Ballina Bota ANALIZA: Çfarë vendi do të zërë BE në skenën botërore?

ANALIZA: Çfarë vendi do të zërë BE në skenën botërore?

Nga Stefan Lehne

Bashkimi Evropian do të mbajë së shpejti konferencën e tij të shumëpritur mbi të ardhmen e Evropës, një përpjekje shumëvjeçare që do të përfshijë vendet anëtare, institucionet e BE-së dhe publikun. Parashikohet që deri në vitin 2022, konferenca të ofrojë një sërë rekomandimesh praktike për zhvillimin e politikave dhe instrumenteve të BE-së.

Diskutimet pritet të përqendrohen mbi tema që kanë më shumë rëndësi për qytetarët evropianë, siç janë kujdesi shëndetësor, mjedisi, barazia sociale, inovacioni, transformimi dixhital dhe demokracia e BE. Në të do të flitet edhe mbi roli ndërkombëtar të BE-së, ndonëse nuk ka gjasa që të shfaqet në rendin e ditës.

Gjithsesi, e ardhmja e Evropës do të varet kryesisht nga konfigurimi global i forcave në zhvillim, dhe nga mënyra se si BE-ja do të zgjedhë të pozicionohet. Prandaj është e dobishme të shqyrtohen edhe opsionet e mundshme strategjike për angazhimin global të unionit.

Gjendja e ndryshuar e Evropës, pasqyron pjesërisht një ri–balancim të mirëfilltë të ndikimit tësaj global. Nga fundi i këtij shekulli, pjesa e BE-së në popullsinë botërore pritet të tkurret nga 6 në 4 për qind.

Pjesa e saj e PBB-së globale mund të përgjysmohet gjatë të njëjtës periudhë. Deri në vitin 2050, asnjë shtet evropian nuk do t’i përkasë grupit G7, të ekonomive më të mëdha në botë. Ndërsa Evropa ka të ngjarë të vazhdojë të ofrojë një cilësi relativisht të lartë të jetës, pesha e saj e përgjithshme në shkallën globale do të bjerë, ndërsa vendet e tjera do të arrijnë ose kapërcejnë.

Sot, politika e identitetit e kërcënon filozofinë universaliste të BE-së, ndërsa rënia e fuqisë politike dhe ekonomike të Evropës kërcënon ta shndërrojë rajonin më shumë në një fushë loje sesa në një lojtar. Si duhet të reagojnë evropianët ndaj këtyre zhvillimeve? Tre opsione themelore strategjike, mund të sigurojnë pozicionin e BE-së në botë:

Mbrojtja e mënyrës evropiane të jetës

Kur Emmanuel Macron nisi të flasë për sovranitetin evropian gjatë fushatës së tij për presidencën franceze, disa u habitën. Për dekada, sovraniteti ka qenë flamuri nën të cilin nacionalistët kanë marshuar kundër integrimit evropian.

Macron e bëri të qartë se sovranitet evropian, nuk do të zëvendësonte sovranitetin kombëtar në kuptimin e ndërtimit të një shteti evropian, por përkundrazi do ta plotësonte dhe zgjeronte atë. Ndërsa kuptimi i këtij koncepti nuk u shpjegua kurrë plotësisht, ai mund të karakterizohet si një lloj vetëvendosje, si aftësia për t’i rezistuar imponimit të jashtë, dhe për të ruajtur kapacitetin për veprime të pavarura.

Në një kohë kur SHBA dhe Kina po tentojnë ta përdorin si armë fuqinë e tyre ekonomike dhe financiare, përmes sanksioneve dhe kërcënimeve për të kufizuar hyrjen në tregjet e tyre, BE ka një rast të shkëlqyer për të forcuar rezistencën e vet, dhe për të zhvilluar instrumentet e duhura për të luftuar veprimet armiqësore.

Mbrojtja e mënyrës evropiane të jetës, duket të jetë një formulë më e pranueshme për të mbrojtur identitetin e Evropës. Kur Presidentja e re e Komisionit Evropian Ursula von derLeyen e propozoi si term u kundërshtua nga partitë e qendrës së majtë dhe ato liberale në Parlamentin Evropian.

Kur u pyet se çfarë donte të thoshte ajo me mënyrën evropiane të jetës, Von der Leyen iu referua nenit 2 të traktatit të BE, ku janë të rrënjosura vlerat e BE-së,si demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.

