Ballina Aktualitet Kosova voton, gjithçka që duhet të dini rreth zgjedhjeve të sotme

Kosova voton, gjithçka që duhet të dini rreth zgjedhjeve të sotme

Me maska dhe distancë, qytetarët e Kosovës po votojnë të dielën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas më pak se një vit e gjysmë nga zgjedhjet e fundit.

Qendrat e votimit u hapën në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka votuar e para në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik. Pas votimit ajo ka deklaruar se KQZ-ja tashmë ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe obligimet e veta kushtetuese e ligjore për votimet e së dielës.

“Ftoj qytetarët t’i respektojnë rregullat e pandemisë dhe gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre, votimit”, ka thënë Daka në prononcimin për media duke shtuar se, “Sot ia dorëzojmë gjithë procesin subjekteve politike dhe votuesve”.

“Ftoj subjektet politike t’i respektojnë rregullat, Ligjin për zgjedhjet dhe Kushtetutën e Kosovës” ka shtuar ajo.

Ndërkaq e pyetur për organizimin e zgjedhjeve në veri, Daka ka thënë se KQZ-ja ka organizur zgjedhjet në veri të Kosovës:

“Edhe në vitet e kaluara zgjedhjet i kemi organizuar vetë. Misioni i OSBE-së ka pasur vetëm rol këshillues”.

Procesi i votimit po mbahet në kushte të vështira atmosferike, për shkak të motit të ftohtë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -11 deri -9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -5 deri -3 gradë Celsius.

Për këto zgjedhje, KQZ-ja tashmë ka pranuar 43.477 pako me fletëvotime, të dërguara me postë nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës. Ky institucion, më herët ka njoftuar se 103,582 qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës u është mundësuar e drejta e votimit për këto zgjedhje.

Në këto zgjedhje garojnë 28 subjekte politike: 21 parti politike, dy koalicione dhe pesë iniciativa qytetare, me 1.052 kandidatë të cilët garojnë për 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje ka për kandidat për kryeministër kreun e partisë, Albin Kurtin, i cili nuk u certifikua që të garojë për deputet në këto zgjedhje. Lidhja Demokratike e Kosovës garon për të parin e qeverisë me Avdullah Hotin, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, garon me Enver Hoxhajn për postin e kryeministrit.

Për këto zgjedhje janë akredituar rreth 30 mijë vëzhgues.

Këto janë zgjedhjet e dyta që Kosova po mban gjatë pandemisë së koronavirusit, pasi vitin e kaluar, u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

Për shkak të pandemisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka thënë se bazuar në rekomandimet e institucioneve shëndetësore, qytetarët duhet të mbajnë maska gjatë qëndrimit në qendrat e votimit, të ruajnë distancën prej dy metrash, si dhe të dezinfektojnë duart kur të hyjnë dhe dalin nga qendrat e votimit.

Po ashtu, KQZ-ja, përmes ekipeve mobile, mundëson që edhe qytetarët e infektuar me koronavirus, të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Zyra e Bashkimit Evropian më 13 shkurt bëri thirrje që zgjedhjet të jenë transparente, të besueshme dhe përfshirëse. BE-ja, përmes Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve, do të vëzhgojë procesin zgjedhor të 14 shkurtit.

Sa i përket votimeve në pjesën veriore të Kosovës, KQZ-ja ka thënë se do ta organizojë vetë procesin zgjedhor atje. Ky institucion nuk ka ftuar misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të ndihmojë në këtë proces, siç ka bërë në të kaluarën.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare po mbahen pasi më 21 dhjetor, 2021, Gjykata Kushtetuese tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Kjo pasi, më 3 qershor, 2020, për zgjedhjen e kësaj qeverie kishte votuar deputeti Etem Arifi, ndaj të cilit kishte një aktgjykim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Arifi, për këtë vepër penale ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim.

Në aktgjykim, Gjykata Kushtetuese argumentoi se një person i dënuar për vepër penale me një vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të kandidojë për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës. Andaj, Kushtetuesja tha se Qeveria Hoti nuk kishte marrë shumicën e votave të nevojshme të të gjithë deputetëve, gjatë votimit më 3 qershor.

Ky vendim i Kushtetueses, bëri që KQZ-ja të ftonte institucionet relevante që të ndihmonin në verifikonin e të gjithë kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit, për të parë nëse në listat e partive politike ka persona që kanë probleme me ligjin.

Pas verifikimeve, tre kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje, përfshirë kreun e kësaj partie, Albin Kurti nuk u certifikuan për të garuar për deputetë. Kurti, së bashku me disa deputetë të tjerë të Vetëvendosjes, në janar të vitit 2018, ishte dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit. Ky vendim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit në shtator të atij viti.

Po ashtu, tre kandidatë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk janë certifikuar në këto zgjedhje, ndërkaq, nga Nisma Socialdemokrate nuk janë certifikuar 12 kandidatë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, mban në kohën kur Kosova po ashtu është me ushtrues detyre të presidentit, pasi ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 5 nëntor, 2020, dha dorëheqje nga ky post, pas konfirmimit të një aktakuze për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Këtë post po e mban kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila mund ta ushtrojë atë për gjashtë muaj prej marrjes së detyrës.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2019, pas të cilave, më 3 shkurt, 2020, kryeministër u zgjodh lideri i LVV-së, Albin Kurti. Qeveria Kurti u rrëzua në fund të marsit përmes një mocioni të mosbesimit, të iniciuar nga partnerja e koalicionit, LDK-ja. Pas kësaj, në qershor, Kuvendi i Kosovës votoi qeverinë e Avdullah Hotit nga LDK-ja.

@tn.lajmelokale
@tetovanews