Ballina Bota Analiza ANALIZA: Si do të hakmerret Irani në Gjirin Persik

ANALIZA: Si do të hakmerret Irani në Gjirin Persik

Tani pyetja është vetëm një: si dhe ku do të hakmerret Irani.  Deri më tani, reagimet kanë qenë politike. Teherani ka kërcënuar (dhe është betuar) për hakmarrje, dhe ka njoftuar se tani beson se të gjitha klauzolat e marrëveshjes për programin bërthamor janë të harruara, duke e çliruar veten nga ai pakt i shkelur tashmë nga Donald Trump.

Rreziku është shumë i lartë, por nga shumë anë, në Iran, besojnë se ka ardhur koha për të goditur Shtetet e Bashkuara me një veprim “ushtarak”, duke konfirmuar rrezikun e shprehur prej shumë analistëve dhe diplomatëve, që përshkallëzimi mund të ndikojë në interesat strategjike të SHBAnë Lindjen e Mesme, duke filluar pikërisht nga bazat ushtarake amerikane ose të aleatëve.

Nuk është një vendim i lehtë.  Goditja e një baze amerikane me rrezikun e vrasjes së ushtarëve të angazhuar jashtë vendit, do të nënkuptonte ardhjen e kundërpërgjigjes së SHBA për Iranin. Dhe me një president si Trump i cili nuk ka hezituar të vrasë Qasem Soleimanin, është e pamundur të mendohet se një sulm i tillë mund të “pranohet” nga Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni. Ka nga ata që besojnë se shpallja e rifillimit (de fakto) të programit bërthamor tashmë mund të jetë reagimi i Republikës Islamike: hipoteza që gjithashtu mund të shkaktojnë reagimin e Izraelit dhe aleatëve amerikanë në rajon, me rrezikun e një sulmi ndaj infrastrukturës iraniane të programit atomik (sulm kibernetik apo edhe me një bombë kirurgjikale). Por gjithashtu mund të supozohet se Teherani – në veçanti Pasdarani – mund të hakmerret për vdekjen e Soleimanit, duke u nisur nga zemra e sfidës midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit: Gjiri Persik.

Ngushtica e Hormuzit, një rrugëkalimi themelore për trafikun botëror të naftës, mund të jetë pika e parë në të cilën Irani mund të përqendrohet. Dhe shumëkush e mban mend krizën e naftës këtë verë, kur Garda e Revolucionit kapi disa kamionë nafte (përgjigje ndaj sekuestrimit prej Mbretërisë së Bashkuar, të një super-ngarkese iraniane në Gjibraltar), dhe kur Gjiri Persik ishte shndërruar në një front të vërtetë lufte mes sulmeve, rrëmbimeve dhe shpërthimeve pak a shumë misterioze.  Mundësia që Gjiri Persik (Deti Arabik për SHBA) mund të jetë përsëri skena e përplasjes, është i lartë.  Aq sa edhe H. I. Sutton, për Forbes, ka analizuar të paktën dhjetë mënyra me të cilat Irani mund të sulmonte cisterna nafte në Gjirin Persik, në përgjigje të asaj që ndodhi në Bagdad me vrasjen e shefit të forcave të Quds.

Irani ka të vendosur në Gjirin Persik një marinë të fuqishme, si dhe të dyfishtë. Në njërën anë ka atë shtetërore, Marinën Iraniane, trashëgimtare e asaj Persiane. Një doktrinë detare kundrejt oqeanit, nevoja për të mbajtur gjithmonë të hapur një rrugë drejt deteve dhe një lidhje të fortë, por më pak të drejtpërdrejtë me Revolucionin. Në anën tjetër ndodhet Marina e Pasdaranëve, e cila ka kontroll të plotë dhe monitoron Gjirin Persik, si dhe menaxhon një flotë që zhvillohet pothuajse ekskluzivisht si një forcë guerile detare: qindra motoskafë të saj mund të godasin befasisht  çdo anije apo flotë që udhëton nëpër rrugët detare të Gjirit. Dhe aftësia për t’u mbrojtur nga një sulm i njëkohshëm prej dhjetëra motoskafëve është shumë e vogël.

(Dy) marinat e Teheranit janë përqendruar për dekada në zhvillimin e aftësive guerile në ujëra të cekëta. Në pamundësi për të ngushtuar hendekun me armikun amerikan, alternativa ishte për ta transferuar konfliktin në fronte të tjera. Dhe kështu u bë. Flota e nëndetëseve është jashtëzakonisht e madhe, e përbërë nga anije të vogla por shumë reaguese, dhe mbi të gjitha të markës kombëtare.  Këtyre u shtohet klasa Kilo e shitur nga Moska dhe Fateh, një nëndetëse e prodhuar në Iran, e cila mund të nisë një raketë dukshëm më të fuqishme, se 14 nëndetëset Ghadir. Shumë besojnë se këto mund të përdoren nga Irani për të goditur cisternat e naftës, anijet tregtare, automjetet ushtarake, por edhe shënjestra që ndodhen përtej Gjirit, si puse, rafineri apo edhe baza amerikane ose aleatësh arabë.

Një taktikë tjetër që Irani mund të përdorë tani është ajo e anijeve eksplozive. Jo një strategji e kalibrit të vogël: Hothët, pararojë shiite në Jemen, kanë përdorur prej kohësh jo vetëm raketa nga pozicionet bregdetare, por edhe këto anije të vogla të shndërruara në bomba. Dhe marina iraniane ka qenë duke stërvitur për përdorimin e këtyre anijeve prej disa kohësh (me ose pa pilot), duke u praktikuar edhe për aeroplanmbajtëset amerikane (USS Truman ndodhet në zonë).

Hipotezë që Marina e Shteteve të Bashkuara po e mban nën kontroll, kjo edhe sepse duket se droni që nisi raketën kundër makinës së Soleimanit, u nis nga Al Udeidi, në Katar. Dhe është Gjiri që ndan bazat e Pasdaranëve nga pararoja amerikane. Por këto janë hipoteza që kanë të bëjnë edhe me një ngushticë tjetër të të njëjtit sektor: Bab el Mandeb.

Porti i Detit të Kuq konsiderohet si një nga objektivat e mundshëm të marinës iraniane, pasi ashtu si Hormuzi ai përfaqëson një shtysë për trafikun tregtar dhe naftën që shkon e vjen nga Mesdheu. Houthit ndodhen në bregdetin jemenas të Bab el Mandeb dhe menjëherë mund të ofrojnë baza për të goditur anijet që lundrojnë në ujërat midis Adenit dhe Detit të Kuq. Nuk është rastësi që Operacioni Sentinel i filluar nga SHBA për lirinë e lundrimit dhe Irani përfshin si Hormuzin, ashtu edhe ngushticën tjetër midis Afrikës dhe Gadishullit Arabik.

Raketa dhe varka shpërthyese kanë, por në atë rast Irani nuk do të mund të kapte cisterna nafte: një ide që në Teheran mund të konsiderohej me rrezik të ulët konflikti, por me një normë të lartë incidencash në tregun e arit të zi. Megjithëse objektivi që mendojnë në selinë e Pasdaran nuk duket të jetë ekskluzivisht ekonomik: pritet një përgjigje befasuese, veçanërisht nga segmentet më impulsive dhe të zemëruar. Hakmarrja për Soleimanin do të jetë më shumë sesa thjesht një rrëmbim. Por një bllokim detar në Hormuz do të ishte çështje tjetër. (InsideOver – Bota.al)

@tn.lajmelokale
@tetovanews