Ballina Shëndeti Koronavirusi The Economist: Covid-19, a po i jep fund punës nga zyra?

The Economist: Covid-19, a po i jep fund punës nga zyra?

Covid-19 ka nxitur një ndryshim rrënjësor në zakonet e punës. Ato kryesisht kanë ndryshuar për mirë

Vizionarët e vetëshpallur dhe njerëzit të cilëve u pëlqen t’i mbajnë veshur pizhamet gjatë gjithë ditës, kanë pretenduar prej dekadash se një pjesë e mirë e punës që kryhet në zyra të mëdha të përbashkëta, mund të bëhet shumë më mirë nga shtëpia, shkruan The Economist.

Me ardhjen e Covid-19, idetë e tyre u vunë në provë, në mënyrë krejt të paparashikueshme. Tashmë kanë dalë edhe rezultatet paraprake: përgjigjja është po, një pjesë e mirë e punës mund të bëhet në shtëpi; dhe për më tepër, shumë njerëz duket se e parapëlqejnë këtë.

Kjo nuk nënkupton aspak se zyrave u ka ardhur fundi. Thjesht do të thotë se duhet të zhvillohet një debat i drejtpërdrejtë. Disa kompani duket se nuk e kanë problem idenë e një ndryshimi të brendshëm. Më 28 gusht, kompania e mediave sociale Pinterest, pagoi 90 milionë dollarë për t’i dhënë fund një detyrimi të ri qiraje në hapësirën e zyrave pranë selisë së saj në San Francisko, për të krijuar një “forcë pune më të shpërndarë”.

Të tjerë duket se janë kundër. Po atë muaj, Facebook nënshkroi një kontratë të re qiraje, për një zyrë të madhe në Manhatan. Raportohet se Bloomberg do të ofrojë një pagë deri në 55 paund (75 dollarë) në ditë, për të rikthyer punëtorët në ndërtesën e saj në Londër. Qeveritë mbi të cilat do të bjerë një pjesë e barrës nëse vazhdon pandemia, po ndjekin një qasje të ngjashme, duke i nxitur njerëzit “të kthehen në punë” – çka nënkupton “kthehuni në zyrë”.

Kjo do të jetë e vështirë, sepse puna nga shtëpia duket se u ka pëlqyer shumë punonjësve të zyrave. Teksa masat kufizuese janë lehtësuar, njerëzit kanë dalë sërish jashtë: në të gjithë vendet e pasura, janë rritur shpenzimet e dyqaneve dhe rezervimet në restorante. Megjithatë, shumë njerëz vazhdojnë të shmangin zyrën, dhe tashmë që janë rihapur shkollat, kjo mënyrë pune është mjaft e volitshme për prindërit. Të dhënat e fundit tregojnë se vetëm 50% e njerëzve në pesë shtete të mëdha europiane, shkojnë çdo ditë në zyrë (shih grafikun 1). Një e katërta vazhdon të punojë nga shtëpia me kohë të plotë.

Kjo mund të ndodhë për shkak të frikës së mbetur nga Covid-19 dhe vështirësitë që sjellin zyrat me kapacitet të reduktuar. Derisa të përfundojnë udhëzimet për distancim social, zyrat nuk mund të funksionojnë plotësisht. Një zyrë mesatare mund të punojë me 25-60% të stafit, duke ruajtur një distancë prej dy metrash (gjashtë këmbë) midis punonjësve. Zyrat që shtrihen në më shumë se pesë kate, mbështeten tek ashensorët. Në kushtet kur brenda ashensorit lejohen vetëm dy persona, radhët e pritjes janë mjaft të gjata.

Disa zyra po përpiqen të krijojnë kushte të sigurta pune. Drejtuesit e një kulle të re në Londër, 22 Bishopsgate, kanë fikur sistemin e kondicionimit. Të tjerë kanë instaluar stacione për dezinfektimin e duarve dhe kanë vendosur pengesa plastike. Por edhe nëse zyrat janë më të sigurta, sërish mund të jetë e vështirë të shkosh atje. Shumë punonjës nuk parapëlqejnë të përdorin transportin publik – dhe një e katërta e udhëtarëve në qytetin e Nju Jorkut jetojnë më shumë se 15 milje (24 km) larg zyrës, shumë larg për të ecur ose për të shkuar me biçikletë.

Për më tepër, puna nga shtëpia ka treguar se mund t’i bëjë njerëzit më të lumtur. Një studim i botuar në vitin 2017 në American Economic Review, zbuloi se punonjësit ishin të gatshëm të pranonin një ulje page prej 8% për të punuar nga shtëpia, çka tregon se kjo gjë u jep atyre përfitime jomonetare. Kohëzgjatja mesatare e takimeve duket se është ulur (shih grafikun 2). Dhe njerëzit udhëtojnë më pak, ose aspak. Kjo është e shkëlqyer nga pikëpamja e mirëqenies. Një studim i vitit 2004 nga Daniel Kahneman dhe kolegët e tij në Universitetin Princeton, zbuloi se udhëtimi për në punë ishte ndër aktivitetet më të pakëndshme që bënin njerëzit rregullisht. Zyra e Statistikave Kombëtare në Britani ka zbuluar se “njerëzit që udhëtojnë për në punë kanë kënaqësi më të ulët nga jeta… nivele më të ulëta të lumturisë dhe më shumë ankth “.

Rritja e lumturisë falë punës nga shtëpia mund të rrisë rendimentin e punonjësve. Në shumicën e vendeve, një punonjës i zakonshëm raporton se gjatë karantinës, ka kryer më shumë punë se gjatë qëndrimit në zyrë. Sidoqoftë, në rrethanat aktuale, është e vështirë të jesh i sigurt nëse është më efikase puna në shtëpi apo puna në zyrë. Shumë njerëz, sidomos gratë, janë detyruar të punojnë dhe njëkohësisht të kujdesen për fëmijët, që normalisht duhej të ishin në shkollë. Kështu mund të duket se puna nga shtëpia është më pak produktive sesa mund të jetë në teori (p.sh., kur fëmijët janë në shkollë).

Nga krevati, në kuzhinë

Por efektet e karantinës mund të krijojnë përshtypjen e kundërt, duke e bërë punën nga shtëpia të duket artificialisht produktive. Gjatë karantinës, punonjësit mund të jenë përpjekur më tepër nga frika se mos pushohen nga puna – studimet në Amerikë tregojnë se më shumë se gjysma e punonjësve janë të shqetësuar për humbjen e punës për shkak të përhapjes së virusit. Një problem i veçantë është se shumica e studimeve nën karantinë janë mbështetur te punëtorët për të vetëraportuar produktivitetin e tyre, dhe të dhënat e krijuara në këtë mënyrë, zakonisht nuk janë shumë të besueshme.

Kërkimet e botuara para pandemisë ofrojnë një pamje më të qartë. Një studim i vitit 2015 nga Nicholas Bloom dhe kolegët e tij në Universitetin Stanford, u përqendrua në punonjësit kinezë të kompanive Call Center. Ai zbuloi se personat që punonin nga shtëpia ishin më produktivë (ata kalonin më shumë telefonata). Një e treta e rritjes ishte për shkak të një ambienti më të qetë.

Pjesa tjetër ishte për shkak të njerëzve që punonin më shumë orë. Kërkesat për leje në rast sëmundjeje ranë ndjeshëm. Një tjetër studim mbi Patent and Trademark Office në Amerikë, arriti në rezultate të ngjashme. Një studim i vitit 2007, nga Byroja Amerikane e Statistikave të Punës, zbuloi se personat që punojnë nga shtëpia, paguhen më shumë se punonjësit ekuivalentë të zyrave, duke sugjeruar një produktivitet më të lartë.

Përvoja e karantinës vetëm sa ka përshpejtuar trende që ekzistonin, mendon Harry Badham, sipërmarrësi i 22 Bishopsgate. Ky mund të jetë një nënvlerësim. Megjithëse përqindja e njerëzve që punojnë nga shtëpia po rritej edhe përpara pandemisë, shifrat mbeteshin mjaft të vogla (shih grafikun 3). Sipas një këndvështrimi, fakti që puna në zyrë ka mbizotëruar deri vonë, tregon se ajo duhet të jetë më efikase se puna në shtëpi, si për kompanitë, ashtu edhe për punonjësit. Sipas kësaj logjike, suksesi i daljes së një vendi nga karantina mund të matet nga fakti se sa njerëz janë rikthyer në zyra.

Por ka edhe një interpretim tjetër, sipas të cilit, puna në shtëpi është me të vërtetë më efikase se puna në zyrë dhe ditët e lavdishme të zyrës janë zhdukur. Në fund të fundit, zyra u krijua kur bota e punës përfshinte përpunimin e shumë letrave. Fakti që ajo mbizotëroi kaq gjatë, mund të reflektojë një dështim të tregut. Para Covid-19, bota mund të ketë qenë e mbërthyer në një “ekuilibër të keq” ku puna në shtëpi ishte më pak e përhapur se ç’duhej. Pandemia përfaqëson një tronditje të madhe që po e vë botën në një ekuilibër të ri, më të mirë.

Brent Neiman nga Universiteti i Çikagos sugjeron tre faktorë që kanë parandaluar deri tani rritjen e punës nga shtëpia. I pari lidhet me informacionin. Shefat thjesht nuk e dinin nëse grumbullimi në zyrë ishte thelbësor apo jo. Gjashtë muajt e fundit i kanë lënë kohë për ta zbuluar. I dyti ka të bëjë me koordinimin: mund të ketë qenë e vështirë që një kompani e vetme të ndryshojë mënyrën e punës nga zyra në shtëpi, ndoshta sepse furnitorët ose klientët e saj do të mendonin se ishte e çuditshme. Sidoqoftë, pandemia i detyroi të gjitha kompanitë që mund ta bënin këtë, të kalonin menjëherë në punë nga shtëpia. Me këtë migrim masiv, njerëzit kishin më pak të ngjarë t’i shihnin me dyshim kompanitë që e bënë këtë.

Faktori i tretë ka të bëjë me investimet. Kostot e mëdha fikse që lidhen me zhvendosjen nga zyra në shtëpi, mund t’i kenë shkurajuar kompanitë për ta provuar. Dëshmitë nga sondazhet tregojnë se muajt e fundit, kompanitë kanë shpenzuar shumë para për pajisje si laptopë, për t’i mundësuar stafit të punojë nga shtëpia; kjo është një arsye pse tregtia globale ia ka dalë mbanë më mirë se ç’pritej që nga fillimi i pandemisë.

Investime të tilla bëhen edhe në nivelin familjar. Në shumë shtete të pasura, tregu për shtëpitë me një familje është më i fortë sesa për apartamentet. Kjo tregon se njerëzit po kërkojnë hapësirë shtesë, ndoshta për një zyrë të posaçme në shtëpi.

Sa më shumë ambicie

Shkalla e popullaritetit të punës në shtëpi do të varet nga marrëveshjet midis kompanive dhe punëtorëve. Por kjo gjithashtu do të varet nga fakti nëse kompanitë e përqafojnë apo e refuzojnë teorinë e diskutueshme se puna nga zyra mund të pengojë me të vërtetë produktivitetin. Që nga vitet 1970, studiuesit të cilët kanë studiuar afërsinë fizike (d.m.th., distancën që duhet të kryejnë punonjësit për të ndërvepruar ballë për ballë), nuk kanë rënë dakord mbi çështjen nëse ajo e lehtëson apo e pengon bashkëpunimin. Argumenti kryesisht përqendrohet në shkallën deri ku mbledhja e njerëzve nën një çati, nxit sjellje të favorshme për ide të reja, apo thjesht biseda boshe.

Një pasiguri e tillë ilustrohet nga një studim i vitit 2017 nga Matthew Claudel dhe kolegët e tij në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT). Studimi i tyre vëzhgoi punimet dhe patentat e prodhuara nga studiuesit e MIT dhe shpërndarjen gjeografike të këtyre studiuesve. Ata zbuluan se ekzistonte një marrëdhënie pozitive midis afërsisë dhe bashkëpunimit. Por gjetën pak prova statistikore për hipotezën se “hapësirat e pozicionuara në qendër, të populluara dendur dhe multidisiplinore, janë pika aktive të bashkëpunimit”. Me fjalë të tjera, afërsia mund t’i ndihmojë njerëzit të krijojnë ide të reja, por nuk është domosdoshmërisht e nevojshme që ata të ndodhen në një zyrë për ta bërë këtë.

Sidoqoftë, puna nga shtëpia nuk është gjithmonë e këndshme. Në korrik, një studim nga ekonomistët në Harvard, Stanford dhe Universitetin e Nju Jorkut, zbuloi se dita mesatare e punës nën karantinë ishte gati 50 minuta më e gjatë se më parë, dhe njerëzit kishin më shumë të ngjarë të dërgonin emaile pas orëve të punës. Gjithashtu, puna nga shtëpia nuk pëlqehet nga të gjithë punonjësit. Leesman, një firmë konsulente mbi fuqinë punëtore, ka anketuar përvojën e më shumë se 100,000 punonjësve të zyrave në vendet e pasura, gjatë pandemisë. Sondazhi zbuloi se kënaqësia me punën nga shtëpia ndryshon në varësi të faktit nëse personi ka një tryezë të posaçme si në zyrë.

Një valë e re ndryshimi

Nga ana tjetër, jo të gjithë kanë aftësinë për të punuar nga shtëpia, edhe nëse dëshirojnë. Një studim i botuar në prill nga z. Neiman dhe Jonathan Dingel nga Universiteti i Çikagos, zbuloi se në të gjitha vendet e pasura, rreth 40% e fuqisë punëtore kishin profesione që mund të kryheshin lehtësisht nga tryezat e tyre të kuzhinës. Dëshmitë për ndryshimet aktuale të punës gjatë pandemisë i mbështesin këto pretendime. Një studim nga Erik Brynjolfsson dhe kolegët e tij në Universitetin Stanford, zbuloi se në muajin maj, rreth gjysma e personave që ishin punësuar para pandemisë, po punonin nga shtëpia.

Në të vërtetë, nuk është e sigurt nëse përfitimet e punës nga shtëpia mund të zgjasin për një periudhë të qëndrueshme kohore. Studimi i zotit Bloom mbi punëtorët kinezë në Call Center është nga të paktët që ka vëzhguar ndikimin e punës nga shtëpia për disa muaj. Ai dhe kolegët e tij zbuluan se, në fund, shumë njerëz kërkonin dëshpërimthi për t’u kthyer në zyrë, qoftë edhe herë pas here, sepse ndiheshin të vetmuar.

Disa kompani që kanë provuar në të kaluarën punën në distancë në shkallë të gjerë, e kanë braktisur atë, përfshirë firmën teknologjike Yahoo në vitin 2013. “Disa nga vendimet dhe njohuritë më të mira vijnë nga korridoret dhe diskutimet nëpër kafene, duke takuar njerëz të rinj dhe ekipe të improvizuara”, vërente një memorandum i brendshëm i bërë publik atë vit.

Pra, sfida për shefat është që të gjejnë mënyra për të ruajtur dhe për të rritur lumturinë dhe inovacionin e punonjësve, edhe kur puna në shtëpi bëhet më e zakonshme. Një zgjidhje është që të vijnë të gjithë në zyrë disa ditë në muaj. Gjithashtu punëtorët mund t’i kushtojnë një pjesë të madhe të kohës zhvillimit të ideve të reja, duke bashkëvepruar me kolegët e tyre.

Një studim i Christoph Riedl nga Universiteti Northeastern dhe Anita Williams Woolley nga Universiteti Carnegie Mellon, botuar në vitin 2017, tregoi se komunikimi “i dendur”, ku njerëzit shkëmbejnë ide me shpejtësi për një periudhë të shkurtër kohe, çoi në një performancë më të mirë, por komunikim më pak të përqendruar. Nuk ekzistojnë shumë prova që tregojnë se shansi apo rastësia janë të dobishme për inovacionin, edhe pse është pranuar nga shumë si një e vërtetë e vetëkuptueshme. “Shumë njerëz fituan mjaft para duke shitur këtë ide për ftohjen e ujit”, thotë zoti Claudel nga MIT, duke iu referuar rritjes në dekadat e fundit të zyrave me plan të hapur, hapësirave të bashkëpunimit dhe “rretheve të inovacionit”.

Ardhja herë pas here në zyrë nuk është mënyra e vetme për të nxitur një komunikim të shpejtë. E njëjta gjë mund të arrihet me mbledhjet dhe takimet e organizuara nga kompanitë. Gitlab, një kompani softuerësh, ka punuar “së largu” që kur u themelua në vitin 2014. Si një kompani pa zyra, ajo mbledh së bashku të paktën një herë në vit, 1,300 “anëtarët e ekipit”, të cilët jetojnë në 65 vende të ndryshme, për takime dhe lidhje miqësie brenda ekipit.

Në mënyrë të ngjashme, disa kompani si Teemly, Sococo dhe Pragli ofrojnë “zyra virtuale”, duke e bërë më të lehtë komunikimin me kolegët, në vend që të lidhen online. Duke përdorur mesazhe me video nga Loom, një punonjës mund të regjistrojë ekranin, zërin dhe fytyrën e tij dhe ta ndajë atë menjëherë me kolegët – më e dobishme se një video call konvencionale, pasi videoja mund të përshpejtohet ose manipulohet. Punëtorët e Gitlab ndjekin një ditë pune “jolineare” – duke e ndërprerë punën me periudha pushimi. Në vend që të flasin me kolegët e tyre nëpërmjet video call, ata angazhohen në një “komunikim asinkron”, që nënkupton se u dërgojnë bashkëpunëtorëve të tyre video-mesazhe të regjistruara më parë.

Puna më e shpeshtë nga shtëpia do të kërkojë gjithashtu përdorimin e pajisjeve të reja. Aktualisht, shumë kompani kanë qendra të mëdha të dhënash, por këto kanë rezultuar më pak efikase pasi më shumë njerëz po punojnë nga shtëpia. Goldman Sachs llogarit se investimet në infrastrukturën tradicionale të të dhënave do të ulen me 3% në vit gjatë periudhës 2019-‘25.

Në fakt, kompanitë ka të ngjarë të shpenzojnë më tepër në teknologji, e cila u lejon punonjësve të ndodhen virtualisht në të njëjtën hapësirë fizike si dikush tjetër (kamera dhe mikrofona me cilësi më të lartë, për shembull). Analistët më teknologjikë utopikë mendojnë se brenda pesë viteve, njerëzit do të jenë në gjendje të vendosin një kufje VR dhe të zhyten në një zyrë virtuale – me ndriçim dhe të gjithë orenditë e nevojshme.

Një jetë më e mirë

E gjithë kjo ka implikime të gjera në politikat publike. Aktualisht është e pamundur të dihet nëse punonjësit nga shtëpia do ta kenë më të lehtë ose më të vështirë të merren vesh me punëdhënësit për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve, megjithëse ideja e kërkimit të një rritjeje page nëpërmjet një video call nuk tingëllon aspak tërheqëse. Punëdhënësit mund ta kenë më të lehtë të pushojnë nga puna punonjësit në distancë, sesa nëse duhej ta bënin këtë ballë për ballë. Nëse është kështu, atëherë mund të rriten thirrjet që qeveritë t’u mundësojnë punonjësve nga shtëpia një mbrojtje më të madhe.

Një tjetër problem ka të bëjë me ligjin e punësimit, argumenton Jeremias Adams-Prassl nga Universiteti i Oksfordit. Ashtu siç ekonomia gig ka nxitur pyetje dhe çështje gjyqësore në lidhje me faktin se çfarë do të thotë të jesh i punësuar ose i vetëpunësuar, popullariteti në rritje i punës në shtëpi, rrit presionin mbi ligjet që ishin ndërtuar rreth supozimit se njerëzit duhet të punojnë në një zyrë. Askush nuk e di me siguri sesi duhet ta ndjekin firmat kohën e punës me kontratë në një botë ku askush nuk hyn fizikisht në zyrë, as për faktin se deri në ç’masë firmat duhet të mbikëqyrin punonjësit në shtëpi.

Betejat për përgjegjësitë e punëdhënësve ndaj punëtorëve nuk janë të largëta. A duhet të paguajë një biznes për lidhjen e internetit të një punonjësi apo sistemin e ngrohjes në dimër? Përballja me pyetje të tilla nuk do të jetë e lehtë. Por qeveritë dhe firmat duhet të shfrytëzojnë momentin. Pandemia, me të gjitha efektet e saj të tmerrshme, ofron një mundësi të rrallë për të rimodeluar botën e punës.

@tn.lajmelokale
@tetovanews