Ballina Bota CNN: 170 milionë amerikanë të prekur nga moti i keq, viktima, mungesë...

CNN: 170 milionë amerikanë të prekur nga moti i keq, viktima, mungesë energjie dhe pezullim trafiku

Të paktën 170 milionë amerikanë janë në alarm për kushtet ekstreme të motit, ku përfshihen rrugët e zëna nga akulli, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe temperaturat e ulëta që kërcënojnë të krijojnë probleme në trafik dhe të paralizojnë qytetet nga bregu lindor në atë perëndimor, sipas CNN.

Në pjesën qëndrore të vendit, të paktën 11 persona kanë vdekur në aksidente rrugore për shkak të motit, që kur temperaturat nën zero përfshinë vendin.

Nëntë persona vdiqën në tri incidente të veçuara në Teksas të enjten, një person në Kentaki dhe një tjetër vdiq në Oklahoma të dielën.

Më shumë se 3,4 milionë klientë kanë mbetur pa energji nga sot pasdite herët, me më shumë se 2,8 milionë ndërprerje të raportuara në Teksas, ku ndërprerjet e energjisë filluan gjatë natës për shkak të kërkesës së lartë.

Moti i keq ka përfshirë vendin mbarë, me më shumë se një të tretën e SHBA-së kontinentale që regjistroi temperatura nën zero.
Në Kansas City temperatura arriti në minus 32 gradë Celsius, më e ftohta nga viti 1989, minus 5 në Dallas dhe minus 6 në Oklahoma City.

Sasia e dëborës e regjistruar në Brownsville, Teksas, ka ndodhur vetëm dy herë që kur regjistrimet filluan në 1898.

Moti i acartë ka rezultuar në njoftimin e gjendjeve të emergjencës në të paktën shtatë shtete, përfshirë Alabamën, Oregonin, Oklahomën, Kansasin, Kentakin, Misisipin dhe Teksasin.

Trafiku ajror u ndalua, të paktën përkohësisht, në pesë aeroporte: “George Bush Intercontinental” dhe “William P. Hobby” në Hjuston, “Dallas/Fort Worth International”, “Austin-Bergstrom International” dhe “Jackson-Medgar Wiley Evers International” në Misisipi.

Rreth 3 000 fluturime të brendshme dhe të jashtme u anuluan sot në mëngjes, sipas faqes së internetit për ndjekjen e fluturimeve FlightAware.com.

https://youtu.be/yykDCRA7QQM

Teksasi është vendi më i prekur nga moti i ftohtë. Zyrtarët në Harris County, qarku më i populluar i shtetit, që përfshin Hjustonin, paralajmëruan katër milionë banorët e tij të qëndrojnë brenda, sepse moti i ftohtë do të vazhdojë ende.

“Vendi më i sigurt për të qenë është në shtëpinë tuaj, edhe nëse ndërpritet energjia”, tha Francisco Sanchez, zëvendëskoordinatori për Menaxhimin e Emergjencave të qarkut.
“Do të bëhet më ftohtë, para se të ngrohet. Këto kushte nuk do të përmirësohen deri të martën në mbrëmje ose të mërkurën në mëngjes”, shtoi ai.

Zona e Hjustonit është goditur veçanërisht rëndë.
“Policia e qytetit iu përgjigj më shumë se 130 aksidenteve në trafik të dielën në mbrëmje”, tha shefi i policies, Art Acevedo, në Twitter.

Një grumbullim prej 10 makinash në rrugën ndërshtetërore 45, në jug të qendrës së qytetit, ishte vetëm një nga shumë incidentet në rrugët e përfshira nga akulli.

Acevedo i nxiti njerëzit të shmangnin udhëtimet.
“Gjatë patrullimit në qendër të qytetit, çdo biznes ishte i mbyllur. Nuk ka asnjë arsye për të udhëtuar me makinë në këto kushte. Qëndroni në shtëpi, stuhia do të përkeqësohet në vazhdim”, shtoi ai në një tjetër postim në Twitter.

Kryebashkiaku i Hjustonit, Silvester Turner, i cili shpalli një gjendje të jashtëzakonshme më herët gjatë ditës, përforcoi urdhrat e kreut të policisë.
“Ju lutemi qëndroni larg rrugëve sonte dhe nesër. Kjo është serioze! Rrugët janë të rrezikshme!”, tha ai.

Rrugët e akullta në Teksas tashmë janë provuar vdekjeprurëse.
Një grumbullim trafiku në Fort Worth të enjten, përfshiu më shumë se 130 makina, vrau nëntë persona dhe plagosi dhjetra të tjerë, me të paktën 65 njerëz që kërkuan trajtim në spitalet lokale pas rrëzimeve.

@tn.lajmelokale
@tetovanews