar penallti.
Juventusi ka qenë ekipi që ka dominuar duke krijuar edhe shumë mundësi shënimi, por portieri Sirigu ka qenë në formën e jetës duke kapur çdo top që ka ardhur drejt tij.
Goli i kampionëve në fuqi ka ardhur në minutën e 70’ kur De Light ka dërguar topin në rrjetë pas pasimit të Higuain. Një fitore e merituar e Juves që e mbylli ndeshjen me 10 goditje në kuadrat.
Interi e shijoi vetëm pak orë kreun e renditjes pasi tani i ka hapur rrugën skuadrës së Sarri-t që ruan avantazhin e një pike ndaj zikaltërve.