Ballina Bota Demokratët një hap më pranë marrjes së kontrollit të Senatit në SHBA

Demokratët një hap më pranë marrjes së kontrollit të Senatit në SHBA

Demokratët fituan një garë të Senatit Amerikan në Xhorxhia dhe kanë epërsi të ngushtë në garën tjetër të balotazhit, duke qënë më pranë marrjes së kontrollit të Senatit dhe për të çuar përpara synimet e politikës së Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Demokrati Raphael Warnock fitoi garën e balotazhit në Xhorxhia duke mposhtur kundërshtaren republikane Kelly Loffler. Pastori Warnock do të jetë afrikano-amerikani i parë i zgjedhur për të përfaqësuar shtetin e Xhorxhias në Senatin amerikan.

Demokratët janë një hap më pranë marrjes së kontrollit të Senatit.

Kandidati demokrat Raphael Warnock ka mposhtur republikanen Kelly Loeffler në një nga garat e balotazhit në Xhorxhia. Demokrati tjetër Jon Ossoff është përpara kandidatit republikan David Perdue në garën tjetër ndërsa vazhdon numërimi i votave.

“Unë do të luftoj për ju, çdo ditë që do të jem në Senatin amerikan”, tha kandidati demokrat.

Warnock është një pastor i shquar afrikano-amerikan në kishën baptiste Ebenzer në Atlanta që dikur i përkiste doktor Martin Luther King Junior.

Në fjalimin e fitores ai tha se është i vetëdijshëm për rolin historik si afrikano-amerikani i parë i Xhorxhias që zgjidhet senator.

“Jam para jush sonte, duke e ditur mirë se udhëtimi i pabesueshëm që më solli fitoren në këtë moment historik në Amerikë mund të ndodhte vetëm këtu”, tha Warnock.

Por sfiduesja e tij republikane Kelly Loeffler, aleate e zjarrtë e presidentit Trump nuk e ka pranuar ende humbjen.

“Ne kemi një rrugë drejt fitores dhe do të qëndrojmë në garë”, tha zonja Loeffler.

Kandidati tjetër demokrat John Ossoff shpalli fitoren ndaj republikanit David Perdue megjithëse gara mbetet e ngushtë.

Nëse demokratët fitojnë të dyja vendet, atëherë nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të jetë në gjendje të hedhë votën përcaktuese të çdo legjislacioni që Presidenti i zgjedhur Joe Biden dëshiron të miratohet në dy vitet e tij të para në detyrë. Por disa votues në Xhorxhia thonë se me Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët, do të ishte më mirë të kishte një qeveri ku pushteti politik të mbetet i ndarë.

“Unë nuk besoj se nëse një parti kontrollon të gjithë Kongresin dhe presidencën, do të shohim që të gjithë ne të përfaqësohemi plotësisht”, thotë Lon Sperry votues në Xhorxhia.

Presidenti në largim bëri fushatë për të dy republikanët, duke kritikuar zyrtarët e zgjedhjeve në atë shtet dhe duke pretenduar pa prova se zgjedhjet e nëntorit u manipuluan. Disa republikanë janë të shqetësuar se pretendimet e presidentit mund të kenë dekurajuar mbështetësit e tij të votojnë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews