Ballina Bota Presidenti meksikan i kërkon gjysmës së Europës thesaret që janë nxjerrë jashtë...

Presidenti meksikan i kërkon gjysmës së Europës thesaret që janë nxjerrë jashtë vendit

Në 500 vjetorin e zbulimit të vendit dhe 300 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Meksika i kërkon gjysmës së Europës që t’i rikthejë thesaret që i janë marrë përgjatë viteve nga pushtuesit. Por beteja duket e humbur që në nisje, pasi Meksika nuk mund të dëshmojë dot se kur dhe si janë nxjerrë jashtë vendit këto thesare.

Shtatë thesare, 19 mijë objekte, antike dhe me shumë vlerë. Pjesa më e madhe e saj daton në civilizimin Mesoamerica, pjesa tjetër simbolizon perandorinë Azteke dhe shënon lavditë e një dinastie që drejtoi Meksikën e sotme deri në mes të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Shumë prej tyre ndodhen jashtë vendit, të ruajtur në muze dhe galeri ku mund të admirohen nga e gjithë bota. Por janë një plagë për meksikanët të cilët ndihen të zhvatur dhe me identitet të humbur.

Presidenti meksikan Obrador – i cili mbështet krenarinë kombëtare dhe populizmin – në 500 vjetorin e zbulimit të Meksikës nga ana e kurorës spanjolle, dhe 300 vjet nga shpallja e pavarësisë, tashmë kërkon që këto thesare t’i rikthehen vendit të tij. Dhe nëse mendohej se këto simbole të së kaluarës azteke ndodhen në Madrid, në të vërtetë kanë përfunduar në kryeqytetet e tjera europiane por dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë mënyrë Meksika ka nisur një betejë të vërtetë me Austrinë, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë, vende që kanë thesaret që vendi i kërkon sërish. Presidenti i vendit u shpreh se të gjitha objektet duhet të rikthehen në atdhe në mënyrë që të ekspozohen për publikun gjatë ceremonive që shënojnë dy data kaq të rëndësishme për vendin. Varëse, maska, kurora, tekste antike, pergamenë dhe shumë gurë të çmuar. Të gjitha janë kataloguar në vitin 2012.

Por objektivi është i vështirë për t’u arritur. Shumë vende që ruajnë këto relike nuk kanë marrëveshje dypalëshe për terma tregtare dhe japin interpretime të ndryshme juridike për këtë temë. Por për ligjin meksikan janë trashëgimi të çmuara mbi të cilat nuk mund të bëhet asnjë marrëveshje. Eksportimi i objekteve arkeologjike është një krim që dënohet nga drejtësia. Por ka një problem, Meksika jo gjithmonë mund të dëshmojë se kur dhe si janë nxjerrë nga vendi.

Një betejë e tillë është fituar deri tani vetëm me Gjermaninë dhe Austrinë. Pas dhjetë vitesh apelesh ndaj një koleksionisti privat Meksika mundi të marrë dy statuja në fillim të viteve ’90. Në të njëjtën periudhë mori dhe nga Austria një mburojë azteke që ndodhej jashtë vendit prej më shumë se 500 vitesh. Por pjesa më e madhe mbetet ende jashtë Meksikës

Pra duket si një betejë e humbur që në nisje./abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews