Ballina Bota Analiza ANALIZA: Rikthimi i Amerikës në botë

ANALIZA: Rikthimi i Amerikës në botë

Zbatimi i një strategjie të përgjithshme amerikane për të forcuar demokracinë liberale dhe për të rindërtuar multilateralizmin do të përfshijë në mënyrë të pashmangshme shumë nuanca gri. Por veprimet e hershme të administratës Biden dhe sinqeriteti i deklaratave të saj sugjerojnë që ajo mund të bëhet administrata më transformuese ndërkombëtare në SHBA në dekada.

Nga Kemal Derviş

Në javët para inaugurimit të presidentit amerikan Joe Biden, shumë besuan se një axhendë e rëndë e brendshme do ta linte atë me pak hapësirë ​​për të lënë pas qasjen transaksionale të Donald Trump ndaj diplomacisë dhe për ta riangazhuar Amerikën në çështjet ndërkombëtare. Por, për fat të mirë për Shtetet e Bashkuara dhe botën, përpjekjet e administratës Biden deri më sot tregojnë qartë të kundërtën.

Biden përshkroi me vendosmëri parimet e tij strategjike në një fjalim në internet më 19 shkurt në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Shpejt pas kësaj, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen përmblodhi qasjen e re të Amerikës ndaj çështjeve ekonomike ndërkombëtare në një letër drejtuar ministrave të financave të G20. Dhe më 3 Mars, Sekretari i Shtetit Antony Blinken renditi në tërësi përparësitë e politikës së jashtme të administratës.

Këto deklarata tregojnë për disa tema të qëndrueshme, disa prej të cilave tashmë janë reflektuar në veprimet e administratës së re. Si fillim, asja e Biden do të jetë sistematike, jo transaksionare, duke theksuar vazhdimësinë dhe koherencën strategjike. Ndryshe nga Trump, Biden nuk do ta quajë presidentin kinez Xi Jinping një mik të madh një ditë dhe një armik të rrezikshëm ditën tjetër. Ai as nuk do t’i referohet Europës si një kërcënim më i madh për ekonominë amerikane sesa Kina dhe, menjëherë më pas, ta përshëndesë atë si një aleat të rëndësishëm.

Në fjalimin e tij në Mynih, Biden argumentoi se bota është në një pikë lakimi në luftën midis autokracisë dhe demokracisë. Ai deklaroi se “misioni galvanizues” i Amerikës është të ndihmojë demokracinë të ketë sukses. Për shkak se “demokracia do dhe duhet të mbizotërojë”, konsideratat për të drejtat e njeriut gjithashtu do të jenë një pjesë e rëndësishme e qasjes së përgjithshme të Biden.

Por “misioni galvanizues” nuk do të nënkuptojë mbështetjen e SHBA-së për ndryshim regjimi jashtë vendit, gjë e cila në të kaluarën ka dhënë efekt të kundërt. Në vend të kësaj, Amerika do të kërkojë të udhëheqë duke qenë një shembull dhe të punojë ngushtë me aleatët demokratik, duke pranuar se nuk mund t’i arrijë e vetme rezultatet e dëshiruara.

Nën udhëheqjen e Biden, Amerika gjithashtu do të angazhohet plotësisht me sistemin multilateral dhe do të punojë brenda, jo kundër, institucioneve ndërkombëtare. Për shembull, SHBA-ja i është bashkuar përsëri marrëveshjes së klimës së Parisit 2015 dhe më 22 prill Biden do të presë një samit ndërkombëtar mbi çështjet klimaterike në të cilin ai pritet të lajmërojë kontribute më ambicioze të vendosura në shkallë kombëtare sipas marrëveshjes së Parisit. Këto ka shumë të ngjarë të synojnë të arrihen emisione neto-zero të gazeve serrë deri në vitin 2050, dhe ndoshta një ulje prej 50% nga nivelet e tyre të vitit 2005 deri në vitin 2030.

Kur është e nevojshme, administrata do të kërkojë të reformojë institucionet shumëpalëshe sesa t’i anashkalojë ose t’i pengojë ato. Kështu SHBA-ja është riangazhuar gjithashtu me Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe ndaloi bllokimin e Ngozi Okonjo-Iweala, një ish-ministre financash dhe një zyrtare e lartë i Bankës Botërore, për t’u bërë drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë.

Këta shembuj të hershëm të qasjes sistematike të Biden në veprim duhet të mirëpriten. Por kjo është një qasje që do të përballet me sfida veçanërisht të forta në dy fusha: të drejtat e njeriut dhe Kina.

