Ballina Teknologji 2020, viti kur mediat sociale u bënë “Ministria e së Vërtetës”?

2020, viti kur mediat sociale u bënë “Ministria e së Vërtetës”?

Nga Fraser Myers “Spiked Online”

Në këtë vit të bllokimeve nuk janë kufizuar vetëm lëvizjet, jeta sociale dhe puna jonë. Edhe Big Tech, kompanitë e mëdha të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, i kanë shtuar përpjekjet e tyre për të çensuruar ato që mund të themi dhe lexojmë.

Dy çështje kanë qenë në veçanti thelbësore në luftën e përshkallëzuar të Silicon Valley ndaj mendimit sipas tyre të gabuar:pandemia e Covid-19 dhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Tani është e vështirë të imagjinohet koha kur drejtori i menaxhimit të “Twitter” deklaroi me krenari se platforma e tij e mediave sociale do të jetë “krahu i fjalës së lirë i partisë së fjalës së lirë”.

Që atëherë, fjala e lirë ka pësuar disa “vdekje”dhe shumë çensurime. Fillimisht, “vidat” e shprehjes së lirë u shtrënguan nën maskën e eleminimit të “gjuhës së urrejtjes”. Por këtë vit, preteksti kryesor për censurimin është bërë “keqinformimi”.

Që nga shfaqja e pandemisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar mbi një kërcënim paralel për shëndetin -“infodeminë”.Ekzistonte frika se lajmet e rreme mbi koronavirusin mund të minonin përpjekjet dhe mesazhet sensibilizues të autoriteteve të shëndetit publik drejtuar qytetarëve, dhe të inkurajonin sjellje të pamatura.

Por kush e përcakton atë që llogaritet si “keqinformim” mbi Covid-19? Sigurisht, gjërat e para që do të merreshin offline ishin padyshim të pakuptimta, si teoritë e komplotit të David Icke që e lidhnin virusin e ri me rrjetin 5G. Por shpejt u bë e qartë se keqinformimi në thelb do të përkufizohej si çdo gjë që bie ndesh me autoritetet.

Në muajin prill, Facebook filloi që të fshinte faqet dhe postimet të cilat ishin përdorur për të organizuar protesta kundër bllokimit. Në fakt, kompania pyeti institucione të ndryshme të shtetit amerikan për të konstatuar cilat postime duhej të hiqeshin.

Çdo tubim i reklamuar që nuk “ndiqte parametrat shëndetësorë të vendosur nga qeveria”, ishte “pra i paligjshëm”ndaj postimi duhej fshirë. Në thelb, kjo ishte çensura e shtetit e transferuar në sektorin privat.

Kur u pyet se çfarë përbën një keqinformim, drejtuesja ekzekutive e YouTube Susan Wojcicki, tha se platforma e saj do të heqë “çdo gjë që është e pabazuar nga ana mjekësore”, si dhe ”çdo gjë që bie ndesh me rekomandimet e OBSH-së”.

Por këto janë dy gjëra tërësisht të ndryshme. Përgjatë pandemisë, OBSH-ja ka ndryshuar disa herë mendje mbi dobinë e bllokimeve dhe maskave të fytyrës (këto të fundit për shkak të lobimit politik sesa provave shkencore).

Në janar, OBSH i bëri jehonë pikëpamjes së autoriteteve kineze se nuk kishte “asnjë provë të qartë të transmetimit nga njeriu te njeriu të koronavirusit të ri”, një deklaratë e cila nëse do të dilte nga goja e një përdoruesi të thjeshtë të YouTube, me siguri që sot do të ndalohej si një keqinformim.

Sipas këtyre rregullave të keqinformimit, YouTube ka hequr dhe ndaluar gazetarët skeptikë ndaj masës së bllokimeve, mjekët, madje edhe ish zyrtarëve tëOBSH-së. Kur diçka ishte e saktë nga pikëpamja mjekësore, por shkonte kundër qeverisë ose udhëzimeve të OBSH-së, atëherë platformat e mediave sociale dilnin në krah të autoriteteve.

Për shembull, një artikull që fliste mbi një provë të madhe kontrolli mbi efikasitetin e maskave kundër Covid-19, shkruar nga Carl Heneghan dhe Tom Jefferson i Qendrës së Universitetit të Oksfordit për Mjekësinë e Bazuar në Prova, u deklarua nga Facebook si

një“keqinformim”.

