Nga Ognyen Georgiev*
Svilengradi është një qytet i vogël bullgar me rreth 18 000 banorë, në kufi me Turqinë. Është i njohur në mënyrë të veçantë për dy elementë: kazinotë dhe zakonet. Dhe si shumë qytete të tjerë të vegjël në Evropën Qendrore dhe Lindore, për shkak të emigrimit, Svilengradi i ka humbur shumë prej qytetarëve të tij përgjatë dekadave të fundit. Megjithatë, këtë pranverë, ndodhi diçka krejt e papritur: pati një bum të popullsisë. “Ata janë kthyer prej gjithandej, kryesisht nga Evropa Perëndimore”, thotë Anastas Karchev, kryebashkiaku i Svilengradit, në një bisedë telefonike në nëntor.
Nuk është se Svilengrad është kthyer në Las Vegas brenda natës, duke tërhequr pasanikët e Britanisë apo Francës. Përkundrazi, qyteti është vetëm një nga shumë vendet e prekura nga migrimi i COVID-19, një cunami i qetë që ka përfshirë pjesën lindore të kontinentit Evropian së bashku me pandeminë.
Ky trend filloi të binte në sy për herë të parë në sy në fund të marsit. Në atë kohë, një zyrtar bullgar i përfshirë në përpjekjet për të luftuar pandeminë njoftoi se dhjetëra mijëra bullgarë ishin kthyer në vendin e tyre. Në fillim të verës u kthyen edhe qindra mijëra ukrainas. Valë të ngjashme përfshinë pjesën tjetër të rajonit.
Për të kuptuar më mirë natyrën e këtij kthimi, ekipi im në zyrën e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme në Sofje, Bullgari, shqyrtoi të dhënat nga Bullgaria midis marsit dhe majit të këtij viti, datat e karantinës së parë në të cilën hyri vendi. Ne supozuam se kushdo që ishte i gatshëm të mbërrinte në pikat e kontrollit të vendit, me një transport që nuk funksiononte normalisht dhe 14 ditë karantinë në atë periudhë, kishte pak gjasa të ishte turist apo të udhëtonte për biznes. Të dhënat e qeverisë tregojnë se, në atë periudhë, rreth 550 000 shtetas bullgarë u kthyen në vendin e tyre. Të dhënat e hollësishme janë në dispozicion për rreth 150 000 prej tyre. Duke përjashtuar kalimet përmes kufirit me Greqinë, rruga kryesore tregtare dhe turistike, shifra që doli nga studimi ishte rreth 121 000 njerëz.
Duke parë të dhënat – veçanërisht të dhënat për karantinat – u bë mjaft e qartë pse Svilengradi dhe qytete të tjera si ai kishin filluar të mbusheshin me njerëz. Në shumë vende, të kthyerit e karantinuar ishin të barabartë me midis 4 dhe 8 për qind të popullsisë në moshë pune. Duke qenë se vetëm rreth gjysma e njerëzve që u kthyen në vend ishin në karantinë, dhe se të dhënat nga marsi ishin të pakta, shifrat reale ishin sigurisht shumë më të larta.
Përmes intervistave në mediat sociale me të kthyerit e disponueshëm për të folur, studimi ynë zbuloi se deri tani arsyeja më kryesore e kthimit ishte një “dëshirë për të qenë me familjen dhe të afërmit” – e kuptueshme duke pasur parasysh gjendjen e frikshme në të cilën u gjet bota. Arsyeja e dytë më ishte “humbja e punës”. Kur u pyetën nëse kishin ndërmend të ktheheshin sërish në Evropën Perëndimore, mbi 10 për qind e të anketuarve thanë, “Jo”. Rreth 16 për qind thanë se ishin të pavendosur. Midis atyre që kishin jetuar jashtë për më shumë se një vit, përqindjet ishin 19 për “jo” dhe 47 për qind të pavendosur.
Në të gjithë botën, ky fenomen ka njohur lulëzim: Më shumë se 2.1 milionë indianë, 600 000 afganë dhe shumë të tjerë – veçanërisht punëtorë migrantë – janë kthyer në shtëpi gjatë pandemisë, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin. Në shumë raste, ky efekt pritet të zhduket për një ose dy vjet; me rimëkëbëmbjen e shëndetit dhe ekonomisë globale, migrantët përsëri do të zhvendosen nga vendet në zhvillim drejt vendeve të zhvilluara. Por tre gjëra e bëjnë këtë valë emigrimi të dallojë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Së pari, në Evropën Lindore, kjo tendencë ka kohë që ka nisur. Ky rajon është më i prekuri në botë për sa i përket rënies së popullsisë dhe migrimit të jashtëm. Në fakt, është i vetmi rajon që ka parë një rënie të popullsisë në tre dekada radhazi. Në shumë mënyra, kjo ishte pjesë e marrëveshjes me BE: Ju merrni paratë, por humbni njerëzit, pasi ata migrojnë drejt Perëndimit për mundësi dhe mënyra më të mira jetese. Fenomeni që njihet si “ikja e trurit” i bëri ndarjet brenda BE-së edhe më të thella. Ai i la ekonomitë e vendeve lindore të luftojnë për të gjetur fuqi punëtore, në mënyrë që të rritet në ritmin e duhur për të arritur homologët më të pasur perëndimorë dhe për të mbajtur talentin e tyre në brenda vendit. Disa rajone rezultuan pak a shumë “shkretëtirë”, me një spektër të tërë problemesh shoqërore dhe politike që buronin nga kjo.
