Ballina Shëndeti Koronavirusi Një histori suksesi, si po ia del Danimarka të mundë pandeminë e...

Një histori suksesi, si po ia del Danimarka të mundë pandeminë e koronavirusit?

Kryeministrja daneze siguron bashkëqytetarët e saj se Danimarka do të mbajë nën kontroll valën e re të koronavirusit.

Qeveria është hedhur në veprim. Restorantet, muzetë dhe kinematë u mbyllën nga e mërkura në 38 komuna, ku jeton gjysma e popullsisë përfshirë edhe Kopengahenin. Shkollat do të mbyllin dyert gjithashtu.

Kryeministrja u kërkon danezëve të kufizojnë grumbullimet gjatë festave deri në 10 persona.

Në mars, Danimarka ishte një prej të paktave vende që u izolua. E më pas, në prill, një prej të parave që rihapi shkollat e lehtësoi masat.

“Kur u goditëm nga pandemia në fillim të marsit vepruam shumë shpejt, e po ashtu bënë politikanët dhe qeveria jonë. Ata nuk humbën kohë, ashtu siç bënë disa shtete të tjera, të cilat u përballën pastaj me sfida më të mëdha. Në muajt e verës, niveli i infektimit dhe vdekjeve mbeti i ulët”, u shpreh Soren Brostro, drejtori i Autoritetit Shëndetësor Danez.

Dhe një analizë e CNN e të dhënave nga universiteti i Oksfordit, dhe ai i John Hopkins tregoi se Danimarka ishte më e suksesshme se gati çdo vend tjetër në Europë për t’i mbajtur të ulëta shifrat e infektimeve dhe vdekjeve, edhe pse jo me kufizime drastike.

Sipas vlerësimit të Oksford, Danimarka ka pasur politikën më të efektshme të testimit e gjurmimit në Europë, mes shtatorit dhe nëntorit, pas Qipros. Tradita daneze e vendosjes së shoqërisë para interesave personale, e ndërthurur me besimin te qeveria kontribuoi në suksesin e vendit.

“Kur qeveria thotë, se tani mund të grumbulloheni deri në 10 persona shumica e njerëzve e bëjnë këtë. Kur u kërkon të mbajnë maska, qytetarët u binden dhe e bëjnë vullnetarisht”, u shpreh historiani Gert Tinggaard Svendsen.

Në muajin gusht, një studim i financuar nga Komisioni Europian zbuloi se 95 për qind e danezëve ishin të kënaqur me reagimin e qeverisë ndaj pandemisë.

Por, ndërsa niveli i infektimit edhe atje po rritet, suksesi i strategjisë daneze vihet edhe një herë në provë. Qeveria nuk mund t’ia dalë e vetme, dhe si gjithmonë mbështetet në vullnetin e mirë të qytetarëvë për të frenuar pandeminë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews