Ballina Aktualitet Zgjedhjet mbaruan, po tani? Si zgjidhet qeveria në Kosovë, opsionet, skenarët dhe...

Zgjedhjet mbaruan, po tani? Si zgjidhet qeveria në Kosovë, opsionet, skenarët dhe sfidat

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në zgjedhjet e së dielës mori mbi 150,000 vota më shumë se në zgjedhjet e 2019.

Në bazë të 98% të votave të numëruara, Vetëvendosje fitoi 48% të votave apo mbi 374 mijë.

Por, a do të mundet ky subjekt politik që i vetëm të krijojë qeverinë?

Me rezultatin aktual, Albert Krasniqi nga ‘Demokraci Plus’, tha për Radion Evropa e Lirë se Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë 56 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 20, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 mandate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëntë deputetë.

Megjithatë, rezultati final do të dihet pas numërimit të votave me kusht, dhe votave përmes postës.

Në KQZ, deri më 12 shkurt, kanë arritur 43.447 pako me fletëvotime nga jashtë, të cilat do të hapen më 15 shkurt për verifikim, proces ky që mund të marrë kohë deri në dhjetë ditë. Numri i votave mund të jetë më i madh, pasi besohet se brenda një pakoje, mund të ketë më shumë se një fletëvotim. Pritjet janë që vota e diasporës të jetë në masë të madhe dedikuar për LVV-në. Kjo do të rriste gjasat e arritjes së shumicës parlamentare.

Si zgjidhet qeveria?

Kosova është republikë parlamentare. Kuvendi i saj ka 120 ulëse, ku 20 prej tyre janë të rezervuara për komunitetet joshumicë. Për formimin e qeverisë, nevojiten votat e 61 deputetëve të kuvendit.

Fillimisht, presidenti i Republikës mandaton fituesin e zgjedhjeve që të formojë qeverinë. Nëse mandatari i parë nuk arrin të formojë qeverinë brenda 15 ditëve pas dekretimit, atëherë, presidenti dekreton një tjetër mandatar, i cili ka një afat ligjor prej dhjetë ditësh për formimin e qeverisë së re. Kandidati për kryeministër, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të publikuar më 2020, mund të jetë edhe nga partitë e tjera, pra jo partia fituese. Ai duhet të dëshmojë se ka votat e nevojshme që të zgjidhet në kuvendit. Nëse edhe mandatari i dytë dështon të sigurojë shumicën parlamentare, atëherë vendi shkon sërish në zgjedhje.

Kandidati i mandatuar nuk është i obliguar që të ketë koalicion edhe me partitë e komuniteteve joshumicë, por në qeveri, duhet të ndaj të paktën dy poste ministrore për komunitetet joshumicë, nëse qeveria ka 12 ministri. Nëse numri i ministrive tejkalohet, atëherë, një post i tretë ministror i ndahet komuniteteve.

Cilat janë opsionet?

Nëse LVV-ja nuk arrin të fitojë e vetme 61 deputetë, atëherë duhet të kërkojë partnerë për të formuar qeverinë e re. Në këtë rast, mund të ofrojë bashkëpunim për partitë e komuniteteve joshumicë, apo edhe për ndonjë nga partitë shqiptare.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka cilësuar këto zgjedhje si referendum dhe nuk ka folur asnjëherë për koalicione paszgjedhore. Në konferencën ku shpalli fitoren pak para mesnatës së 14 shkurtit, Kurti tha se “nuk ka nevojë dhe as interes të bëj koalicion me ata që kanë nevojë të reformohen në opozitë”.

Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani kanë garuar në një listë të përbashkët, ku Kurti është nominuar për kryeministër, ndërkaq Vjosa Osmanin për postin e presidentes.

Partitë e tjera politike në këto zgjedhje nuk kanë folur për vija të kuqe, siç ishin pozicionuar në zgjedhjet e kaluara.

Por, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër Avdullah Hoti, pas përfundimit të votimeve, paralajmëroi se partia e tij do të qëndrojë në opozitë.

“Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.

Edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka thënë se partia e tij, nuk do të hyjë në koalicion me LVV-në, pasi siç është shprehur, “janë shumë larg me qëndrime”. Ai ka thënë se PDK-ja do të mbetet në opozitë.

Megjithatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur hapur gatishmërinë që të jetë pjesë e Qeverisë Kurti. Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili synon të bëhet president i Kosovës, ka thënë se nuk ka “vija të kuqe, as për Vetëvendosjen as për ndonjë subjekt politik”. Por, një koalicion eventual me AAK-në, bart në vete edhe kushtin që Haradinaj të zgjidhet president i vendit. Sipas rezultateve preliminare, partia e Haradinajt ka fituar 7.5% të votave.

Kush janë fitues nga minoritetet?

