Italianët votojnë për të pasur politikanë më të paktë dhe më të mirë. Pas një referendumi, Parlamenti do të pakësohet në numër
Nuk ndodh shpesh që votuesit të kenë shansin të ulin numrin e politikanëve në vend. Por votuesit italianë e bënë këtë më 20-21 shtator, dhe e shfrytëzuan mirë rastin. Me një shumicë dërrmuese 70% kundër 30%, ata vendosën në një referendum për të ulur numrin e ligjvënësve me më shumë se një të tretën. Dhoma e Ulët (Dhoma e Deputetëve) do të ketë 400 nga 630 anëtarë, ndërsa ajo e Lartë do të ketë 200 senatorë në vend të 315. Reforma gjithashtu uli në pesë numrin e senatorëve të emëruar nga presidenti për të gjithë jetën, shkruan The Economist.
Ligji i ri do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, të cilat do të mbahen deri në vitin 2023, megjithëse mund të bëhen edhe më herët. Ai nuk do të ndikojë në pagat dhe përfitimet bujare të parlamentarëve të Italisë. Ligji gjithashtu nuk adreson një problem më thelbësor: që të dyja Dhomat kanë funksione identike.
Gjithsesi, ai e ul raportin e votuesve me ligjvënësit në të njëjtin nivel si në Gjermani dhe përfaqëson një triumf për antipolitikën, mosbesimin ndaj elitës qeverisëse, anëtarët e së cilës shihen nga shumë italianë si të përkëdhelur, të korruptuar dhe praktikisht të pamundur për t’u hequr nga posti. Antipolitika ishte një arsye e rëndësishme për rritjen e Lëvizjes Pesë Yjet (M5S), e cila sponsorizoi reformën.
Atëherë ky është një përparim tjetër për populistët? Zgjedhjet rajonale të mbajtura në të njëjtën kohë treguan të kundërtën. Së pari, ato treguan se italianët e konsideronin të rëndësishme demokracinë parlamentare tradicionale, aq sa sfiduan rreziqet e Covid-19 për të votuar në një numër të konsiderueshëm. Asnjë zonë nuk kishte pjesëmarrje nën 50% dhe në Valle d’Aosta, në kufi me Francën, pjesëmarrja ishte më shumë se 70%, mbresëlënëse në çdo aspekt për zgjedhjet rajonale.
Së dyti, duke u përballur me një rritje të rasteve të të infektuarve në të gjithë Europën dhe përgjegjësinë shqetësuese të investimit strategjik të fondeve të mëdha që ka caktuar BE-ja për rimëkëmbjen ekonomike të Italisë, votuesit zgjodhën vazhdimësinë.
Partia Demokratike (PD) e qendrës së majtë, e cila qeveris në një koalicion që përfshin Pesë Yjet, kishte frikë nga një rezultat katastrofik. Shtatë nga 20 rajonet e Italisë ishin në lojë, dhe katër prej tyre qeverisen nga PD-ja. Sondazhet parashikuan që partia mund të humbasë tre prej rajoneve, përfshirë Toskanën, një mbështetëse e madhe e krahut të majtë, që nga ditët e Partisë Komuniste italiane tashmë të shuar.
Kandidati i PD-së për guvernator në Toskanë, e mundi bindshëm kundërshtarin e Ligës së Veriut të djathtë të drejtuar nga Matteo Salvini. Humbja e vetme për PD-në dhe udhëheqësin e saj gjenial, por jo karizmatik, Nicola Zingaretti, ishte në rajonin fqinj të Marche, i cili dikur konsiderohej pjesë e “brezit të kuq” qendror të Italisë. Atje fitoi Partia Vëllezërit e Italisë (FDI), e cila ka rrënjë në neofashizëm (dhe që pavarësisht nga emri, drejtohet nga një grua.)
Kjo ishte shenja më e fundit që FDI-ja tani mund të jetë gati për të marrë udhëheqjen e së djathtës italiane nga duart e Ligës më populiste. Për zotin Salvini nuk ishte shumë ngushëllues fakti që Liga doli e para në rajonin Valle d’Aosta, me gati 24% të votave. Dhe ai do të ketë qenë edhe më pak i lumtur nga rezultati në Veneto, i cili ka qenë një bastion i Ligës që nga ditët e saj më të hershme. Guvernatori i tanishëm, Luca Zaia, fitoi lehtësisht me 77% të votave.
Por triumfi i tij, ashtu si ai i demokratit Vincenzo De Luca, në Campania, rajonin përreth Napolit, i atribuohet kryesisht trajtimit të shkathët të pandemisë dhe jo ndonjë simpatie të dukshme për mesazhet e ashpra të Ligës për emigracionin dhe Europën. Zoti De Luca, i cili nga taktikat autoritare ka marrë nofkën “Pol Pot”, arriti detyrën në dukje të pamundur për t’i bërë napolitanët të respektonin karantinën, duke kërcënuar mes të tjerash, të përdorte policinë e armatosur. Zoti Zaia fitoi mirënjohje globale për përmbajtjen e virusit nëpërmjet testimit masiv. Lajmi i keq për zotin Salvini është se zoti Zaia tani po konsiderohet si një pasardhës i mundshëm i tij.
Pavarësisht fitores në referendum, performanca e Lëvizjes Pesë Yjet gjithashtu tregoi se italianët janë bërë tepër përzgjedhës për populizmin. Ata arritën rezultate dyshifrore vetëm në një rajon. Rezultati në Liguria, në veriperëndim, ishte edhe më i keq. Aty, M5 lidhi aleancë me demokratët për të mbështetur një kandidat të përbashkët, me idenë se kjo mund t’u siguronte votat shtesë për të përjashtuar një zyrtar të qendrës së djathtë në detyrë.
Por kandidati i aleatëve humbi me 17 pikë. Ndërkohë që Italia po hyn në një fazë thelbësore, e cila mund të vendosë nëse dinamizmi i saj ekonomik do të rimëkëmbet apo do të zhytet më tej në borxhe, PD do të ketë një rol udhëheqës.