Ballina Bota ANALIZA: Si do të jenë raportet SHBA-Turqi gjatë presidencës Biden?

ANALIZA: Si do të jenë raportet SHBA-Turqi gjatë presidencës Biden?

Nga Kurt Volker

Për dekada, Turqia ka qenë një aleate ndonjëherë e vështirë, por gjithnjë strategjike e Shteteve të Bashkuara, dhe një anëtare kryesore e NATO-s. Në fakt një aleate strategjike, pasi me një ushtri të madhe dhe me një pozitë gjeografike të një rëndësie jetike, Turqia siguroi një mbrojtje kundër Bashkimit Sovjetik, dhe një dritare drejt Lindjes së Mesme dhe Iranit.

Nga ana tjetër ka qenë një aleate e vështirë, për shkak të rolit dominues të ushtrisë në demokracinë turke, abuzimeve me të drejtat e njeriut, mosmarrëveshjeve territoriale me Greqinë, mosmarrëveshjes mbi Qipron Veriore (që i ndërlikon marrëdhëniet NATO-BE) dhe ekonomisë vazhdimisht në ulje-ngritje të vendit.

Pas fundit të Luftës së Ftohtë, u duk për një farë kohe sikur demokracia dhe ekonomia e Turqisë më në fund po maturohej, dhe se ky vend do të kishte një marrëdhënie të ngushtë me Bashkimin Evropian, ndoshta si një anëtare e unionit, apo me gjasë si një partnere e rëndësishme tregtare dhe investimesh si një fuqi rajonale.

Edhe Shtetet e Bashkuara ruajtën një marrëdhënie të ngushtë me Turqinë, sidomos me ushtrinë e saj, gjatë dhe pas Luftës së parë të Gjirit. Turqia përfaqësonte një model unik të një demokracie të qëndrueshme me një shumicë myslimane në një zonë gjithnjë e më të trazuar.

Vendi po bëhej më demokratik, më i prosperuar dhe më i njëmendtë me Perëndimin.

Kjo trajektore pozitive, mori një kthesë të fortë negative, duke filluar nga mesi i viteve 2000. Partia AKP futi Islamin në politikën turke. Shtetet e Bashkuara dhe Turqia u përplasën në lidhje me luftën në Irak në vitin 2003.

Të dyja palët janë distancuar edhe më shumë nga njëra-tjetrën mbi luftën në Siri, me Turqinë që akuzon Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e grupeve terroriste kurde. Ankaraja e ka fajësuar gjithashtu Uashingtonin për përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit në vitin 2016, për shkak të mbrojtjes së atij që Erdogan e cilëson si organizatorin e grushti, klerikun Fetullah Gulen.

Turqia ka blerë nga Rusia raketat e mbrojtjes ajrore S-400, ka ndërhyrë ushtarakisht në Libi, Siri dhe Nagorno-Karabak, dhe është përpjekur të ndërtojë një rol si një fuqi rajonale që mbështet lëvizjet politike myslimane sunite.

Kjo qasje e ka vënë Turqinë përballë Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, vetëm sa për të përmendur vetëm shtete në rajon, ndërsa e ka afruar me Katarin, shtet që ka mosmarrëveshjet e tij të shumta me shtetet e tjera të Gjirit Persik.

Edhe pse bleu sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, Ankaraja është rreshtuar në anën e kundërt të Moskës, në Libi dhe Siri, në lidhje me çështjen e Krimesë, por edhe në lidhje me konfliktin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Pasi rrëzuan një avion luftarak rus mbi hapësirën ajrore turke në vitin 2015, ushtarët turq do të sigurojnë tani sigurinë e poste ushtarake në Nagorno-Karabak, së bashku me “paqeruajtësit” rusë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, e kanë kritikuar presidentin Erdogan për shtypjen e lirisë së shtypit, nxitjen e korrupsionit dhe dobësimin e demokracisë në Turqi, që gjë e ka distancuar më tej këtë të fundit nga Uashingtoni dhe Brukseli.

BE e fajësoi Turqinë se dështoi të ndalë fluksin e refugjatëve sirianë drejt Evropës, dhe tani ka nënshkruar një pakt, në bazë të të cilit e paguan Turqinë për t’i mbajtur ata në kampe, në pjesën lindore të vendit.

Me gjithë këto divergjenca dhe ankesa të grumbulluara, nuk është çudi pse marrëdhëniet SHBA-Turqi nuk kanë arritur të përmirësohen gjatë viteve të fundit. Por tani gjërat mund të ndryshojnë në një mënyrë të tillë, që t’i japin administratës Biden një mundësi të re për t’u angazhuar me Turqinë.

Së pari, në kushtet kur Shtetet e Bashkuara po synojnë të tërhiqen nga Siria dhe Iraku, mosmarrëveshja me Turqinë rreth grupeve kurde në Siri bëhet më pak problematike, ndërsa SHBA-ja do të duhet të mbështetet tek Turqia si fuqia më e rëndësishme në rajon, për të parandaluar kërcënimet e sigurisë, si dhe për të ruajtur interesat e SHBA-së dhe Evropës.

Së dyti, gjatë vitit të kaluar ka pasur pak “dashuri” në marrëdhënien dashuri-urrejtje me Rusinë. Turqia mund të jetë më e interesuar në forcimin e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, si një lloj garancie kundër lëvizjeve ruse në rajon. Mund të ketë ende hapësirë për të negociuar një zgjidhje mbi qëndrimin aktual ndaj raketave ruse S-400 (dhe mungesës e qasjes së Turqisë tek avionët luftëtarë amerikanë F-35).

Së treti, ekonomia dhe financat turke janë sërish në telashe. Ndërsa Erdogan mund të mbështetet tek popullariteti ende në nivele të kënaqshme në publik, dhe ka luksin të armiqësohet me Evropën gjatë kohërave ekonomikisht të prosperuara, ai do të duhet të ndryshojë kurs për ta ringjallur ekonominë turke.

Pavarësisht sjelljes agresive të Erdogan mbi mosmarrëveshjet territoriale me ndikim të drejtpërdrejtë në depozitat e gazit në Mesdheun Lindor, Turqia do të ketë interes në negocimin e një zgjidhje, në mënyrë që të mund të realizojë fitime në një periudhë afatshkurtër.

Së katërti, dhe më e rëndësishmja, pushteti i Erdoganit në Turqi ka të ngjarë të marrë fund gjatë kursit të administratës Biden. Gjatë një vizite që zhvillova kohët e fundit në Stamboll, unë u habita se sa shumë njerëz – qofshin ata që ishin duke bashkëpunuar me qeverinë Erdogan, apo ata që e kundërshtonin atë – besonin se udhëheqja e Erdoganit të Turqi do të marrë fund gjatë 1-3 viteve të ardhshme.

Pavarësisht gjithë ndryshimeve që janë shfaqur në Turqinë e Erdoganit, gjatë viteve të fundit, në një nivel bazik, interesat e SHBA-së dhe Turqisë mbeten të harmonizuara në aspektin strategjik.

Me një udhëheqje të re në Shtetet e Bashkuara, dhe ndoshta edhe në Turqi, mund të ketë një shans për një dialog të ri, për të vendosur “gjithçka në tryezë” midis bashkëbiseduesve të rinj, nga e cila mund të përfitojnë të dyja vendet – si dhe BE, NATO dhe rajoni më i gjerë përreth Turqisë. / “Center for European Policy Analysis”

@tn.lajmelokale
@tetovanews