“The Economist”
Në fillim të dhjetorit udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, deklaroi se Partia Komuniste kishte përmbushur një premtim që e kishte bërë po vetë. Varfëria ekstreme (e përcaktuar si fitimi i pak më shumëse 1 dollari në ditë) është çrrënjosur nga Kina.
Natyrisht, partia është e etur që t’u tregojë të tjerëve suksesin e saj në luftën kundër varfërisë. Në tetor ajo organizoi mbi këtë çështje një seminar 2-ditor, kryesisht virtual,me pjesëmarrjen e gati 400 njerëzve nga më shumë se 100 vende të botës.
Pjesëmarrësit e cituar nga media zyrtare bënë lëvdata të mëdha për përparimin e Kinës. Por ai aktivitet nuk kishte të bënte vetëm me daljen nga varfëria ekstreme të më nevojtarëve. Ai synonte gjithashtu t’i tregonte botës modelin politik të Kinës.
Në Perëndim, mbulimi i kohëve të fundit i diplomacisë së Kinës, është dominuar nga diskutimet se sa agresive është bërë ajo. Disa nga diplomatët kinezë janë quajtur “luftëtarë ujqër”,për shkak të zakonit të tyre të kërcënimit të kritikëve të huaj.
Ndërkohë, për audiencat jo-perëndimore, zyrtarët kinezë flasin më butë. Ata predikojnë virtytet e një forme qeverisjeje, që besojnë se po e bën Kinën të pasur, dhe që smund të ndihmojë edhe vendet e tjera. Disa e mirëpresin këtë mesazh, madje edhe në demokracitë shumëpartiake.
Në forumin mbi zbutjen e varfërisë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Jubileu në pushtet në Kenia, Raphael Tuju, u citua të thoshte se Partia Komuniste e Kinës duhet të ishte një shembull për partinë e tij.Në vitin 2017, Xi shkaktoi shumë shqetësim në Perëndim, kur sugjeroi se modeli kinez i zhvillimit ofronte “një mundësi të re” për vendet e tjera, dhe se një “qasje kineze” mund të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të njerëzimit. Megjithëse më vonë, ai këmbënguli se vendi i tij nuk kishte në plan të eksportonte një “model të Kinës”, zyrtarët e vendit komunist kanë qenë duke bërë pikërisht këtë gjë. Disa nga ata që janë përfshirë në këtë përpjekje i përkasin Ministrisë së Jashtme.
Por shumë të tjerë, si ata që organizuan seminarin e fundit mbi varfërinë, punojnë për një degë të Partisë Komuniste të quajtur Departamenti Ndërkombëtar. Detyra e tij është të fitojë mbështetje ndaj Kinës midis partive të huaja politike. Dhe ky departament është fiks për këtë mision.
Për shkak se nuk përfaqëson drejtpërdrejt shtetin kinez, ai nuk ka asnjë rol për të luajtur
në përplasjet verbale. Por si një degë e partisë, ai ka një autoritet të madh në Kinë. Departamenti punon ngushtësisht me Ministrinë e Jashtme dhe shpesh shkëmben personelin me të.
Në fundin e vitit 2017, Departamenti organizoi një kongres në Pekin, që bëri bashkë me udhëheqës dhe anëtarë të tjerë të partive politike nga 120 vende të botës. Disa delegatë vinin nga demokracitë e pasura si Japonia, Zelanda e Re dhe Amerika. Në të morën pjesë si republikanët dhe demokratët amerikanë.
Xi mbajti fjalimin kryesor. Shumë pjesëmarrës nënshkruan një deklaratë, “Nismën e Pekinit”,që lavdëronte Partinë Komuniste dhe udhëheqësin e saj Xi Jingping. Departamenti nuk shqetësohet dhe aq mbi llojin e partive politike me të cilat ndërvepron.
“Ai merren me partitë e krahut të djathtë, por dhe ato të majta, dhe të gjithave në mes”-
thotë David Shambaugh nga Universiteti George Washington. Nën drejtimin e Xi, një nga aktivitetet kryesore të departamentit ka qenë organizimi i seancave trajnuese për partitë e huaja politike, veçanërisht ato nga vendet në zhvillim.
