Ballina Bota Bosnje, kandidati fiton në zgjedhjet lokale por humb jetën nga COVID-19

Bosnje, kandidati fiton në zgjedhjet lokale por humb jetën nga COVID-19

Partitë nacion*aliste janë humbësit e mëdhenj të zgjedhjeve lokale në Bosnje e Hercegovinë. Partia e Veprimit Demokratik e drejtuar nga Bakir Izetbegoviç dhe Unioni i Social Demokratëve të Pavarur të Millorad Dodik, humbën pushtetin lokal në qytetet më të mëdha të vendit, në Sarajevë dhe Banja Luka.

Kryetarët e dy forcave politike pranuan disfatën pas konfirmimit të rezultateve. Në Sarajevë triumfoi koalicioni politik i përbërë nga katër parti, ajo Socialdemokrate e Bosnje dhe Hercegovinës, Partia Jonë, Populli dhe Drejtësia dhe Lista e Pavarur.

Në Banja Luka, fitoi kandidati i opozitës, Drashko Stanivukoviç, i cili ishte kandidati më i ri në moshë, 27 vjeç. Zgjedhjet lokale të Bosnje e Hercegovinës patën dhe një risi tjetër.

Kandidati fitues në qytetin Travnik, humbi jetën ditën e zgjedhjeve si pasojë e komplikacioneve nga Covid-19. Mirsad Peço, me profesion mjek, ishte shtruar prej ditësh në spital, por nuk arriti t’i mbijetonte simptomave të rënda.

Zgjedhjet lokale në Bosnje duhej të mbaheshin më 4 tetor por u shtynë për shkak të mungesës së financave, pasi buxheti nuk ishte miratuar në parlament. Pjesëmarrja në votime ishte 50%, ndërsa për qytetin e Mostarit zgjedhjet lokale mbahen veçmas më 20 dhjetor.

@tn.lajmelokale
@tetovanews