Ballina Shëndeti Koronavirusi Covid-19 i merr jetën aktorit të njohur shqiptar (FOTO)

Covid-19 i merr jetën aktorit të njohur shqiptar (FOTO)

Aktori i madh i teatrit dhe estradës së Fierit, Fatmir Xhelili ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit me Covid-19.

Mësohet se aktori kishte edhe sëmundje bashkëshoqëruese gjë që ka rënduar shëndetin e tij.

Për 46 vjet rresht, ai ka interpretuar përkrah emrave të mëdhenj si Fuat Boçi, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj. Fatmiri e ka nisur rrugën e artit si aktor amator.

Ai ka punuar si elektricist në uzinën e naftës në Ballsh, ndërsa pas pune angazhohej në teatër. Puna si aktor amator zinte një vend të veçante për aktorin Fatmir Xhelili.

Interpretimi me mjeshtëri i roleve që merrte, e bënë Fatmirin një figurë të dashur për publikun. Me gjithë dëshirën për të interpretuar në dramë, karrierën më të madhe ai e ka në komedi. Ishte regjisori Pellumb Kulla ai që i dha rolin e parë në komedinë me titull “Këpucët angleze”. Për kolegët, aktori Fatmir Xhelili ishte edhe një bashkëpunëtor shumë i mirë.

Fatmir Xhelili ka interpretuar gjatë karrierës së tij rreth 180 role në dramë dhe komedi, ku është vlerësuar edhe me 4 çmime të para si aktori më i mirë.

Disa nga komeditë që ai ka interpretuar rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa” e Chehovit, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri i katit 15” etj. Gjithashtu edhe në dramat “Pazari”, “Vite të paharruara”, “Fqinjët”, disa prej të cilave me regji të Serafin Fankos, Dhimitër Orgockës, Gëzim Kamës, etj.

@tn.lajmelokale
@tetovanews