Testet e kontrollit të rastësishëm, cilësohen zakonisht si standardi i artë i provave mjekësore, por mesa duket jo për “kontrolluesit e fakteve”në mediat sociale. Më pas lufta e mediave sociale kundër keqinformimit kaloi në ekstrem në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Në muajin maj, Twitter filloi të kontrollonte postimet e presidentit amerikan Donald Trump, duke i paralajmëruar përdoruesit në lidhje me pretendimet e tij se zgjedhjet e ardhshme do të manipuloheshin kundër tij.

Sigurisht që kjo ishte e pakuptimtë, por lëvizja e Twitter përfaqësoi një ndërhyrje shqetësuese dhe të paparë në demokraci. Dhe gjërat u përkeqësuan. Në fund të korrikut, Twitter filloi të hiqte plotësisht disa nga postimet e Trump, me arsyetimin e përhapjes së keqinformimeve në lidhje me koronavirusin.

Kur zgjedhjet u afruan, kompanitë e mediave sociale morën vendimin e frikshëm për të hequr dhe ndaluar histori që ishin të vërteta, por që ishin politikisht të papërshtatshme. Shumë njerëz kishin fajësuar Facebook dhe Twitter për fitoren tronditëse të Trumpit në presidencialet e vitit 2016.

Ata i akuzuan kompanitë për lejimin e lajmeve të rreme, dhe dështimin për të dalluar “robotët”e huaj. Natyrisht, asnjë nga këto gjëra nuk mund të shpjegonte në fakt revoltën e kutive të votimit. Por platformat ishin të vendosura që të mos fajësoheshin më kurrë nga të tjerët.

Në mesin e tetorit, gazeta “The New York Post” publikoi dosjen e saj mbi Hunter Biden. Email-et e gjetura në laptopin e tij, sugjerojnë që Biden Jr ishte në gjendje t’i jepte qasje babait të tij, Joe Biden, tek paratë që fitonte nga bizneset e tij në Ukrainë dhe Kinë.

Këto ishin akuza për korrupsion kundër njërit prej kandidatëve presidencialë. Por Silicon Valley u mobilizua me shpejtësi për të çensuruar këtë çështje.

Drejtori i komunikimit në Facebook, Andy Stone, njoftoi se “ne po zvogëlojmë shpërndarjen e saj në platformën tonë” si pjesë e “procesit tonë standard, për të reduktuar përhapjen e keqinformimit”. Historia ishte “e përshtatshme për t’u kontrolluar mbi faktet që ofronte”, por që nga ajo kohë nga Facebook nuk ka pasur asnjë përditësim, pavarësisht se Hunter po përballet tani me një hetim federal.

Twitter shkoi edhe më tej për të ndaluar përhapjen e kësaj historie. Kompani bllokoi lidhjen e përdoruesve me këtë histori, dhe ata e kishin të pamundur të postonin foto nga raportet e investigimit. Edhe përdoruesit që klikonin mbi linqet që ishin postuar tashmë u thuhej se “Ky link është identifikuar nga Twitter apo partnerët tanë si potencialisht i dëmshëm, pasi mund të përmbajë viruse të rrezikshme për pajisjet tuaja”.

Ky mesazh u përditësuar më vonë ku thuhej:“Lidhja që po përpiqeni të përdorni është identifikuar nga Twitter apo partnerët tanë si potencialisht e paqartë ose e pasigurt”.Llogaria e “New York Post”u mbyll për disa javë, duke ndaluar kështu një nga gazetat më të vjetra të Amerikës (e themeluar nga Alexander Hamilton) që të mos postonte asnjë prej historive të saj në Twitter.

Kur sekretarja e shtypit e Donald Trump, Kayleigh McEnany, e postoi në Twitter historinë nga llogaria e saj personale, edhe ajo u mbyll shumë shpejt. Shumë nga akuzat nuk u mohuan asnjëherë nga ekipi i Biden.

2020-a, ishte viti kur gjigantët e mediave sociale treguan vërtet “dhëmbët”. Facebook dhe Twitter pushuan së qeni lehtësues të debatit dhe diskutimit, dhe në vend të kësaj vendosën në emrin tonë se çfarë ishte e vërtetë apo e gabuar. Ky është një zhvillim i rrezikshëm. (abc)

@tn.lajmelokale
@tetovanews