Ballina Aktualitet Covid-19 në Maqedoninë e Veriut: Spitalet po mbushen shpejtë, gjithnjë e më...

Covid-19 në Maqedoninë e Veriut: Spitalet po mbushen shpejtë, gjithnjë e më pak krevate të lira

Kapacitetet spitalore mbushen shpejt për shkak të numrit të rritur të të infektuarve me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut. Për shkak të presionit për hospitalizim të numrit çdo ditë e më të madh të të infektuarve, covid qendrat e Klinikës për Nefrologji, Klinikës për Gastroenterokepatologji, për Sëmundje të Syve dhe për Veshë, Hundë dhe Fyt, kanë hapur sërish dyert për pacientë, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Momentalisht ka 11,640 raste aktive, ndërsa në covid qendrat në vend gjithsej janë të hospitalizuar 1040 pacientë – prej tyre 436 janë në spitalet në Shkup, ndërsa 604 të tjerë në qytetet e tjera. Autoritetet kanë njoftuar se, ka edhe 370 krevate të lira, prej të cilave 50 në kryeqytet, i cili është vatra më e madhe që nga fillimi i pandemisë. Në Klinikën Infektive në Shkup ka më shumë të hospitalizuar – 131 pacientë. Në SPQ “8 shtatori” po shërohen 73, në Spitalin për Fëmijë në Kozle 29, ndërsa në Klinikën për Gjinekologji 4 pacientë.

Covid – 19 shpejt po përhapet edhe në qytetet e tjera. Prilepi, Kumanova dhe Tetova janë në mesin e të parave në listën me numër më të madh të të infektuarve. Sipas raporteve nga Ministria e Shëndetësisë, nga 604 pacientë të shtrirë në spitalet jashtë Shkupit, më së shumti ka në Spitalin e Kumanovës – 100 pacientë. Më pas vijojnë Prilepi me 96 pacientë, Ohër 75, Kavadar 64, Manastir 60, Veles 47, Shtip 37, Strumicë 29, Gostivar 28, Tetovë 20, Strugë dhe Gjevgjeli 15, Koçan 7 dhe Kërçovë 7. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se nëse ka nevojë, covid repartet do të zgjerohen në mënyrë shtesë.

Lloji britanik i virusit po bëhet dominues

Lloji britanik i korona virusit, i cili transmetohet lehtë dhe konsiderohet së është më ngjitës, po bëhet dominues te rastet e reja. Mjekët tregojnë se në mesin e rasteve të reja, po rritet numri i atyre që kanë nën 36 vjeç. Në pritje që të fillojë imunizimi masiv i popullatës, po ulet numri i rasteve pa simptoma, por për këtë po rritet numri i atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore dhe hospitalizim.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit për Shëndet Publik, që nga fillimi i pandemisë gjithsej janë diagnistifikuar 112,646 persona me covid-19. Hulumtimi i Institutit për Imunobiologji i zbatuar gjatë dy javëve të fundit në Shkup, ka treguar se çdo i treti qytetarë ka antitrupa të Covid-19.

Analiza u zbatua me 1000 kalimtarë të rastit në gjashtë lokacione në Shkup, edhe atë në Karposh, Aerodrom, QT “Mavrovasja”, në Parkun e Qytetit, në rrugën Maqedonia dhe Sheshin Maqedonia. Ndërkohë, është bërë kujdes që personat pjesëmarrës të mos ishin nga e njëjta familje, gjegjësisht që mostrat ishin marrë nga grupe dhe mosha të ndryshme. Këto të dhëna tregojnë se, vendi është në gjysmën e rrugës drejt krijimit të imunitetit kolektive, për çka nevojitet që sëmundjen të tejkalojnë më së paku 60 për qind e qytetarëve.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuar në Worldometer, servis i cili e ndjekë statistikën në lidhje me Covid – 19 në gjithë botën, Maqedonia e Veriut është në vendin e pestë në rajon për nga vdekshmëria, për dallim nga disa muaj më parë, kur ishte e para në listë. Në Maqedoninë e Veriut ka 1593 pacientë të vdekur në 1 milion banorë, për dallim nga Bullgaria me 1625 të vdekur në një milion banorë, Bosnjë dhe Hercegovina me 1667, Mali i Zi me 1797 dhe Sllovenia me 1892 të vdekur në një milion banorë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews