Ballina Bota Biden cakton shefin e personelit të Shtëpisë së Bardhë: Ja cili është...

Biden cakton shefin e personelit të Shtëpisë së Bardhë: Ja cili është ai dhe roli që do të ketë

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka zgjedhur këshilltarin e tij të vjetër Ron Klain për të shërbyer përsëri në rolin e shefit të stafit të tij, duke vendosur një ndihmës me përvojë prej disa dekadash në rolin kryesor në stafin e presidentit.

Zoti Klain do të drejtojë një Shtëpi të Bardhë që ka të ngjarë të jetë e përqëndruar tek përgjigja ndaj pandemisë së koronavirusit, e cila vazhdon të përhapet pa kontroll në të gjithë vendin. Ai do të përballet gjithashtu me sfidën për të punuar me një Kongres të ndarë që mund të përfshijë një Senat të udhëhequr nga republikanët. Zoti Klain shërbeu si koordinator për përgjigjen ndaj Ebolës gjatë shpërthimit të virusit në vitin 2014.

Në një deklaratë të mërkurën mbrëma, zoti Biden u shpreh se ai zgjodhi zotin Klain për këtë post sepse përvoja e tij e gjatë në Uashington e kishte përgatitur atë për sfida të tilla.

“Përvoja e tij e thellë dhe e larmishme dhe aftësia për të punuar me njerëz të të gjithë spektrit politik është pikërisht ajo që më duhet në një shef të stafit të Shtëpisë së Bardhë ndërsa përballemi me këtë moment krize dhe bashkojmë vendin”, tha zoti Biden.

Klain shërbeu si shef i personelit të zotit Biden gjatë mandatit të parë të presidentit Barack Obama, ishte shef i personelit të nënpresidentit Al Gore në mes të viteve 1990 dhe ishte një nga këshilltarët kryesorë në fushatën e zotit Biden, duke udhëhequr përgatitjet e debatit të tij dhe përgjigjen ndaj koronavirusit. Ai është njohur dhe ka punuar me zotin Biden që nga fushata presidenciale e demokratëve në vitin 1987.

Zgjedhja e zotit Klain nënvizon përpjekjen që administrata e ardhshme Biden do të bëjë në përgjigjen e saj ndaj koronavirusit qysh ditën e parë. Klain ka përvojë në shëndetin publik si koordinator i përgjigjes për Ebolën dhe luajti një rol kryesor në hartimin dhe zbatimin e planit të rimëkëmbjes ekonomike të administratës Obama në vitin 2009./VOA

@tn.lajmelokale
@tetovanews