“Natë e ditë, duke u munduar t’marr frymë” Pamjet brenda spitalit Covid, situata e rëndë
Të infektuarit shtohen përditë dhe po përditë në dyert e dy spitaleve Covid buçet autoambulanca. Një tjetër rast që duhet shtruar. Një tjetër që ndodhet në gjendje të rëndë apo më keq akoma, që duhet intubuar.
Abcnews ka përcjellë pamjet brenda spitalit infektiv në Tiranë, atje ku shtretërit janë përherë plot dhe mundimi i pacientëve shkon për vetëm një detaj që shumëkush e harron… të marrësh frymë.
Pacienti që po shihni në foto është tashmë në gjendje të mirë shëndetësore.
I merret goja kur flet sepse vështirësia në frymëmarrje është e madhe dhe nevoja për të thënë sa më shumë fjalë, edhe më e madhe.
“Do të rrish gjithë natën e ditën duke marrë frymë me zorr… ky është Covidi! Nuk është gripi, se atë e kemi kaluar të gjithë”
Kamera e xhirimit kalon nga kati i dytë në të tretin. Gjatë rrugës, doktoreshë Najada Çomo i thotë gazetares së njëri prej pacientëve që takoi në katin e parë, ka humbur të ëmën prej koronavirusit. Por lajmin e hidhur, ai akoma nuk e ka mësuar.
Në katin e tretë të spitalit infektiv janë shtruar rastet më të rënda. Ata pacientë që kanë patur fatin e keq për t’u përballur me tubat. Përpara janë rastet e personave të intubuar.
Shumë prej tyre, para fundit, të vetmen gjë që shohin janë sytë e mbuluar të mjekëve.
Për më tepër shikoni të plotë videon e publikuar nga abc.