Një drejtore e një klinike në Shkup është rasti i katërt i regjistruar me koronavirus në Maedoninë e Veriut. Drejtorja e Klinikës për sëmundje dermatologjike Nina Caca Biljanovska kishte qenë në Itali për një seminar. Ajo është në gjendje të qëndrueshme dhe nuk ka pasur kontakte me pacientë, siç njoftoi të hënën ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Mjekja ka bërë një listë me emra të të gjithë atyre me të cilët ka kontaktuar dhe autoritetet shëndetësore dhe ato të rendit po zbatojnë protokollin për të parë nëse dikush prej tyre mund të jetë i infektuar eventualisht për ta mbajtur të izoluar.
Ministri tha në një konferencë për gazetarët se po bëhen vlerësime mbi rrezikun në Klinikën e dermatologjisë ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e mbylljes së repartit ku punon mjekja Biljanovska dhe dërgimin në vetëizolim shtëpiak të personelit mjeksor.
Zoti Filipçe u shpreh mjaft i zhgënjyer për shkak të mosrepektimit të thirrjeve për t’u vetëizoluar pas çdo udhëtimi në rajonet e rrezikuara nga koronavirusi. Ai bëri të ditur se do të merren masa ndaj të gjithëve që nuk u përmbahen rekomandimeve dhe rrezikojnë shëndetin publik.
Gjatë fundjavës, një çift është pranuar në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup, me shenja të virusit. Burri dhe gruaja nga Dibra që ishin kthyer nga një vizitë në Italinë veriore kanë rezultuar pozitivë në analizat e mostrës për koronavirus. Ata kishin udhëtuar së bashku me rreth dyzet vetë të tjerë në autobus dhe autoritetet kanë gjetur ose janë në kërkim të të gjithë personave të cilët kishin qenë në atë autobus për të zbatuar masat e izolimit ndaj tyre.
Ndërkaq, pacientja e parë që u regjistrua me koronavirus në Maqedoninë e Veriut është në gjendje shumë të mirë dhe në fazë të shërimit, siç njoftojnë autoritetet shëndetësore. Edhe tre rastet tjera janë stabël, me forma të lehta klinike.
Kompania WizzAir ka ndërprerë fluturimet nga Milanoja e Italisë për në aeroportet e Shkupit dhe të Ohrit. Por, autoritetet në Shkup thonë se nuk i ndalin dot pasagjerët të cilët udhëtojnë në rrugë tokësore e që mund të kenë qëndruar në zonat e prekura nga koronavirusi. Ata duhet vetë të njoftojnë vendqëndrimin e tyre dhe të japin të dhëna shtesë, si adresa e numra telefoni apo kontaktet që kanë pasur.