Ballina Bota ANALIZA: Ndëshkim për Gjermaninë e pabindur

ANALIZA: Ndëshkim për Gjermaninë e pabindur

Nga Miodrag Soric

A lejohet Gjermania të ketë interesat e saj dhe t’i ndjekë ato? Përgjigja e Uashingtonit duket se është e qartë: vetëm me bekimin e qeverisë amerikane! Ajo i kërcënon me sanksione koncernet europiane, që marrin pjesë në ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream2, gati 96% i gatshëm. Për kujtesë: Ky gazsjellës do të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani duke mënjanuar shtetet e tjera dhe prej Gjermanisë të shpërndahet në vende të tjera të BE-së.

Gjermania jeton nga eksporti. Industria e këtij vendi ka nevojë për sigurinë energjitike. Prandaj ekonomia dhe qeveria gjermane e mbështet këtë gazsjellës. Por ajo përpiqet që në politikën e saj të marrë në konsideratë edhe rezervat që kanë Polonia dhe Ukraina ndaj projektit Nord Stream 2.

Një ambasador konfrontues

Por të gjitha këto nuk i interesojnë Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Trump kërkon të pengojë me të gjitha mjetet gazsjellësin. Një nga njerëzit e tij të vijës së ashpër është ambasadori i deritanishëm amerikan në Berlin, Richard Grenell. Diplomati jodiplomat nuk ka dhënë ndonjë kontribut me vlerë në marrëdhëniet bilaterale: Ai e ka dorëzuar postin më 1 qershor dhe është larguar nga Gjermania.

Një agjitator tjetër po i zëshëm kundër gazsjellësit është Ted Cruz, senator ultra i djathtë nga Texasi. Një njeri, të cilin disa miq të partisë së tij e quajnë “djalli i gjallë”. Të tjerë thonë: nëse Cruz do ishtë i shtrirë i sëmurë rëndë në kongres, askush nuk do ta telefononte mjekun e urgjencës. Ted Cruz prej vitesh financohet prej vitesh nga industria amerikane e fracking (metodë e kontestuar e nxjerrjes së gazit apo naftës përmes presionit të fortë hidraulik në tokë, shën. red.) Kjo industri ka interes të shesë gazin e saj në Europë. Problemi i saj: Gazi amerikan i prodhuar me kosto të madhe është më i shtrenjtë se ai rus. Uashingtoni – e kush e kishte menduar ndonjëherë këtë për përkrahësin e dikurshëm të tregtisë së lirë? i trembet kështu konkurrencës. Më e lehtë është të vërtitësh shkopin e sanksioneve. Një politikë që Trump e quan “America First”. Duke injoruar edhe dëmin që i shkaktohet marrëdhënieve me aleatin më besnik.

Publikisht ai e lëvdon kancelaren Merkel. Por mediat si edhe përfaqësues qeveritarë në të njëjtën kohë bëjnë të ditur, se në bisedimet mes tyre toni është i ashpër. Duhet thënë, se kancelarja është e prerë ndryshe nga një kryetar qeveria malazez, të cilin Trump e shtyn mënjanë, nëse ai i zë rrugën. Me Merkelin kjo nuk bëhet. Ajo as nuk e lejon ta frikësosh. Gjë që duket se e zemëron shumë Donald Trump.

Tërheqja e ushtarëve amerikanë

Tani ai dëshiron t’i ndëshkojë gjermanët se nuk po sillen si duhet, dhe të tërheqë që këtë vit afër 10.000 ushtarë nga Gjermania. Gjermanëve kjo nuk u bën shumë përshtypje, për sa kohë që nuk e shohin veten të kërcënuar nga ndonjë rrezik ushtarak nga jashtë. Prej vitesh kritikohet ndotja e mjedisit dhe zhurmat e shkaktuara nga trupat amerikane. Frikë nga tërheqja e trupave amerikane kanë vetëm kryetarët e bashkive të zonave dhe përfaqësues të ekonomisë. Por para së gjithash, amerikanët janë në Gjermani prezentë, sepse kjo është në interesin e tyre (misionet në Afganistan dhe Irak komandohen tërësisht nga këtu) si dhe të NATO-s. Nëse Trump tërheq një kontigjent më të madh, ai dëmton veten dhe e largon edhe më shumë SHBA-në nga Europa.

I treti që qesh do të jetë Kina. Çdo përplasje brenda Perëndimit forcon pozicionin e Pekinit kundrejt Uashingtonit. Ashtu si po sillen amerikanët tani, zor se mund të presin mbështetje nga BE në konfliktin tregtar me Kinën. Përkundrazi. Berlini merr nga korriku presidencën e radhës së BE. Kancelarja Merkel pret të mbahet takimi i krerëve të BE me presidentin Xi Jinping, edhe pse data e përcaktuar në shtator u anulua për shkak të pandemisë së Coronës. Pikërisht në kohën e zgjedhjeve presidenciale amerikane një takim i tillë do të ishte një provokim diplomatik. Trump nuk është i ftuar. Si vëzhgues ai vetëm mund të shkruajë në twitter.

Shpresa më 3 nëntor

Nëse administrata e Donald Trump largohet më 3 nëntor, me gjasë marrëdhëniet mes SHBA dhe Gjermanisë do të normalizohen shumë shpejt sërish. Sfiduesi i Trumpit, Joe Biden e kupton, se Gjermania ka interesat e saj dhe mund t’i ndjekë ato. (dw)

@tn.lajmelokale
@tetovanews