Në Qeverinë Kurti 1, LVV-ja nuk kishte bërë koalicion me Listën Serbe, e cila kishte fituar të dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në kuvend. Pavarësisht se kishin raporte të acaruara, Lista Serbe ishte pjesë e qeverisë me dy ministra.

Por, edhe partitë e tjera të komuniteteve mund të kenë kushtet e tyre.

Lista Serbe ka thënë të ketë fituar të dhjetë vendet, por në Kuvendin e Kosovës, këtë herë do të ketë edhe hyrje të reja nga komunitetet e tjera.

Në mesin e komunitetit boshnjak, Adrijana Hoxhiq nga veriu i Mitrovicës, me subjektin e saj “Komuniteti i Bashkuar”. Sipas rezultateve preliminare, ajo është e para në mesin e subjekteve boshnjake dhe ka fituar 5.688 vota. Subjektet e tjera boshnjake, siç është ajo e Emilia Rexhepit, Partia e Re Demokratike, ka fituar 2.753 vota, ndërkaq Unioni Socialdemokrat i Duda Baljes ka fituar 2.427.

Përfaqësuesit nga radhët e komunitetit boshnjak, të cilët kanë tri vende në kuvend, kanë ngritur dyshime se Hoxhiq, bashkë me subjektin e ri rom, Inciativa Rome nga Graçanica, po përpiqen të hyjnë në kuvend, me ndihmën e votave të komunitetit serb dhe se do “të punojnë për interesin e Listës Serbe”. Hoxhiq, e cila është nënkryetare e Mitrovicës së Veriut, i ka quajtur  shpifje.

Ndërkaq, Iniciativa Rome e Gazmend Salijeviq nga Graçanica ka fituar 3.730 vota, duke prirë në zgjedhje në mesin e partive të komunitetit rom.

Mbetet të shihet, nëse përfaqësuesit e ri të komuniteteve, do të bashkëpunojnë me fituesin e zgjedhjeve.

A do të mandatohet Kurti për kryeministër?

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, që mund të marrë deri në një muaj kohë, ushtruesja e detyrës së presidentit, Osmani si u.d. e presidentit mund ta dekretojë Kurtin që të krijojë qeverinë e re. Por, ka dilema nëse kjo është e ligjshme, pasi Kurtit i është ndaluar garimi në zgjedhjet parlamentare, për shkak të dënimit të formës së prerë, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Aktgjykimi i Kushtetueses, por edhe neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili gjatë tri vjetëve të fundit ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë. Ky afat për Kurtin, përfundon në shtator.

Ekspertët janë të ndarë në këtë çështje, pasi disa argumentojnë se vendimi i Kushtetueses vlen vetëm për deputet, por opozita mund ta kontestojë këtë dekretim dhe të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

Presidenti, sfida e parë

Për të mbijetuar, qeveria e re duhet të sigurohet se do të ketë mbështetjen e 2/3 në kuvend, pasi më së largu në prill të këtij viti, duhet të fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Kushtetuta e përcakton se presidenti i Republikës duhet të zgjidhet me të paktën 61 vota (në raundin e tretë), por kërkon që në procesin e votimit, të marrin pjesë të paktën 81 deputetë. Presidenti i ri duhet të zgjidhet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes.

Në rast se kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin, atëherë vendi shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.

LVV-ja është përcaktuar që në këtë post ta nominojë u.d. e presidentit, Vjosa Osmanin, por bazuar në rezultatet e 14 shkurtit, zgjedhja e Osmanit nuk mund të arrihet pa mbështetjen e partive opozitare.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj po ashtu po synon postin e presidentit të Republikës dhe ka shprehur gatishmëri që partia e tij të bëhet pjesë e koalicionit të ardhshëm. Por, ende nuk dihet nëse LVV-ja do të “sakrifikojë” Vjosa Osmanin, për t’i plotësuar kushtin eventual, liderit të AAK-së.

Çka e pret qeverinë e re?

Qeveria e re pritet të krijohet sërish në kohë pandemie. Pasojat në ekonominë e vendit, të shkaktuara nga mbylljet dhe masat kundër COVID-19, janë evidente dhe menaxhimi i kësaj situate, mbetet prioritet dhe sfidë e vështirë.

Pos kësaj, Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të papunësisë. Raportet ndërkombëtare e rendisin Kosovën në mesin e vendeve me korrupsion të lartë dhe arsimim të dobët.

Aktualisht, Kosova është e angazhuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë. Por, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se “dialogu nuk është prioritet” dhe ka paralajmëruar rikthim të masave të reciprocitetit të plotë. Ai ka përsëritur se do të angazhohet për dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, të cilët duhet ta shohin Kosovën si atdhe të tyre./ REL

@tn.lajmelokale
@tetovanews