Disa ditë më parë, me anë të një postimi në Instagram, Agron Llakaj bëri të ditur se ai dhe e shoqja kanë kaluar Koronavirusin.
Aktori tregoi se kanë qenë të infektuar për 20 ditë, nën kujdesin e vajzës së tyre, Alkidës.
Ai ka dhënë një intervistë për Anila Çelën në “News24”, ku ka treguar se së bashku me të shoqen kishin temperaturë që prej tre ditësh.
Vajza e tyre i kishte bindur që t’i nënshtroheshin testit, nga i cili rezultuan pozitivë.
‘Edhe ne si shumë të tjerë u bëmë pjesë e këtij realiteti, 2-3 ditë kishim temperaturë. Unë isha më i pakujdeshëmi sepse isha i rrëmbyer nga puna në kuptimin e vlerësimit të kësaj situate. Vajza ime këmbëngulte që të shkonim të bënim tamponin. Kështu në ditën e tretë të simptomave ne bëmë tamponin dhe dolëm pozitiv, sa po ktheheshim nga stërvitja 11 km ecje, pra ishim energjikë. Prej atij momenti u vetëkarantinuam për të respektuar të tjerët”- është shprehur Llakaj.
‘Nuk e bëra publike lajmin, qëndrova i heshtur, por mungesa ime në televizion u kuptua dhe njërëzit pyesnin ku është. Nuk duhet kuptuar sikur të jesh me Covid-19 është si të jesh me kolerë. Qëndruam 14 ditë të izoluar, le të thëmi që ishte nja kalim i moderuar, nuk mund ta themi i lehtë por as i rënduar jo, e morëm me sportivitet. Unë, gruaja dhe mbesa ime qëndruam të mbyllur në shtëpi. Erdhi një moment që u rënduam dhe vajza ime na tha se vinte të na shërbente edhe pse ajo nuk ishte e prekur me koronavirus. Na tha le ta marr, unë do t’ju përgjigjem dhepër 5 ditë na ka qëndruar pranë vajza. Nuk ka diçka specifike Covid-19 secili e kalon në mënyrën e tij. Në ditën e 12-të bëmë nëj skanser se kishim dhe kollë. Doli që kishim një prekje të lehtë të mushkërive. Bëmë një antibiotik 3 ditorë rritëm elementët e hollimit të gjakut dhe ditën e 16-të unë dola në punë”- shtoi më tej aktori i humorit.
Aktori falenderoi dhe stafin mjekësor për kujdesin e madh që treguan ndaj tij dhe bashkëshortes.
“Natyrisht unë shpreha mirënjohjen për gjithë ekipin dua t’i themi gjërat siç janë. Nuk mendoj se një qytetar i thjeshtë mund të kishte mundësitë që m’u ofruan mua. Tani dhe këtë duhet ta bëjmë diferencën, ndaj dhe thashë shyqyr që kemi shok dhe miq”, është shprehur Llakaj.