Çështja e parë doli në fokus pas publikimit të kohëve të fundit të një raporti të inteligjencës amerikane që implikonte qartë sundimtarin de facto të Arabisë Saudite, Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, i njohur si MBS, në vrasjen e tmerrshme të vitit 2018 të gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën Saudite në Stamboll.

Publikimi i raportit sugjeron që administrata Biden po distancohet disi nga Arabia Saudite dhe u pasua nga sanksione nga ana e SHBA-së ndaj anëtarëve të institucionit të sigurisë Saudite dhe zyrtarëve pranë princit të kurorës. Por vetë MBS nuk do të përballet me sanksione personale, duke reflektuar rëndësinë strategjike të Arabisë Saudite dhe gjasat që ai të qeverisë Mbretërinë për një kohë të gjatë.

Aktivistët e të drejtave të njeriut e kritikuan ashpër vendimin. Por Biden vendosi ekuilibrin e duhur midis dënimit të vrasjes Khashoggi-t dhe abuzimeve të tjera të të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite – përveç sanksioneve të kufizuara, Biden ka thënë që ai nuk do të flasë personalisht me MBS – dhe duke njohur nevojën për të punuar me Mbretërinë përsa i përket çështjes së problemeve rajonale.

Sa i përket Kinës, është e qartë se administrata Biden e sheh rivalitetin ideologjik dhe ekonomik si tiparin dominues të marrëdhënies dypalëshe. Por kjo nuk do të përjashtojë bashkëpunimin sa herë që është e mundur dhe e dobishme, veçanërisht për të mirat publike ndërkombëtare siç janë masat për ndryshimet klimaterike dhe vënia nën kontroll e pandemisë.

Për shkak se Kina ka potencialin për të rivalizuar aftësitë amerikane së shpejti (nëse nuk e ka bërë tashmë), SHBA-ja do të duhet të bëjnë kompromise të vështira në shumë fusha. Biden do të mbështetet në fuqinë e shembullit dhe do të nxjerrë në pah sukseset e demokracive të afta të ofrojnë për qytetarët e tyre. Ai gjithashtu do të negociojë shumë me Kinën për çështje teknologjike dhe ekonomike, ndërsa nuk do të lejojë që dallimet e qarta ideologjike të çojnë në konflikt të hapur.

Për çështjet ekonomike, letra e Yellen drejtuar kolegëve të saj të G20 shënon një kthim të theksuar të SHBA-së në multilateralizëm. Ajo që është e rëndësishme, ajo i bën thirrje Fondit Monetar Ndërkombëtar të përgatisë një plan për një alokim të ri të të drejtave speciale të tërheqjes (SDR), një lëvizje që paraardhësi i saj, Steven Mnuchin, e kishte bllokuar.

Pas takimit të tyre të 26 shkurtit, ministrat e financave të G20 dhe guvernatorët e bankave qendrore i kërkuan FMN-së që të zhvillonte një plan të tillë. Ky mund të jetë hapi i parë drejt një reforme të madhe të mekanizmave të financimit të FMN-së, të cilat varen shumë nga huazimet ad hoc.

Letra e Yellen gjithashtu përmban një angazhim të mirëpritur nga SHBA-ja për të punuar me Kuadrin Përfshirës të OECD/G20 mbi Erozionin e Bazës dhe Zhvendosjen e Fitimit. Shmangia e taksave dhe minimizimi i taksave agresive nga korporatat ndërkombëtare, veçanërisht në sektorin digjital, paraqesin një sfidë të madhe fiskale dhe të barazisë për ekonominë ndërkombëtare. Yellen thotë se SHBA-ja ndan qëllimin e “gjetjes së zgjidhjeve të zbatueshme në një mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme”.

Vënia në zbatim e një strategjie të përgjithshme për të forcuar demokracinë liberale dhe për të rindërtuar multilateralizmin do të përfshijë në mënyrë të pashmangshme shumë hije gri, pasi realiteti imponon kufizime të paparashikuara. Por veprimet e hershme të administratës Biden dhe sinqeriteti i deklaratave të saj sugjerojnë që ajo mund të bëhet administrata më transformuese ndërkombëtare në SHBA në dekada.

Por fakti nëse kjo do të ndodhë varët, kryesisht, nga suksesi i Biden në vend përsa i takon nxitjes së progresit ekonomik për të gjithë amerikanët. Udhëheqja duke shërbyer si shembull fillon nga shtëpia.

 Project Syndicate-Birn

@tn.lajmelokale
@tetovanews