Analistët amerikanë Ilan Berman dhe Jason Brodsky thonë se vrasja e gjeneral Qassem Soleimanit ishte një goditje e rëndë për prestigjin e Iranit.
Për këtë arsye sipas tyre Irani ka të ngjarë të përgjigjet, por jo në një mënyrë që do të shkaktonte një përplasje të përgjithshme. Gjenerali iranian Qassem Soleimani u vra të premten pas një sulmi të forcave amerikane i urdhëruar nga Presidentit Donald Trump. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Hirsch sjell më shumë hollësi.
Sulmi ajror amerikan ka shkaktuar një “tërmet” që do të “ndjehet në të gjithë globin”, tha për Zërin e Amerikës Jason Brodsky, drejtor për politikat në organizatën Të Bashkuar Kundër Iranit Bërthamor.
“Qassem Soleimani nuk ishte thjesht një simbol. Ai gjithashtu kishte fuqi dhe autoritet thelbësor në Republikën Islamike. Ky simbolizëm erdhi pasi ai konsiderohej një dëshmor i gjallë nga udhëheqësi suprem i Iranit. Substanca e fuqisë së tij buronte vërtet nga autoriteti i tij për të ushtruar më shumë pushtet se sa lejonte posti i tij në Teheran. Ai nuk ishte vetëm komandant i forcave që përfaqësonin Iranin në rajon. Ai po ndërhynte edhe në politikën e brendshme të vendit”.
Si strateg i lartë ushtarak i Iranit dhe kreu i forcave elite Quds të Gardës Revolucionare, Soleimani ishte “fytyra e boshtit të rezistencës”, tha analisti Brodsky, duke shtuar se ishte “një lëvizje interesante e udhëheqësit suprem për të emëruar në këtë post zëvendësin e tij, gjeneral Esmail Qaani-n”.
Ilan Berman, nënpresident i Këshillit të Politikës së Jashtme Amerikane tha se vrasja e Soleimanit është “në të njëjtin nivel” me vrasjen e Bin Ladenit nga administrata e Presidentit Obama…dhe vrasjen e Al-Bagdadit nga administrata e Presidentit Trump.
“Përfshirja e Soleimanit në destabilizimin e rajonit, orkestrimin e drejtpërdrejtë dhe koordinimin e një sërë veprimesh terroriste në të gjithë rajonin është e njohur, sigurisht që ai njihet mirë nga qeveria amerikane. Mendoj se sulmi është një sinjal shumë i rëndësishëm se administrata e Presidentit Trump është e përgatitur për të saktësuar pasojat ndaj individëve si Soleimani që përfshihen në këto lloje veprimesh”.
Irani ka të ngjarë të përgjigjet, sepse vrasja e Soleimanit ishte një goditje e rëndë për prestigjin e vendit, thotë Berman, por në një mënyrë që nuk do të shkaktojë një përplasje të përgjithshme për shkak të forcës së ushtrisë amerikane dhe për shkak se regjimi iranian e di tashmë se Shtetet e Bashkuara e kanë seriozisht.
Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit Morgan Ortagus tha se Presidenti Trump “ishte përballur me një vendim të vështirë, që bazohej në pyetjen: a është Amerika më e sigurt me Qassem Soleimanin të vdekur apo të gjallë, dhe presidenti vendosi që bota ishte më e sigurt pa Soleimanin”.