Ballina Bota Akti i fundit i Trump-it: si po e pajton Katarin me Arabinë...

Akti i fundit i Trump-it: si po e pajton Katarin me Arabinë Saudite

Katari dhe Arabia Saudite janë afër një marrëveshje paraprake për t’i dhënë fund një mosmarrëveshje që ka zgjatur për tre vjet, thanë burimet për Al Jazeera.

Marrëveshja e pritur vjen pasi këshilltari i Presidentit Donald Trump, njëherësh dhëndëri Jared Kushner, mbërriti në Gji si pjesë e një përpjekje të fundit nga administrata aktuale për të zgjidhur krizën e Gjirit përpara lënies së Shtëpisë së Bardhë në janar.

Turneu i Kushner përfshiu takime me Princin e Kurorës saudite Mohammed bin Salman në Riad më parë këtë javë, si dhe me Emirin e Katarit Sheik Tamim bin Hamad Al Thani në Doha të mërkurën.

Po të mërkurën, Wall Street Journal (WSJ) citoi zyrtarë amerikanë të thoshin se fokusi kryesor i bisedimeve do të ishte lejimi i avionëve të Katarit që të fluturojnë në hapësirën ajrore të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Bloomberg njoftoi se marrëveshja e parë nuk do të përfshijë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Egjiptin, të cilat, së bashku me Arabinë Saudite, bllokuan Katarin.

Në qershor 2017, të katër vendet ndërprenë të gjitha lidhjet diplomatike dhe tregtare me Katarin dhe vendosën një bllokadë në tokë, det dhe ajër, duke akuzuar Doha për mbështetjen e terrorizmit dhe lidhje të ngushta me Iranin.

Doha hodhi poshtë të gjitha akuzat si të pabazuara dhe theksoi gatishmërinë e saj për dialog.

Katër kombe vendosën një ultimatum me 13 pika për Katarin, i cili përfshinte dhe mbylljen e Al Jazeera-s.

WSJ tha se këto vende kishin lehtësuar kërkesat e tyre për të hequr bllokadën, duke thënë se Riadi kishte treguar më shumë vullnet për të gjetur gjuhë të përbashkët në zgjidhjen e krizës.

“Ky lajm i marrëveshjes së pritur është një hap i madh në drejtimin e duhur që të paktën hap rrugën për përpjekjet për të zgjidhur një konflikt që mund të zgjasë me vite,” i tha Al Jazeera-s Andreas Krieg, një profesor në Universitetin King College në Londër.

“Ky njoftim do të thotë kryesisht se kushtet do të pranohen nga të dy palët, të cilat do të tregojnë sinqeritetin e Katarit dhe Arabisë Saudite për t’u zotuar për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes.”

“Këshillat bilaterale mund të shërbejnë si një forum për zgjidhjen e mosmarrëveshjes pas dyerve të mbyllura. Eshtë thelbësore që të ketë mekanizma për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për të siguruar që ky episod i krizës së Gjirit të jetë i fundit. Vetëm pas kësaj periudhe tranzicioni të dy palët në të vërtetë do të fillojnë bisedimet se si t’i japin fund krizës”, tha Krieg.

Ai theksoi se mosmarrëveshja ideologjike në Gji ekziston midis Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe e jo aq shumë midis Katarit dhe Arabisë Saudite.

“Emiratet nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të angazhohen për asgjë në këtë moment dhe janë lënë qëllimisht jashtë çdo ndërmjetësimi të kryer nga Kuvajti dhe amerikanët. Kjo mund t’i lërë Emiratet e Bashkuara Arabe të izoluara siç ishte pas episodit të krizës së Gjirit 2014, duke dërguar një sinjal të gabuar te Biden”, tha Krieg.

Ministri i Jashtëm i Katarit Sheik Mohameed bin Abudlrahman Al Thani konfirmoi dy javë më parë se Doha e mirëpriti dialogun për sa kohë që ai po ndërtohet duke respektuar sovranitetin e Katarit. Ai shpjegoi se asnjëra palë nuk përfiton nga vazhdimi i krizës.(Tesheshi)