Por kjo nuk do të thotë se autoritarizmi është i mirë. Por misioni i tij është qartësisht të promovojë virtytet e një lidershipi të fortë të centralizuar. Në nëntor, Song Tao, shefi i këtij departamenti, deklaroi në një video-konferencë me liderë partiakë nga 36 vende afrikane nën-Sahariane, se arritjet e Partisë Komuniste kineze,dëshmuan mençurinë e planeve të saj 5 -vjeçare.
“Sistemi kinez, mund të shërbejë si referencë”- i tha ai audiencës. Ndërsa shtoi se “vetëm duke mbështetur udhëheqjen e partisë” planetë tilla mund të “ecnin me ritmin e duhur”.
Gjatë pandemisë, shumë nga udhëzimet e Departamentit janë shpërndarë përmes internetit, shpesh duke u fokusuar mbi arritjet e Kinës në ndalimin e përhapjes së virusit Covid-19 (një nga leksionet:masat e ashpra kufizuese funksionojnë).
Edhe ekspozitat me tre pjesë të Xi me temë“Qeverisja e Kinës”, kanë qenë gjithashtu një tipar i përbashkët. Muajt e fundit në aktivitete të tilla kanë marrë pjesë zyrtarë nga partitë në pushtet në Angola, Kongo, Gana, Mozambik, Panama dhe Venezuelë.
Uebsajtet zyrtare në Kinë, i reklamojnë shpesh aktivitete të tilla. Në demokracitë afrikane si Gana, Kenia dhe Afrika e Jugut, Departamenti sponsorizon udhëtime drejt Kinës për anëtarët e partisë në pushtet,me synim studimin e ndërtimit të partive dhe qeverisjes.
Në vitin 2018, Partia e Re Patriotike e qendrës së djathtë në Ganë kërkoi një trajnim të tillë, pjesërisht për të “thelluar aftësitë e saj ideologjike”, thekson Joshua Eisenman i Universitetit të Notre Dame, një ekspert i aktiviteteve të Departamenti Ndërkombëtar në Afrikë.
Ish-partia në pushtet e Ganës, Kongresi Kombëtar Demokratik, ka dërguar dhjetëra anëtarë në Kinë për një trajnim të tillë. Kjo parti ka hapur edhe një shkollë në Gana, ku përdor materiale mësimore të hartuara nga Partia Komuniste Kineze.
Është e paqartë se çfarë përfitojnë anëtarët e partive të huaja nga seancat trajnuese të Kinës. Ato nuk mund të jenë më shumë se sa një mjet për përparimin në karrierë, apo për t’i bërë homazhe të vazhdueshme mençurisë së Xi, në mënyrë që më pas të kërkojnë favore, meqë Kina është një burim i vlefshëm i huave dhe investimeve në shumë vende në zhvillim.
Departamenti thotë se ka kontakte me më shumë se 600 organizata politike në mbi 160 vende. Nën udhëheqjen e Xi Jingping,akvititete të tilla janë shtuar shumë. Christine Hackenesch dhe Julia Bader, që shkruajnë për International Study Quarterly, thonë se numri i takimeve të nivelit të lartë u rrit me më shumë se 50 për qind midis viteve 2012-2017, në më shumë se 230 aktivitete në vit.
Martin Hala nga Sinopsis, organizatë që monitoron aktivitetet e Kinës në Evropën Qendrore, e ka quajtur këtë fushatë të ngjashme me formimin e një “Kominterni të ri” – një referencë ndaj lëvizjes së vjetër komuniste ndërkombëtare të udhëhequr dikur nga sovjetikët.
Gjithsesi ekziston një ndryshim themelor. Kina nuk po predikon komunizmin. Përkundrazi, synimi i saj është të tregojë se një vend mund të bëhet më i pasur edhe pa qenë demokratik. Dhe ky mesazh, gjen veshë të vëmendshëm midis politikanëve,të cilët i konsiderojnë të dëmshme parimet e kontrollit dhe ekuilibrit të pushteteve në një demokraci. / Perktheu Alket Goce-abc