Zyra e Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përmes një deklarate pas reagimit të mbrëmshëm të zyrtarëve të lartë amerikan, Richard Grenell dhe Mtthew Palmer. Në deklaratë vlerësohet ajo që kanë thënë amerikanët se nuk ka një “plan i fshehtë për ripërcaktim kufijsh dhe se i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as diskutuar një plan të tillë”. Qeveria në detyrë e kryesuar nga Albin Kurti thekson në fund të deklaratës se dialogu me Serbinë duhet të udhëhiqet nga qeveria, konkretisht nga Kryeministri dhe se duhet të rifillojë i përgatitur mirë.
Komunikata e plotë:
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës e vlerëson Deklaratën e Përbashkët nga i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer, dhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett, si rikonfirmim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë pranë popullit të Kosovës, dhe se ato mbështesin angazhimin e institucioneve tona shëndetësore për tejkalimin e situatës me COVID-19. Në të njëjtën kohë, thirrjet e tyre për t’u respektuar Kushtetuta, çmohen po aq lart.
Mbi çështjen e tarifës, me vendimin e Qeverisë së datës 20.03.2020 kemi bërë një hap të rëndësishëm duke liruar nga tarifa 100% produktet e lëndës së parë të cilat importohen nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Për Qeverinë në detyrë të Republikës së Kosovës është tejet i rëndësishëm fakti se në Deklaratën e Përbashkët thuhet se nuk ekziston një plan i fshehtë për ripërcaktim kufijsh dhe se i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as diskutuar një plan të tillë.
Kjo paraqet një mbështetje dhe inkurajim për Qeverinë në detyrë. Por, për ne thirrjet e vazhdueshme të Presidentëve Thaçi dhe Vuçiq (korrigjim kufijsh me kompromis të dhimbshëm, veriu si dhuratë e Rankoviqit, razgraničenje, etj.) vazhdojnë të jenë kërcënim, dhe që nga gushti i vitit 2018, ato janë përsëritur nga dy presidentët të cilët kanë vendosur lidhje të shkurtër me njëri-tjetrin pa ndërmjetësim ndërkombëtar.
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të udhëhiqet nga Qeveria, përkatësisht Kryeministri i Republikës së Kosovës, sipas parimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Dialogu duhet të rifillojë i përgatitur mirë, të ketë qëllim njohjen e ndërsjelltë si dy shtete sovrane dhe me integritet territorial, për marrëveshje të qëndrueshme si garant për normalizim të marrëdhënieve bilaterale dhe paqe e siguri në rajon.