Nëse jeni një nga ata që keni frikë se me çdo veprim që bëni mund të sillni në shtëpi koronavirusin, ekspertët këshillojnë të mos shqetësohemi, thjesht të lajmë duart rregullisht. Në vazhdim udhëzimet e ekspertëve për mbrojtjen nga koonavirusi në rrethana të përditshme:
Ekspertët e shëndetit publik thonë se sot në këtë periudhë të pazakontë, njerëzit shqetësohen edhe për veprimet më të rëndomta. Dr. Stephen Morse thotë se përgjigja ndaj shumicës së pyetjeve, për shembull nëse mund të infektohesh nga rroba të infektuara, nga ushqimet që ke blerë, nga kutitë e kartonit që vijnë me postë, nga zarfa e të tjera si këto, është: mos u shqetëso.
“Kur kam veshur një xhakoventë të lehtë, e heq, e var në dollap dhe pas pak ditësh mund ta vesh përsëri. Kur vij në shtëpi, laj duart, laj fytyrën. Unë jam mikrobiolog, jam pak i fiksuar pas këtyre praktikave”.
Dr. Vincent Racaniello thotë se edhe kur lëviz me transport publik, nuk e sheh të domosdoshme të lajë rrobat që kishte veshur.
“Varet sa njerëz ka në vagonin e metrosë. Nëse është plot me njerëz, ndoshta duhet të lash rrobat, por nëse ka pak njerëz, askush nuk është afër teje, nuk ka nevojë”.
Specialisti shton se edhe në këto kushte epidemie mund të vraposh në mjedise të hapura pa maskë:
“Me kusht që të jesh 2 metra larg të tjerëve. Disa vende e kanë ndaluar vrapin në ambjente publike, por mendoj se është masë krejt e panevojshme pasi zakonisht askush nuk vrapon ngjitur me të tjerët. Kur kalon dikë që po vrapon më ngadalë, duhet të lësh distancë,” thotë Dr. Racaniello.
Për sa u përket këpucëve, është mire t’i lësh në hyrje të shtëpisë thotë doktori, duke shtuar se nuk ka nevojë t’i spërkatësh me dizinfektant.
“Virusi nuk do të ngrihet të fluturojë. Kur zë vend në një objekt, virusi nuk lëviz. Nëse prek lidhëset e këpucëve dhe ato mund të jenë të infektuara, laj duart menjëherë. Mbaron me kaq. Kur vesh këpucët përsëri të nesërmen, mos prek fytyrën. Sapo të jepet rasti, laj duart”.
Tani që shumë familje marrin artikujt e nevojshëm me postë, ekspertët Racaniello dhe Morse rekomandojnë riciklimin ose hedhjen në plehra të paketimit prej kartoni, pastaj larjen e duarve, para se të vihen në vende artikujt që kishte kutia.
Dr. Morse këshillon pastrimin e celularit me fshirëse që përmban dizinfektant:
“Njerëzit shpesh i harrojnë telefonat. Ata përdoren gjithë ditën, mbahen në dorë, afrohen tek fytyra. Nëse lan duart shpesh dhe e mban celularin në xhep apo në çantë kur je në ambjente publike, ndoshta nuk bie në kontakt me microbe, gjithsesi është mirë të pastrohet”.
Dr. Racaniello këshillon vëmendje për sipërfaqe që preken shpesh si doreza e derës, e makinës, butonët e ashensorit, kartat e kreditit. Një mënyrë e përgjithshme mbrojtjeje mbetet larja e duarve.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon larjen e duarve për 20 sekonda dhe dizinfektimin e sipërfaqeve me solucione që përmbajnë alkool.