Ballina Bota Po nëse Trump dhe Biden dalin barazim?

Po nëse Trump dhe Biden dalin barazim?

Nga Ruben Avxhiu

Në SHBA nuk vendos shumica popullore se kush zgjidhet president, por ato që quhen kolegje elektorale.

Janë 538 gjithësej që llogariten, nga një “kolegj” (votë) për çdo anëtar të Dhomës së Përfaqësuesve (435 të ndarë sipas popullsisë së shteteve – që shpjegon se pse disa shtete kanë më shumë peshë se të tjerët), nga një për çdo anëtar të Senatit (100 në total nga dy për çdo shtet), plus 3 për kryeqyetin Washington DC.

New York ka 29 kolegje zgjedhore, Pennsylvania 20, Wisconsin vetëm 10 e kështu me radhë.

Që të zgjidhesh president duhet të fitosh aq shtete sa të mbledhësh të paktën 270 kolegje elektorale.

Në 2016, Hillary Clinton mori tre million vota më shumë se Donald Trump, mirëpo ndërsa fitoi shumë thellë në disa shtete, Trump arriti të marrë me vetëm 150 mijë vota më shumë tre shtete kyçe që i dhanë më shumë kolegje zgjedhore. Trump fitoi 304 me 227. Ndërsa 7 shkuan për kandidatë të tjerë – të ashtuquajtur vota “të pabesa”.

Modele të mundshme statistikore tregojnë se zgjedhjet mund të dalin edhe barazim. Harta zgjedhore këtu tregon një rast të tillë, kur si Trump edhe Joe Biden kanë marrë nga 269 kolegje zgjedhore secili.

Atëhere çfarë ndodh në raste të tilla? Kush zgjidhjet president? Ja se çfarë parashikon kushtetuta amerikane:

Së pari, ndonëse rezultatet shpesh shpallen që në natën e zgjedhjeve, e marta e parë e nëntorit, votuesit e kolegjeve elektorale mblidhen vetëm “të hënën e parë pas të mërkurës së dytë të dhjetorit”. E kontrollova, këtë vit i binte në 14 dhjetor.

Në 14 dhjetor, nëse nuk ka ndonjë surprizë (kolegjet nga gjysma e shteteve kanë të drejtë me ligj të votojnë për kandidatin që duan dhe jo për atë që ka vendosur populli, mirëpo zakonisht nuk “tradhëtojnë”), konfirmohet rezultati 269-269.

Pas kësaj, sipas kushtetutës, e drejta për ta zgjedhur presidentin i kalon Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, kurse për të zgjedhur zv-presidentin i takon Senatit Amerikan.

Ky mund të jetë lajm i mirë për Joe Biden se demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuevse. Mirëpo, edhe këto nuk votohet në mënyrë individuale nga kongresistët. Votojnë shtetet.

Domethënë kongresistët nga një shtet mblidhen dhe vendosin se kujt do t’ia japin votën.

Dhe ndonëse Demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, Republikanët kanë shumicën e kongresistëve që vijnë prej në 26 shteteve, kurse demokratët vetëm në 23 prej tyre. Kurse Pennsylvania është barazim.

Nëse votohet kështu, atëhere Donald Trump mund të fitojë zgjedhjet nga votat e Dhomës. Në Senat, votohet jo me shtete por individualisht. Edhe aty kanë Republikanët shumicën, kështu që mund të rizgjidhet Mike Pence si zv-president.

Por ky nuk është i vetmi skenar.

Në 3 nëntor votohet edhe për Kongresin. Nëse Demokratët përmbysin rezultatin në disa shtete, atëhere llogaritë bëhen me Kongresin e ri, se këto votime bëhen pas 1 janarit 2021.

Dmth Dhoma mund të nxjerrë Joe Biden President, kurse Senati Mike Pence Zv-President. Pra, mund të kemi udhëheqës nga dy partitë kundërshtare.

Mirëpo, edhe Dhoma e Përfaqësuesve mund të nxjerrë një rezultat barazim. Shtetet mund të ndahen 25-25.

Çfarë ndodh atëhere. Tani jemi thellë në janar të vitit 2021.

Sipas rregullit, zv-presidenti që ka zgjedhur Senati, bëhet president i përkohshëm.

Ky mund të jetë Mike Pence, nëse Senati mbetet në duart e Republikanëve. Por, mund të jetë edhe Kamala Harris nëse Demokratët rifitojnë shumicën në Senat.

Nëse vjen data tradicionale për inaugurimin e presidentit, 20 janari, dhe Dhoma e Përfaqësuesve ende nuk e ka zgjedhur presidentin, zv-presidenti i zgjedhur nga Senati bëhet president. D.m.th Pence ose Harris.

Ka edhe një mundësi, kur barazimi bie si mallkim mbi të dy Dhomat e Kongresit. As njëra e as tjetra nuk i shpëtojnë dot barazimeve 25-25 dhe 50-50 përkatësisht në Dhomë dhe në Senat.

Atëhere, kushdo që është në krye të Dhomës së Përfaqësuesve shpallet president në 20 janar. Nëse mbetet Nancy Pelosi në krye të Dhomës edhe pas 1 janarit, atëhere ajo do të jetë presidentja e radhës në SHBA dhe asgjë nuk mund t’i ngushëllojë dot Republikanët.

Sigurisht, nëse Republikanët marrin në dorë Dhomën, ose demokratët radikalë i bëjnë përsëri sfidë Pelosit, emri mund të ndryshojë.

Këto të fundit janë padyshim ngjarje që kanë probabilitet shumë të ulët. Vështirë se skenaret e barazimit në kolegjet elektorale janë më të mëdha se 1%.

Mirëpo, ekziston mundësia dhe 2020 ka qenë një vit kaq i tmerrshëm saqë çdo katastrofë duket e mundshme, përfshi edhe ato të natyrës kushtetuese.

Votë të mbarë!

@tn.lajmelokale
@tetovanews