Ballina Bota ANALIZA: Joe Biden nuk lëviz asnjë gisht për Europën

ANALIZA: Joe Biden nuk lëviz asnjë gisht për Europën

Evropa duhet ta marrë vetë fatin e saj në dorë, konstatoi Angela Merkel në vitin 2017. Kjo thënie vlen sidomos për pandeminë, edhe pse Joe Biden është tashmë president i SHBA

Nga Dijana Roscic

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shumë vaksina COVID-19. Nga afro 59 milionë doza në dispozicion, gjendja e datës 6 shkurt, janë shpenzuar vetëm rreth 39 milionë. Gjysma e vaksinave në SHBA janë të Modernës, produkt i pastër amerikan, gjysma tjetër nga BioNTech-Pfizer. Kjo vaksinë e zhvilluar nga firma e re dhe relativisht e vogël BioNTech në Mainz së bashku me gjigantin farmaceutik amerikan Pfizer u lejua në treg kryesisht në Evropë. Ndërkohë ajo prodhohet në tri qendra të mëdha në SHBA dhe një tjetër në Belgjikë.

Para gati një muaji Britania e Madhe e përmbylli Brexit-in edhe ekonomikisht. Ky vend vaksionon me të gjitha kapacitetet. Edhe këtu nuk bëhet fjalë për mungesë vaksinash: AstraZeneca ka dy qendra prodhimi në ishull, përveç kësaj importohen edhe vaksina të Pfizer-BioNTech nga Belgjika.

Mangësi së paku edhe për dy muaj të tjerë

Gjermania dhe i gjithë BE, ku vazhdon të ketë mungesë vaksinash, shikojnë dhe bëjnë çudi. “Çfarë nuk ka funksionuar tek ne?”, pyesin qytetarët, mediat dhe politikanët. Pakënaqësia shtohet. Ajo u nxit javët e fundit nga lajmet gjithnjë e më të këqija, në radhë të parë nga njoftimet gati të pakuptueshme të prodhuesve lidhur me vonesat e furnizimeve me vaksina. Kështu nuk mund të vazhdohet! Në diskutim i përfaqësuesve të industrisë farmaceutike Komisionit Evropian dhe të qeverisë gjermane dhe të qeverive të landeve gjermane duhej të sillte sqarim në këtë çështje.

Sqarimi u bë. Po ta shohësh i ashtuquajturi „samiti i vaksinimit” në fillim të javës që shkoi ishte një sukses. Sepse tani e dimë se në Gjermani dhe në shumicën e BE do të ketë mungesë vaksinash së paku edhe dy muaj të tjerë! As më shumë para nuk do të ndihmonin dot, tha në fund kancelarja, e cila e ka shpallur vaksinimin detyrën e saj prioritare.

Angela Merkel tha edhe se: “Duhet të shihni edhe se SHBA kanë një situatë me War Act, ku mezi mund të eksportojnë në vende të treta. Kështu Evropa duhet t‘ia dalë mbanë me qendrat e veta të prodhimit. Për fat të mirë këto qendra i kemi dhe kjo na gëzon. Por Evropa nuk ka një numër të pafund qendrash të tilla prodhimi”.

Me fjalë të tjera: Për aleatët dhe miqtë Gjermania dhe BE janë vetëm partnerë të klasit të tretë. Dhe në këto kohë të vështira ato janë lënë në dorë të fatit të vet. Kjo të kthjellon. Dhe të çudit fakti që nuk ka gjetur jehonë më të fortë në media.

Të paktën po të kishte qenë Donald Trump ende president, kjo do të ishte më e lehtë për t‘u duruar. Por edhe Joe Biden, i cili mezi pritej nga Evropa, nuk lëviz asnjë gisht për të ndihmuar BE. Biden dëshiron që në 100 ditët e tij të para në detyrë të vaksinohen 100 milion amerikanë dhe për këtë arsye vazhdon të ndalojë eksportin e vaksinës së Coronës në bazë të një urdhëri presidencial. Pra ende vlen deviza “America First”.

Kjo është arsyeja, pse ajo që paralajmëroi Angela Merkel në maj 2017, pas samitit të parë të G7 me Donald Trump në Taormina të Sicilisë, vlen edhe nën Presidentin Biden: “Kohët, kur mund të mbështeteshim plotësisht tek të tjerët, kanë kaluar disi. Ne evropianët duhet ta marrim vërtet fatin në duart tona”.

Jo gjithçka do të jetë përsëri si dikur

Katër vjet me radhë shumica e Evropës u mundua shumë të punojë me Donald Trump dhe shpresoi që britanikët nuk do ta kishin vërtetë seriozisht. Por tani, pas javësh të trazuara, erdhi zgjimi i ashpër: Britanikët kanë ikur vërtet, dhe nën Joe Biden nuk do të jetë gjithçka automatikisht si dikur.

Nëse Evropa e kupton këtë tani, mund të bëhet vetëm më mirë. Dhe do bëhet më mirë: Fillon me prodhimin e vaksinave të Moderna në Spanjë. Një fabrikë e re BioNTech-Pfizer në Marburg do të fillojë punë në fund të shkurtit. Sanofi në Francë, Bayer në Leverkusen, edhe ato do të prodhojnë vaksinën e Coronës. Jo për disa ditë dhe jo prodhim i brendshëm, por për të gjithë Evropën dhe partnerët e saj në botë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews