Ballina Sport Nga COVID-i te goli ndaj Juves, Uzuni rrëfen vitin e ëndrrave: Ju...

Nga COVID-i te goli ndaj Juves, Uzuni rrëfen vitin e ëndrrave: Ju tregoj 2 momentet më të veçanta të 2020-ës

Një vit ëndrrash. Gol në Torino, me Ronaldon në fushë dhe festë “Siummm” njësoj si ylli portugez. Pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve, duke shënuar që nga ndeshjet vendimtare në fazat kualifikuese, deri në grupe ndaj Juves. Myrto Uzuni po përmbyll vitin më të suksesshëm në karrierën e tij.

Në një intervistë për Panorama Sport”, beratasi tregon periudhën e festave, objektivat e vitit të ri si dhe çfarë duhet të bëj Shqipëria përballë skuadrave si Anglia dhe Polonia.

Uzuni, ku po e kaloni këtë periudhë festive të vitit?

Festat jam duke i kaluar me familjen time në Berat. Jam rikthyer nga Hungaria për të qëndruar disa ditë pushim. Nesër (Sot) do të nis pak stërvitje individuale, që pavarësisht periudhës së pauzës, të mos e humbas plotësisht ritmin.

Kur duhet të riktheheni tek ekipi?

Në këtë rast, duke qenë se nuk jemi nga një vend në Europë, jam më i penalizuar sesa pjesa tjetër e shokëve të mi të ekipit. Unë duhet të rikthehem më 31 dhjetor në Hungari, pasi më duhet të kryej dy herë testet anti-COVID. Pra, dy teste me distancë 48 orë nga njëri-tjetri. Pjesa tjetër e shokëve të mi që vijnë nga vende të Bashkimit Europian, kthehen më 3 janar, vetëm 1 ditë para nisjes për në fazën përgatitore.

Myrto, si ka qenë ky vit për ju?

Ky vit ka qenë fantastik nga aspekti sportiv. Unë do ta cilësoja si vitin më të mirë në karrierën time. Në kampionat, me Ferencvaroshin jemi në kryesim dhe të shkëputur me pikë nga vendi i dytë. U kualifikuam në grupet e Ligës së Kampionëve. Personalisht arrita të shënoj gola të rëndësishëm për klubin dhe pa dyshim që e veçoj si më të mirin deri më tani.

Nëse i vendosni një notë, cila do të ishte?

Nuk po vendos nota, por le të them që ka qenë sezoni ku jam ndierë më mirë. E kam shijuar dhe më është shpërblyer më shumë se çdo herë tjetër çdo sakrificë që kam bërë. Ecuri e mirë me Lokomotivën në start, më pas Ferencvaroshi dhe kualifikimi në grupe, ndeshjet e mira atje dhe tanimë ecuria mjaft pozitive në kampionat. E vlerësoj edhe për faktin se u ambientova shpejt dhe po tregoj vlerat e mia, që në muajt e parë me një ekip të ri.

Cili ka qenë momenti më i bukur i këtij viti për ju?

Të gjithë mund të mendojnë që kam një, por unë zgjedh dy të tillë. Pa diskutim që momenti i golit në Torino ka qenë një kornizë ë mrekullueshme për këtë vit. Por, unë veçoj edhe golin ndaj Dinamos Së Zagrebit, për vetë rëndësinë që ai pati për skuadrën e Ferencvaroshit.

Çfarë synimi ka “regjistruar” Uzuni për vitin 2021?

Çdo herë, në jetë jam mësuar që të mos kënaqem me ato që kam por të synoj dhe të kërkoj që të arrij edhe më shumë sesa kaq. Duke ditur karakterin tim, mentalitetin që kam, unë kam gjithmonë synime sa më të larta. Për momentin, dua që të shënoj sa më shumë gola me Ferencvaroshin, të shpallemi kampionë dhe pse jo të fitojmë edhe Kupën. Me urimin që t’i realizoj të gjitha këto, më pas do të shohim edhe se çfarë mund të na sjellë vera…

Në short, Kombëtarja do të jetë ndaj Anglisë dhe Polonisë. Si e mendoni shortin?

Sipas meje është një grup shumë i fortë ku sigurisht do të veçoja Anglinë, si skuadra absolute për forcën që ka aktualisht në futbollin europian dhe botëror. Normalisht, edhe Polonia dhe Hungaria janë goxha të forta. Megjithatë, unë mendoj se Shqipëria duhet të luajë shanset e veta. Futbolli e ka treguar se ndonjëherë nuk kanë rëndësi vlerat në merkato apo as emrat.

Ka ndodhur edhe më parë me Shqipërinë që të arrijë objektiva madhorë, si në 2016-ën që ishte pjesë e Europianit, ndaj duhet të mendojmë vetëm që të japim më të mirën tonë në fushë për çdo 90-minutësh. Nëse ne të gjithë jemi të bashkuar dhe japim maksimumin, mund të arrijmë objektiva të rëndësishëm.

Keni disa lojtarë të Hungarisë në ekip. Si është ajo kombëtare dhe çfarë keni biseduar me hungarezët e Ferencvaroshit?

Janë ekip i mirë dhe realisht më kanë ngacmuar çunat që kam te Ferencvaroshi duke më thënë që “është më mirë të mos luash fare kundër nesh”. Sigurisht me batuta mes shokësh.

Jeni dorëzuar në këtë debat me ta?

Normalisht që jo. Megjithatë, ju kam thënë vetëm që “do jetë ndeshje e veçantë të luaj kundër tyre” dhe ja kemi lënë gjithçka fushës në të dyja ndeshjet.

Si e kujtoni periudhën e frikës gjatë këtij viti, jeni trembur më tepër kur nisi pandemia në mars apo kur ju zuri COVID-i?

Ka qenë vit i frikshëm dhe shumë i vështirë për të gjithë. Sa i përket pyetjes suaj, më shumë jam trembur kur më zuri vetë COVID-i. U tremba realisht shumë, pasi frika më e madhe ishte se kisha familjarët e mi pranë. Pra, në momentin kur vetë rezultova pozitiv, nisa të trembem dhe frikësohem për ata, duke qenë se ishin pranë meje në Hungari.

Ferencvaroshin e shihni si moment kulmor të karrierës suaj apo si trampolinë për destinacion më të mirë?

Nuk e mendoj dhe shpresoj që të mos jetë kulmi apo finishi i suksesit tim te Ferencvarosh. Unë, thjesht me Ferencvaroshin dua të shënoj sa më shumë, të fitoj dy titujt që përmenda më lart dhe të kem një CV sa më të pasur. Normalisht, ëndrrat e mia janë akoma edhe më të mëdha.

Çfarë do t‘i shkruante Uzuni “Babagjyshit” për festa, si ëndrrën apo dëshirat më të mëdha?

Nëse i them mbase nuk m’i realizon (qesh…). Kam sigurisht të tjera plane dhe synime në kokë. Normalisht, dua që të punoj shumë për t’i realizuar dhe të mos mbeten thjeshtë fjalë apo ide në kokën time. Në fushë dua që t’i prek një nga një dhe t’i realizoj. Siç ia dola që të realizoj disa ëndrra që nga fëmijëria, të bëj të njëjtën gjë edhe më tej. Vetëm me punë mund të arrihen ëndrrat dhe dëshirat në jetë.

Çfarë dhuratash keni bërë për festa?

Më pëlqen të bëj dhurata, për familjen dhe të afërmit e mi. Kam bërë shumë të tilla, shumë ndihma për familjarët e mi, por akoma nuk i kam përfunduar dhe nuk mund të tregoj asgjë, për të mos e prishur surprizën për askënd.

@tn.lajmelokale
@tetovanews