Ripërtëritje e Perëndimit, ndërsa mbahet nën kontroll Kina

Rivaliteti SHBA-Kinë, do të jetë gati me siguri tipari përcaktues i kësaj dekade dhe ndoshta edhe tjetrës. Kina është e vendosur të bëhet fuqia kryesore në Indo-Paqësor dhe të rrisë ndikimin e saj diku tjetër, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë të vendosura ta pengojnë këtë zhvillim.

Zgjedhja e Joe Biden si presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, nuk do t’i japë fund rivalitetit, por përkundrazi do të ndryshojë natyrën e tij. Ndryshe nga Trump, Biden do t’i shohë aleancat e saj si një aset kryesor në këtë luftë. Ndaj do të rritet presioni mbi BE-në për t’u lidhur me Uashingtonin në fushat e teknologjisë, tregtisë dhe politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Por anësia me Shtetet e Bashkuara nuk do të jetë e lehtë, dhe do sjellë kosto serioze ekonomike. Kina është partnerja e dytë ekonomike i BE-së. Përmes investimeve në kuadër tëNismës së Brezit dhe Rrugës dhe Forumit 17+1, ajo ka krijuar një prani të konsiderueshme në kontinent.

Shtetet anëtare të BE-së që mbajnë lidhje të ndryshme ekonomike me Kinën, e kanë të vështirë të bien dakord mbi një qasje të përbashkët kundër ngritjes së Kinës. Në këto kushte, presioni shtesë i SHBA-së mund t’i thellojë më tej këto ndarje.

Gjithsesi, ndikimi i SHBA-së në Evropë mbetet shumë i fortë dhe sa i përket strukturave shoqërore, politike dhe ekonomike, Evropa është shumë më e lidhur me Shtetet e Bashkuara sesa me Kinën. BE-ja do të përpiqet shumë për të shmangur rreshtimin në një anë, por nëse do të duhet, do të përfundojë duke mbështetur Shtetet e Bashkuara.

Rikthimi i multilateralizmit

Globalizimi është dobësuar në vitet e fundit, por nuk ka gjasa që të zhduket plotësisht. Dixhitalizimi do të vazhdojë të zvogëlojë rëndësinë e distancave gjeografike, dhe do të lehtësojë komunikimin dhe shkëmbimet ndërkombëtare.

Shpresat e Perëndimit se një shtresë e mesme në rritje në Kinë do të çonte shpejt njëdemokratizim të stilit perëndimor ishin qartazi të gabuara. Platformat e internetit i bashkojnë njerëzit, por gjithashtu ato i polarizojnë shoqëritë. Por nevoja urgjente për një bashkëpunim më efektiv shumëpalësh, ka qenë rrallë aq e dukshme sesa tani, sidomos për të mposhtur pandeminë, luftuar ndryshimin e klimës dhe për të maksimizuar përfitimet e dixhitalizimitduke zbutur rreziqet.

Nisma të tilla si Aleanca për Multilateralizëm, e promovuar nga Franca dhe Gjermania, janë hapa në drejtimin e duhur. Edhe Joe Biden ka deklaruar gatishmërinë e tij për të ripërtërirëangazhimin e SHBA. Por një multilateralizëm i ringjallur, do të duket ndryshe nga versioni i shekullit XX.

Organizatat tradicionale të OKB, do të duhet të plotësohen nga forume më fleksibël dhe më të shkathët për bashkëpunim kolektiv, pasi këto të fundit ndonjëherë janë më të përshtatshme për të arritur rezultate të shpejta. Njëherazi, bashkëpunimi duhet të jetë më i drejtë, gjë që do të thotë se Evropa duhet të korrigjojë mbi–përfaqësimin e saj në disa organe, dhe të mundësojë një përfshirje më sistematike të shoqërisë civile.

Nëse BE vendos të rrisë mbështetjen e saj për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla, asaj do t‘i duhet të shtojë investimet në regjime dhe organizata ndërkombëtare dhe të tregojë udhëheqje në mobilizimin e vendeve që ndajnë të njëjtat ide.

Unioni gjithashtu do të duhet të forcojë koordinimin midis institucioneve dhe kryeqyteteve të BE-së dhe të sigurojë koherencën midis fijeve të ndryshme të politikës së saj të jashtme, duke përfshirë tregtinë, zhvillimin, lëvizshmërinë dhe lidhjen, politikën e jashtme dhe sigurinë.

Por mbi të gjitha, BE do të duhet të mbajë një këndvështrim të hapur dhe konstruktiv që percepton ndërvarësinë jo si një kërcënim, por si një mundësi për të zgjidhur sfidat e përbashkëta përmes veprimit kolektiv.

Marrë me shkurtime nga “Carngie Europe”

@tn.lajmelokale
@tetovanews