Sidoqoftë, në dy vitet e fundit, falë rritjes së standardit të jetesës në Lindje dhe pabarazisë midis Lindjes dhe Perëndimit që filloi të zbehet, gjithnjë e më shumë qytetarë vendosën të kthehen në vendet e tyre. Të dhënat e migracionit të brendshëm të BE-së para koronavirusit janë jashtëzakonisht të vështira për t’u gjetur, megjithatë në nëntë nga 11 vendet anëtare post-komuniste të BE-së, emigracioni neto ka rënë që nga viti 2010. Migrimi në Britaninë e Madhe – një “magnet” i fuqishëm për europiano-lindorët – ra gjashtëfish në 2017 krahasuar me vitet e mëparshme.
Së dyti, ekonomitë e Evropës Lindore mund të jenë në gjendje të thithin të paktën një pjesë të valës së re. Ndryshe nga ekonomitë në stanjacion në Amerikën Latine, për shembull, shumë nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë rritur në mënyrë të qëndrueshme. Ndryshe nga Azia, ndërkohë, ku pagat kanë mbetur të ulëta dhe kjo po i pengon emigrantët të shkojnë, problemi kryesor parapandemik midis bizneseve në Evropën Lindore ishte mungesa e fuqisë punëtore, e cila nga ana tjetër rriti pagat. Duke pasur parasysh tendencat për shkurtimin e zinxhirëve të furnizimit, ku gjithnjë e më shumë mallra të shitura në BE ka të ngjarë të prodhohen ose montohen në Evropë, fluksi i punëtorëve do të jetë më se i mirëpritur.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, anëtarësimi në BE luan rol. Asnjë rajon tjetër që funrizon me punëtorë nuk është aq i lidhur me rajonet që marrin punëtorë ashtu si Evropa Lindore me Evropën Perëndimore. Lëvizja brenda BE është relativisht e lirë dhe pa probleme, gjë që do të ndikojë ndërsa njerëzit planifikojnë të ardhmen e tyre të afërt dhe vendosin nëse ia vlen të qëndrosh dhe të provosh, edhe për ca kohë. Migrimi është zëvendësuar nga lëvizja, pasi Bashkimi Evropian po funksionon gjithnjë e më shumë si Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim. Kjo do të thotë që qytetet në Lindje nuk janë më viktima, por janë lojtarë aktivë në një betejë për talentet e nivelit të lartë, si dhe fuqinë punëtore të nivelit më të ulët. Dhe shumë prej tyre kanë përfitime të tilla si kosto më të ulët jetese, nivele më të ulëta të papunësisë dhe (sidomos për shtetasit e tyre, siç tregoi pandemia COVID-19) joshjen e rrjeteve të mbështetjes emocionale.
Pyetja që u del tani atyre që hartojnë politikat është se si ta menaxhojnë këtë fluks të papritur të njerëzve. Tani për tani, autoritetet lokale dhe kombëtare duhet ta zhvendosin fokusin nga politikat afatgjata në masa afatshkurtra, në mënyrë që të përpiqen të mbajnë një pjesë të atij kapitali njerëzor që është kthyer. Idetë mund të huazohen nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që kanë një histori të gjatë të tërheqjes së talenteve. Akses i lehtë për hua me normë të ulët ose pa interes; subvencione direkte dhe lehtësime tatimore për njerëzit që kanë dhënë prova se duan të qëndrojnë për periudha më të gjata; dhe ndihma administrative për gjetjen e vendeve për të jetuar, shkollat lokale dhe kopshtet janë thelbësore. Përpjekje si këto nuk kërkojnë injeksione të mëdha financiare. Dhe çdo iniciativë si këto mund të shfrytëzojë Programin e Rimëkëmbjes dhe fondet React të BE, të cilat kanë gati miliarda euro për çështje të tilla.
Në Svilengrad, Karchev tha se nuk e di se sa nga të kthyerit do të qëndrojnë. Megjithatë, ai e di se “pagat janë ngritur në qiell vitet e fundit në kompanitë tona lokale dhe unë kam njerëz që më thonë se tani është njësoj si të jetosh në Spanjë nëse e rregullohet barazia në blerjen e energjisë”. U desh një pandemi për ta zbuluar këtë, por efektet pozitive për rajonin mund të zgjasin me breza.
*Ognyen Georgiev është anëtar i përkohshëm në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë
Foreign Policy-Përktheu: Gazmira Sokoli