Ballina Bota Trump sfidon demokratët për shkarkimin e tij: Dua një proces të menjëhershëm...

Trump sfidon demokratët për shkarkimin e tij: Dua një proces të menjëhershëm në senat

Kandidatët demokratë për Shtëpinë e Bardhë zhvilluan debatin e gjashtë dhe të fundit në Los Anxhelos. Ata mbajtën një qëndrim të përbashkët për sa i përket shkarkimit të presidentit amerikan Trump, por nuk kursyen akuzat as për njëri tjetrin

“Dua një process të menjëhershëm në Senat”. Është ky mesazhi i shkruar në Twitter nga presidenti amerikan Donald Trump duke iu referuar këmbënguljes së demokatëve për shkarkimin e tij.

Mbrëmjen e të enjtes ishte dhe debati i fundit mes kandidatëve demokratë për në Shtëpinë e Bardhë. Ish zëvendës presidenti amerikan Xho Bajden u shpreh se votimi për shkarkimin e Trump ishte një domosdoshmëri e kërkuar nga kushtetuta e cila do të risjellë integritetin në zyrën e presidencës.

Kreu i shtëpisë së bardhë nga ana e tij u shpreh se çështja e prezantuar nga demokratët është aq e sajuar sa ata vetë nuk duan një proces. Ndërsa kandidatët demokratë ishin të gjithë dakord për sa i përket shkarkimit të Trump.

Shtatë kandidatët demokratë për në shtëpinë e Bardhë, debatin e gjashtë dhe të fundit të vitit, u shprehën të bindur se vënia nën akuzë e presidentit ishte dicka e domosdoshme dhe një detyrë kushtetuese.

Por menjëherë pas shprehjes së këtij qëndrimi, të gjithë ishin kundër njeri tjetrit duke braktisur atë korrektësi politike që kishin në fillim.

Pas një pjese të parë të ngadaltë për sa i përket debateve, rivalët nisën sulmin. Në objektiv ishte sidomos Pete Butigieg, kryebashkiaku i Sauth Bend i cili po ecën përpara në sondazhe në Ajoua, shteti i parë që do të votojë në 3 shkurt.

Sulmi i parë erdhi nga Elizabet Uaren, e cila e kritikoi për mbledhjen e fondeve në një kantinë në pronësi të disa milarderëve duke pirë verë 900 dollarëshe.

Butigieg u mbrojt duke thënë se ishte i vetmi aty që nuk ishte as milioner dhe as miliarder, por ishte njeriu me më pak të ardhura në atë skenë.

Emi Klobukare, me një ton të vendosur i dha fund debatit duke thënë se nuk ndodhej aty për t’u marrë me këto gjëra. Por nga ana e saj ajo e akuzoi Butigieg për mungesë experience.

Ndërsa replika e tij ishte: Fitova si homoseksual në shtetin e Indianas të Majk Pens, që konsiderohet bastion i republikanëve.

Pa ndonjë gafë të vecantë apo tundime edhe Xho Bajden e kaloi testin e debatit duke u sjellë si rivali kryesor ashtu si dhe e nxjerrin sondazhet. Ai foli për bashkëpunim me republikanët pavarësish asaj që i kanë bërë familjes së tij së bashku me Trump.

Për Berni Sanders Tramp është një gënjeshtar patologjik. Senatori i Vermont nuk u shfaq në formë si herët e tjera.

Waren ishte më agresive se më parë, dhe atyre që i thanë se do të ishte presidentja e zgjedhur më e moshuar nëse do të fitonte, ajo u përgjigj se do të ishte dhe gruaja më e re që do të ishte zgjedhur ndonjëherë./abcnews.al