Ballina Sport Champions League: Liverpool me 5 yje, Reali zhyt Interin! Bayern e City...

Champions League: Liverpool me 5 yje, Reali zhyt Interin! Bayern e City nuk falin

Real Madrid ia ka dalë të marrë fitoren e parë në Champions këtë sezon. Madrilenët mposhtën Interin me rezultatin 3-2 dhe gara në grupin e tyre është e hapur. Madrilenët shënuan në pjesën e parë me Benzema e Ramos, ndërkohë që Lautaro Martinez hapi takimin.

Në fraksionin e dytë të lojë ishte Perisic ai që vendosi baraspeshën, kurse Rodrygo dhjetë minuta para fundit të kohës së rregullt shënoi golin që i mbylli llogaritë e ndeshjes. 3-2 dhe Reali mori pikët e plota, kurse Interi mbetet në krizë dhe në kërkim të fitores së parë.

Bayern Munich, kampionët në fuqi të Champions League, morën fitoren e radhës dhe këtë herë likuiduan austriakët e RB Salzburg. Mërgim Berisha befasoi gjermanët që në minutën e katërt, por 45 minutat e para u mbyllën 1-2. Lewandowski dhe Kristiensen me autogolin e tij i dhanë epërsinë bavarezëve.

Okugawa për Salzburg i barazoi shifrat, por Bayern nuk mund të pajtohej me rezultatin. Boateng, Sane, sërish Lewandowski dhe Hernandez shënuan katër herë dhe bënë që ndeshja të mbyllej me rezultatin 2-6 në favor të gjermanëve.

GRUPI D – Liverpool i ka dhënë një shuplakë skuadrës së Atalantës, duke i shënuar pesë gola. Diego Jota ishte ai që shkëlqeu, duke realizuar dy herë në pjesën e parë dhe më pas ia la skenën sulmuesve Salah e Mane, për t’ia vënë vetë “kapakun” me golin e pestë. Gara për vendin e dytë mbetet e hapur, pasi Ajax ka triumfuar kundër Midtjylland me rezultatin 1-2 në transfertë dhe tani numëron katër pikë, po aq sa Atalanta.

GRUPI C – Manchester City ka bërë detyrën kundër Olympiacos, teksa ka regjistruar fitoren e tretë në ndeshjet në grupe. Ferran Torres shënoi edhe në ndeshjen e tretë, duke u vënë në rang me lojtarë si Haaland dhe Mbappe. Spanjolli shënoi në fillim të takimit, kurse Gabriel Jesus realizoi më pas edhe golin e qetësisë. Në fund Cancelo realizoi edhe golin e tretë.

Fitore edhe për Porto, që i realizoi tre gola francezëve të Marseille. Portugezët shkojnë në kuotën e gjashtë pikëve dhe ndjekin anglezët e City në grup, duke hedhur një hap përpara për kualifikimin në fazën tjetër të Champions League.

@tn.lajmelokale
@tetovanews