Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas sulmit me raketë në zonën e gjelbërt në Bagdad, ku ndodhet dhe ambasada e SHBA-së.
Trump bën një paralajmërim të fortë kundrejt Iranit, duke thënë se nëse Irani do të hakmerret duke sulmuar qoftë dhe një amerikan të vetëm apo një aset amerikan atëherë SHBA do të sulmojë 52 objekte të Iranit që përfaqësojnë 52 amerikanët e marrë peng nga Irani vite më parë.
Sipas Trump, sulmi për vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani u bë pasi ai kishte planifikuar të sulmonte ambasadën amerikane.
“Irani me guxim të madh thotë se ka në shënjestër disa asete të SHBA-së si hakmarrje për sulmin tonë ndaj liderit terrorist i cili vrau një amerikan dhe shumë të tjerë u plagosën rëndë, pa përmendur njerëz të tjerë që vrau gjatë jetës së tij përfshi dhe qindra protesues iranianë së fundmi. Ai tashmë po sulmonte ambasadën tonë dhe po përgatitej të godiste në disa lokalitete të tjera.”– shkruan Trump.
Më tej Trump bën paralajmërimin se SHBA nuk do më kërcënime dhe nëse Irani vret qoftë dhe një amerikan atëherë reagimi do të jetë shumë i ashpër.
“Irani nuk ka qenë asgjë vetëm problem për shumë vite. Le të shërbejë kjo si PARALAJMËRIM. Nëse Irani vret qoftë një amerikan apo sulmon nje aset të amerikanëve, ne kemi në shënjestër 52 site iraniane që përfaqësojnë 52 amerikanët e marrë peng nga Irani shumë vite më përpara. Disa nga këto site janë tepër të rëndësishme për Iranin, kulturën iraniane. Irani vetë do të GODITET SHUMË SHPEJT E SHUMË FUQISHËM. SHBA nuk do më kërcënime!”- përfundon presidenti amerikan.